Edhe pse çmimi i energjisë është më i shtrenjti në Europë, rrogat janë më të ulëta sërish OSHEE është në krizë për shkak të fryrjes së organikave me militantë dhe patronazhistë , të cilët janë dhuratë për zhvatjen e qytetarëve për efekt page, si shpërblim për shërbimet elektorale, që njohin vetëm kartën e bankës dhe nuk dinë as vendin e punës. Ja si qarku i mbyllur , monopol; ‘KESH-OST-OSHEE’mbush hamarët me mbi 60 tendera për blerje të energjisë 300 milionë euro, teksa nën maskën e krizës duan të nisin prerjen e dritave
OSHEE humbje 13.2 miliardë lekësh, KESH dhe OST me fitim, organikat fryhen me militantë dhe patronazhistë, të cilët njohin vetëm kartën e bankomatit dhe nuk dinë as vendin e punës, por janë sa për efekt page, si shpërblim për shërbimet elektorale e lidhjet familjare.
Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Rajon, krahasuar me pagat dhe pensionet e ulëta që kanë qytetarët shqiptarë krahasuar me Rajonin dhe Evropën. Edhe pse ka burime të mëdha ujore, ku bazohet kryesisht prodhimi i energjisë, qeveritarët duket se nuk bëjnë kompromis me çmimin. Madje në një deklaratë të ditëve të fundit Kryeministri Rama, që krizën e energjisë e zhduku si me shkop magjik në nëntor, – deklaroi se do nisin ndërprerjet e dritave për qytetarët, duke e justifikuar me frazën:“Ajo që është më e keqja se kaq është që të shkojë çmimi edhe më shumë dhe mos të ketë: Sot nuk patëm mundësinë të blejmë aq sa na duhej sot energji”. Kjo do kthente vendin vite pas në kohën e qiririt rreth vite 97’.
KESH që administron hidrocentralet sipas shifrave ka dalë me fitim, kjo tregon se shifrat kanë pasuruar prodhimin e energjisë. OST si trasportues i kësaj energjie ka dalë po ashtu me fitim. Në këtë qark monopoli përpos se të ardhurat dhe pagesat nga import-eksportet të sasisë së energjisë, që KESH i kalon OST-së e OSHEE-së për shitje te konsumatori, janë lejuar nga qeveria, të raportohen me “qark” të mbyllur vetëm brenda kupolës së KESH, sikur kjo është kompani private e jo pronë shtetërore. Rezulton se OSHEE ka dalë me humbje prej 13.2 miliardë lekësh, që ngre pyetje të flitet për abuzime të mundshme.

Organika me militantë
Energjia flitet se është çuar dëm dhe ndarë në pjesë mes, bizneseve dhe oligarkëve strategjik që me anë të statusit përfitojnë dhe kabinat dhe transportimin e energjisë falas. E gjithë kjo punë e kushtueshme bëhet duke futur dorën në xhepat e taksapaguesve duke i varfëruar edhe më tej. Sikur të mos mjaftonte fryrja e organikave me militantë dhe patronazhistë, të cilët njohin vetëm kartën e bankomatit dhe nuk dinë as vendin e punës, por janë sa për efekt page, si shpërblim për shërbimet elektorale e lidhjet familjare. Deri më 31 mars 2022, administrata rezultoi me 38% punonjës më tepër.
Edhe kryeminstri Rama më 1 maj 2017, gjatë inspektimit të punimeve në linjën elektrike Lana Bregas-Pallati i Kongresevë tha se OSHEE nga ushtri militantësh do e kthejmë në kompani moderne. Jo vetëm KLSH, por dhe auditimet e brendshme të Ministrisë së Ekonomi-Financave, KESH, OST e OSHEE, kanë konstatuar se gjatë këtyre 20 viteve, ka pasur lëmsh dokumentesh financiare, blerje energjie me çmim 4-6 herë më të lartë.
Keqmenaxhim i energjisë, jo krizë
Eksperti i energjisë, Eduart Elezi ka hedhur dritë mbi vjedhjet galopante që po bëhen në sektorin e energjisë, ndërsa theksoi se kriza vjen si pasojë e keqmenaxhimit nga qeveria. Elezi u shpreh se janë mbi 60 tendera për blerje të energjisë ndërkohë që vendi po furnizohet me kaskadën e Drinit. Janë harxhuar 300 milionë euro për blerjen e energjisë në periudhën 6-mujore, ndërsa nuk është harxhuar energjia e blerë, por është mbuluar me kaskadën e Drinit.
Grupi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike ka regjistruar një humbje prej 13.2 miliardë lekësh apo më shumë se 108 milionë euro në vitin 2021.Qeveria ka publikuar në relacionin e buxhetit faktik bilancet financiare të tre kompanive përbërëse të sektorit energjetik ku situata është më problematike për shpërndarjen. Kjo lidhet me faktin që OSHEE-së i është dashur që vitin e kaluar të bëjë blerje të shumta energjie për të siguruar furnizimin në vend, importe që arritën 285 milionë euro deri në fund të vitit. Gjithsesi në publikim theksohet se “të dhënat financiare për OSHEE Group sh.a, për vitin 2021, janë paraprake (jo finale) të përcjella nga kompania”Të ardhurat e përgjithshme të kompanisë rezultojnë 66 miliardë ndërkohë që shpenzimet janë gati 20 për qind më të larta. Kjo humbje është thelluar në raport me vitin 2020 me të paktën 5 herë teksa në vitin e pandemisë ishte 2.5 miliardë lekë apo rreth 20 milionë euro. Kriza që nisi në fund të gushtit dhe rriti globalisht çmimet e energjisë duke kërcënuar madje edhe sigurinë e furnizimit në disa raste bëri që qeveria më pas të deklaronte emergjencën e furnizimit me energji që fillimisht u parashikua deri më 15 prill e më pas u zgjat deri në fund të këtij viti. OSHEE tashmë përmes nën kompanisë të saj ‘Furnizuesi i Tregut të Lirë’ siguron energjinë e nevojshme nga KESH i cili është ngarkuar me detyrën e prodhimit dhe blerjeve nga tregu i lirë.
KESH e OST me fitim
Për vitin 2021 KESH ka rezultuar me një bilanc pozitiv financiar ku sipas të dhënave të publikuara nga qeveria ky fitim ishte 6 miliardë lekë apo 49 milionë euro. Në raport me vitin paraardhës Korporata ka ndryshuar totalisht panoramën e saj pasi në vitin e pandemisë bilanci financiar regjistroi një humbje prej 93 milionë lekësh. Edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit sipas tabelës së performancës financiare rezulton që në vitin 2021 të ketë përmirësuar situatën e tij financiare. Pas dy viteve me humbje OST regjistroi një fitim prej 108 milionë lekësh apo më pak se 1 milionë euro.



















