“Çmendet” ministri Beqja, për 2016 lë pa buxhet 7 qendrat dhe spitalet e të sëmurëve mendorë

564
Ngarkesa e tenderëve dhe koncesioneve që zhvillon përditë, si dhe akuzat e përditshme që vazhdojnë t’i bëhen për korrupsion me miliona euro që i jep (ish)firmës së tij “INTECH+” nëpërmjet tenderëve që shpiken e bëhen qëllimisht për këtë firmë nga institucionet shtetërore, si dhe koncesionet e shumta në shërbimin shëndetësor po në miliona euro që u jepen klientëve, familjarëve e miqve të tij e të shtetarëve të lartë të “Rilindjes”, duket se kanë krijuar humbje ekuilibri mendor, ose siç e quan populli “lajthitje” në qëndrimet zyrtare të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja. Një informacion i një prej spitaleve të të sëmurëve mendorë, zbulon një “çmenduri” të ministrit Beqja, në barazinë dhe të drejtën ligjore e sociale për trajtimin shëndetësor ndaj tyre, duke mos i përfshirë në buxhetin e vitit 2016. Është fjala për Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 33, datë 20. 01. 2016 “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2016”. Ky vendim është marrë nga qeveria, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë dhe ka hyrë në fuqi në datën datë 20 janar 2016, ditën e botimit në “Fletoren Zyrtare” nr. 6, por me efekt veprimi që nga data 1 janar 2016. Sipas këtij vendimi, spitalet në rrethe e qytete dhe shërbimet mjekësore janë pjesë e financimit nga shtet, por jo të gjithë këto shërbime. Jashtë planifikimit në buxhetin financiar për vitit 2016 janë lënë spitalet e të sëmurëve mendorë dhe qendrat trajtimit e rehabilitimit të të sëmurëve mendorë, ose të atyre me aftësi të kufizuara në zhvillimin mendor, sikur këto të mos jenë… shërbime mjekësore! Duke nisur nga 1 janari 2016, me VKM e miratuar prej qeverisë, të menduar e të propozuar nga ministri Beqja, nuk do të financohen këtë qendra mjekësore e shëndeti mendor: Spitali Psikiatrik në Vlorë, Spitali Psikiatrik në Elbasan, Shërbimet e Shëndetit Mendor në të gjithë rrethet e vendit, Shërbimi i Psikiatrisë në Shkodër, Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve, Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit dhe Qendra Kombëtare Bio-mjekësore. Me këtë vendim qeverie, janë çuditur edhe vetë të… sëmurët mendor!
Sigal