Universiteti Mesdhetar/ Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri mbledhin të gjithë aktorët në Konferencën Ndërkombëtare në Tiranë

221
Sigal

Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri  dhe proceset demokratizuese

Universiteti Mesdhtar i Shqipërisë mbledh gjithë aktorët në Konferenca Ndërkombëtare

U zhvillua Konferenca Ndërkombëtare Shkencore “Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe proceset demokratizuese” e organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Të ftuar në këtë konferencë të nivelit të lartë, personalitete të shquara të shkencës, drejtësisë dhe politikës nga Shqipëria e rajoni. Në panelin kryesor morën pjesë: Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë së Shqipërisë, Artur Metani Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Albana Shtylla Kryetare e Kolegjit të Apelimit, Naureda Llagami Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Etilda Gjonaj, ish Ministre e Drejtësisë dhe deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Klotilda Bushka, Kryetare e Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Profesor Dimitris Christopoulos, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin Panteion në Athinë, Profesoreshë Tiziana Lauretti nga Universiteti i Tuscia-s Itali, Profesor Ksenofon Krisafi, Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, si dhe Profesor Adrian Civici Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Fjalën e hapjes në këtë konferencë e mbajti Akademik, Prof. Dr Anastas Angjeli i cili theksoi se reforma në drejtësi, vlerësohet si një nga reformat më të rëndësishme në interes të zhvillimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, e cila po sjell një impakt pozitiv në jetën e qytetarëve të vendit tonë.

“Nevoja për këtë reformë erdhi para së gjithash për shkak se qytetarët, për gjatë gati dy dekadave e gjysmë tranzicioni, në shumë raste janë përballur me një sërë shkeljesh dhe padrejtësish gjatë gjykimit të çështjeve të tyre në hallkat e sistemit gjyqësor”, -u shpreh Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nënvizoi veç të tjerash se sfida e vërtetë e drejtësisë është barazia reale e shtetasve para ligjit. “ Pandëshkueshmëria luftohet atëherë kur askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk është edhe poshtë tij. Për këtë të gjithë duhet të reflektojmë e të zhvillojmë përgjegjësitë që na takojnë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit duke falenderuar Universitetin Mesdhetar për organizimin e kësaj konference. “Tashmë kemi hyrë në 5-vjeçarin e dytë, atë të konsolidimit të sistemit të reformuar të drejtësisë.  Në këtë fazë të dytë, prioritet mbi prioritetet mbetet plotësimi i vakancave në organet e sistemit të drejtësisë, të krijuara prej vetingut rigoroz dhe të imtësishëm, duke pasur tani në fokus rekrutimin e magjistratëve të kualifikuar, sipas kritereve të mirëpërcaktuara në Kushtetutë dhe ligj. Kriteret për kualifikimin e aplikantëve janë konceptuar që në fillesat e reformës si të arritshme vetëm nga kandidatë të një profili serioz dhe të denjë për një sistem të riorganizuar të drejtësisë”, u shpreh Ministri. Kjo konferencë e cila zhvillohet në dy ditë, synon të analizojë  në thellësi procesin e reformës në drejtësi duke mos e trajtuar atë vetëm si një fenomen juridik, por si një produkt i kontekstit social në një periudhë të ridimensionimit tëmarrëdhënieve ndërkombëtare dhe kryesisht të dimensionit ekonomik dhe politik të tyre. Qëllimi i saj, është të trajtojë të dy proceset si të ndërlidhura dhe të theksoi rolin që reforma në drejtësi ka rëndësi në procesin e integrimit të vendit. Konferenca bashkon në një tryezë debati komunitetin akademik dhe kërkuesit e rinj si dhe politikanë të lartë të rajonit dhe kontribues direkt në reformën në drejtësi, për shkëmbimin e ideve dhe divulgimin e punës së tyre kërkimore shkencore në lidhje me tematikën kryesore të konferencës, por edhe të gjitha aspekteve të tjera të fushave ndër disiplinare si shkencave politike. marrëdhënieve ndërkombëtare, studimeve rajonale, shkencave ekonomike, studimeve historike, studimeve në fushën e të drejtës ndërkombëtare.

VETËM NJË SHOQËRI E SHËNDOSHË DEMOKRATIKISHT MUND TË PRODHOJË DREJTËSI TË SHËNDOSHË DEMOKRATIKISHT

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Z. Artur Metani mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Sfidat aktuale të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe proceset e demokratizimit”, organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë. Në fjalën e tij me temë “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore”, Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha se hapja e negiociatave të antarësimit është një sfidë historike për ne dhe përballë këtij synimi jemi të vetëdijshëm për nevojën që modeli ynë i shtetit të së drejtës duhet të jetë i krahasueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ndaj, reformën në drejtësi e kemi renditur si një prioritet kryesor, jo thjesht si një detyrim politik përpara Bashkimit Evropian, por më së shumti si një vlerë shoqërore e themelore për zhvillimin e Shqipërisë. “Prandaj, – tha Z. Metani, krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur është sfida kryesore e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, pasi është parakusht për sundimin e ligjit dhe thelbësor për funksionimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një nga sfidat kryesore të organeve të reja të sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet krijimi i një sistemi gjyqësor të pavarur. Synimi është reformimi i sistemit në atë menyrë që të funksionojnë mekanizma të qëndrueshme për spastrimin e sistemit nga elementet abuzues me ligjin dhe detyrën, por njëherësh edhe të garantojnë forcimin e mëtejshëm të pavarësisë dhe lirisë kushtetuese të sistemit gjyqësor, pasi pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave qëndron në themel të mirëfunksionimit ose jo të një shteti demokratik. Pavarësia është parakusht i sundimit të ligjit.” Duke bërë dallimin mes “pavarësisë de jure”, si ekzistenca formale e parashikimeve ligjore dhe “pavarësisë de facto”, e cila lidhet me zbatimin të tyre, Z. Metani tha se funksionimi në praktikë varet mes të tjerash edhe nga kultura gjyqësore e një vendi, besimi në legjitimimin e sistemit gjyqësor dhe përkushtim real ndaj këtij standardi. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk mund të garantohet, nëse nga ana e një shoqërie apo sistemi politik nuk ka vullnet për krijimin e një fryme stabiliteti dhe demokracie. Pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon përfundimisht një kontekst dhe mentalitet jo autoritar. Përfundimi se “Nuk ka pavarësi gjyqësore pa demokraci dhe nuk ka demokraci pa pavarësi gjyqësore” mund të jetë zhgënjyes në pamje të parë, por ky përfundim argumenton qartë, se demokracia dhe sundimi i ligjit janë të lidhura bashkë.” – tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë. “Për këtë, – vijoi Z. Metani, duhet ndërtuar besueshmëri dhe për ta ndërtuar atë besueshmëri, patjetër duhet siguruar një kulturë llogaridhënieje e sistemit të drejtësisë. Në demokraci drejtësia jepet në emër të qytetarëve. Besimi i publikut është i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe ky legjitimin kërkon angazhimin e magjistratëve për të ruajtur këtë besim. Prandaj vlen të theksohet se pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të shihet si një privilegj i magjistratëve, por si një e drejtë e qytetarëve.”- tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë në fjalën e tij.