UNESCO zgjeron listën e zonave të mbrojtura

77
Sigal

Agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara të mërkurën shtoi peisazhet me pllaka të Uellsit veriperëndimor dhe petrografet ruse në listën e Trashëgimisë Botërore. Me një vit vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit, UNESCO zgjeroi listën e zonave të mbrojtura me 33 objekte të reja.

Peisazhet me pllaka të Uellsit veriperëndimor dhe petrografet ruse janë mes 33 objekteve të reja të shtuara nga agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara në listën e Trashëgimisë Botërore, pas një mbledhje që u zhvillua ditën e mërkurë.

Ceremonia u zhvillua nëpërmjet internetit dhe u mbajt në qytetin juglindor të Kinës, Fuzhou, ndërsa vjen një vit me vonesë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Deklaroj të miratuar projektvendimin 44 COM 8B.47. Më lejoni të përgëzoj Mbretërinë e Bashkuar në emër të të gjithë komitetit për regjistrimin e kësaj prone në Listën e Trashëgimisë Botërore”, tha Tian Xuejun, kryetari i UNESCO-s.

Peisazhet me pllaka të Uellsit veriperëndimor përfshijnë 6 zona të ndara dhe janë formuar që nga Revolucioni Industrial, ku guroret dhe minierat kanë vazhduar të jenë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së kësaj zone.

“Kjo zonë ndërthur dramën e peizazhit natyror. Tregon ndikimin e madh që kanë pasur qeniet njerëzore edhe mbi të, veçanërisht gjatë epokës së guroreve në shekullin e 19 dhe fillimin e shekullit të 20. Ky ndikim është shumë i dukshëm këtu në veriperëndim të Uellsit. Dhe kjo është ajo që bindi UNESCO-n t’i japë statusin e Trashëgimisë Botërore kësaj pjese të veriut të Uellsit, që ju të shihni kombinimin e botës natyrore dhe botës njerëzore dhe mënyrën se si ata kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin”, tha Mark Drakeford, Ministri i Parë i Uellsit.

Petrografet janë gati 5 mijë vepra arti monumentale të jetës neolitike në brigjet dhe ishujt e Karelia në Rusinë veriperëndimore. Disa prej tyre datojnë 7 mijë vjet më parë.

Vende të tjera të vendosura në listën prestigjioze përfshijnë tempullin Ramappa në Indi, Parkun Kombëtar “Ivindo” në Gabon, hekurudhën Trans-iraniane dhe portikët (portico- shëtitoret e mbuluara) e Bolonjës në Itali.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nuk u takua vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19. Seanca e këtij viti shqyrtoi nominimet e paraqitura në komision për vitin 2020 dhe vitin 2021. /VOA