78-vjetori i Konferencës së Pezës, Presidenti Meta: Më aktuale se kurrë, të bashkohemi kundër bandës së oligarkëve, kanë uzurpuar institucionet

260
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka përcjellë sot mesazhe me rastin e 78-vjetorit të Konferencës së Pezës.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se ajo ngjarje është më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra.

Sipas presidentit është momenti për tu bashkuar “kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë”.

POSTIMI:

Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha!

Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar.

Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë.

Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë!