Shteti në shërbim elektoral të PS/ Posta Shqiptare dhe drejtori i UK Rrogozhinë detyrojnë punonjësit të plotësojnë formularin e votimeve

329
Sigal

Po përdor administratën për zgjedhje, punonjësve iu kërkohet numri i votave në familje

 Edhe Posta Shqiptare në Tiranë, ka aktivizuar punonjësit e vet, që të mbledhin sa më shumë firma, të cilat do të votojnë Partinë-Shtet në 25 prill 2021. Kështu, një punonjës i Postës Shqiptare në Tiranë, dëshmon se drejtuesit e tij e kanë detyrar që të dalë në lagjen e vet dhe të detyrojë çdo banor të njohur, që të firmosë  në një formular të gjitha të dhënat e  tij, të pjesëtarëve të familjes dhe “dëshirën” se në 25 prill 2021, do të votojë “Rilindjen”. Ndërkohë, PD-ja ka kallëzuar në prokurori drejtorin e Ujësjellësit në Rrogozhinë, Skënder Dedej, se po shantazhon  punonjësit për të plotësuar një formular ku iu kërkohet që të japin të dhënat e tyre personale, të numrit të votave që mundet të sigurojnë e po ashtu edhe qendrën e votimit. Po ashtu, PD akuzon Dedejn se ka shantazhuar punonjësit për të gjetur vota. Bashkëngjitur me deklaratën, selia blu ka dërguar dhe mesazhin e punonjësit të Ujësjellës -Kanalizimeve Rrogozhinë.  Denoncimi i PD-së:  “Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste prek edhe të gjitha institucionet në Rrogozhinë. Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Rrogozhinë, Skënder Dedej, shkel hapur ligjin dhe shantazhon punonjësit për plotësimin e një Formulari partiak të paligjshëm. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën. Partia Demokratike Rrogozhinë dënon këtë akt kriminal të Skënder Dedej dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim. Gjatë ditës së sotme (së djeshme) kemi përcjellë  të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të Kodit Penal. Partia Demokratike Rrogozhinë, garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshëm, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale, nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Më poshtë denoncimi i punonjësit të UKRR, që ka përcjellë provat mbi këtë rast të shkeljes hapur të ligjit: “Jam një punonjës i Ujësjellës- Kanalizime Rrogozhinë dhe doja t’ju vija në dijeni se drejtori ynë Skënder Dedej, po na kërkon nga 10 deri 50 emra nga fisi jonë për t’i marrë kartat e identitetit e numrat e telefonit për numër, për zgjedhjet e prillit. Ne jemi punëtorë të thjeshtë me rrogë 220 mijë lekë.”