U plagos me plumb në bark, ndërron jetë në spital 55-vjeçari nga Fushë-Kruja

126
Sigal

Sherri për drutë e zjarrit në një zonë të pyllëzuar në fshatin Zgërdhesh të Krujës i kanë kushtuar jetën 55-vjeçarit Luan Hushi.

Sipas policisë Hushi ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës për shkak të plagëve që ka marrë në pjesën e barkut si pasojë e të shtënave.

Hushi u përfshi në një konflikt me bashkëfshatarin e tij Klodian Keqi gjatë paradites së të mërkurës.

Pas debatit ky i fundit dyshohet se nxori armën tip kallashnikov duke qëlluar në drejtim të 55-vjeçarit.

Për pasojë ai mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar mjekësore por nuk mundi të mbijetojë.

Tashmë policia ka nisur kërkimet për të bërë të mundur kapjen e autorit i cili është larguar nga vendi i ngjarjes.

Për të zbuluar vendndodhjen e tij policia ka ngritur edhe dronin shumë pranë zonës ku ndodhi ngjarja, kjo pasi dyshimet janë se ai fshihet në zonën e pyllëzuar.