Ilmi  S.Qazimi: Juristë, shtetarë dhe qofte në zgarë

198
Sigal

                           -rrëfim i jetuar-

Në trotuarin tërë zhurmë pazaresh, tym, makinash, karrocash, vapë e rrëmèt të Shkodrës, mrekullinë freskuese më të mirë të çastit e jep ‘paketa’  me dy qofte, një panine e një kanaçe birrë. Në një ditë të tillë, qofteshitësi vuri re se si karrocës lëvizëse të tij po i afroheshin tre burra me nga njërën dorë në xhep e çanta zyrtare nën sqetullën tjetër. Nga pamja duken se nuk i kanë më tej se tridhjet vjeç mbi supe. Flokët e ashpra i kanë krehur lart e lyer me llak. Kanë veshur kostume blu të çelët. Njëri syresh mban gravatë në këmishën e bardhë dhe dy të tjerët kanë veshur këmishë të bardhë me jakë blu e pa kollare. Qëndrojnë rreth ‘banakut’ të ‘dugait’, i cili  me tym-aromën e qofteve sundon tregun zhurmshëm amorf të udhëkryqit, duke vështruar ethshëm herë qoftet në zgarë e herë qoftexhiun. Dhe pa rradhë, fillojnë të pyesin pa pritur përgjigje: -Thonë se i ke qoftet me mish të mirë viçi, apo jo? -Po birra mban ti? -Heej, qenka edhe me bluzë të bardhë ky? Njëri prej kostumbluve zgjati dorën drejt zgarës, me gjasa për të kapur e provuar qoften, por shpejt e tërhoqi mbrapsht se masha e nxehtë e qoftexhiut si padashje e ceku pakëz tek gishti. Ish-koloneli, i hedhur në rrugë nga reforma demokratike ushtarake, tashmë qofteshitës,pa ua vënë veshin aspak këtyre pyetjeve, i mati me shikimin e parë se çfarë profesioni mund të kishin ata kokoroshë dhe pa i shikuar në sy shqiptoi fjalët standart: ”Urdhëroni zotërinj, nga sa qofte dëshironi për shoq?” Njëri tha: ”Na bëj nga tre qofte dhe nga një kanaçe birrë”.Tjetri pyeti sërish, por paksa me ton rëndues:”Nga je ti?” Qofteshitësi e dinte mirë se kjo është pyetja më tipike e shqiptarit, me të cilën ai nis zënien e miqësisë apo armiqësinë me të porsatakuarin, ndaj nuk ia vari fare. I treti vendosi çantën në cep të banakut dhe ua nguli sytë qofteve duke lëpirë buzët ende pa i provuar. Sakaq qofteshitësi vuri mbi banak para secilit pjatat, qoftet, paninet, kanaçet e birrës, pirunët me peceta dhe thikat. Duke lëvizur të dy duart ai vuri mbi banak edhe dy kuti të vogla me erza, kriporen dhe kutizën e kunjave për pastrim dhëmbësh. -Nga mënyra se si flet, dukesh që nuk je vendali,- tha njeri duke u mbllaçitur. Pse nuk tregon nga je? Qofteshitësi ia priti pa ngritur sytë, por duke vendosur qofte të reja e duke rrotulluar shkathët ato në zgarë: -Unë jam nga Shqipëria! -Që je nga Shqipëria e morëm vesh, po nga cili vend je, na i trego!-Ju lutem, a kini ardhur këtu për biografinë time apo për të shijuar qoftet më të mira në qytet? Ata përtypeshnin si të babëzitur qoftet e nxehta duke e freskuar e ftohur gojën me birrë. Për pak sekonda nuk foli kush dhe veshi kapte vetëm përtypjen e mbytur të qofteve, bukës mafishe të bardhë dhe gëërr-gërr-llëketë e kapërximit të birrës nëpër gurmaze. Pjatat u boshatisën sakaq dhe njeri riporositi:-Edhe një herë si këto! “Si urdhëroni! …Urdhëroni ju zotëri; ja edhe ju…zotni. Urdhëroni edhe birrat…”- Ku ke punuar më parë ti?- ishte pyetja që lëshoi ai që kish shpotitur për bluzën e bardhë. “Kam qenë ambasador”-tha gjithë seriozitet qofteshitësi duke mos e ngritur kokën, por duke manovruar me mashë dy rradhët e qofteve të ngrohta mbi zgarë. Të tre, duke vështruar njeri-tjetrin, shqyen sytë, por nga që kishin gojën plot, vetëm ai i cepit mundi të pyeste: “Ku?”- “Në Tanzani!”,- qe përgjigja e menjëhershme befasuese e shitësit të qofteve. “Si ka mundësi që nga ambasador erdhe qoftexhi këtu? Pse nuk qëndrove andej që të bëje qejf!? -Ju zotni, nuk e dini mirë se ku bëhet jeta! Ku ka si Shqipëria, si vendi ku ke parë diellin për herë të parë?…- Dhe vijoi qofteshitësi gjithë kompetencë: -Atje, ishin bananet siç kemi ne ferrat! Atje…-vazhdoi ligjëratën-, njerëzit punonin, lodheshin, martoheshin pa e ditur se me kë, atje… dhe duke pastruar me pecetën prej bezeje të bardhë boshllëqet e banakut midis pjatave të klientëve u hodhi nga një vështrim mëshirues të treve. -Nuk e besoj se ke qenë ambasador!-brofi njëri. Qofteshitësi i dha fytyrës një pamje tepër serioze dhe ia ktheu:-Unë zëvendësova (dhe u tregoi emrin real të ambasadorit, shok shkolle i tij, që kish qenë në atë shtet të Afrikës disa vite më parë), i cili më la porosi që të mos e ndërroja shoferin se ai që ishte aktualisht ( dhe këtu tregoi emrin real të shoferit) qe tepër i përgatitur dhe nuk të linte kurrë në baltë, mbasi dinte mirë makinën, gjuhën frënge dhe huqet e popullatës… Ata, kostumeblunjtë shtetarë, dëgjonin të habitur dhe ngaqë nuk dinin se çfarë të pyesnin më, duke kruajtur dhëmbët, u panë sy më sy dhe ai me gravatë ia patI:-A marrim edhe nga një?!” Dy të tjerët u stepën, por e miratuan. Kur beftas ai i mesit drejtoi ashpër pyetjen: -Ore, pse erdhe këtu ti? -Përsërite porosinë! u duk sikur klithi ai tjetri, gravatmbajtësi. Me shpejtësi furtune, pa folur, qoftexhiu ua vendosi qoftet dhe takëmet e tjera mbi banak. Ata tashmë pakëz më me ngadalë rifilluan me urime e trokitje kanaçesh dhe dukej se u rrihte në tru si ka mundësi që ky paloqoftexhi të ketë qenë ambasador. Kish kaluar afër gjysmë ore kohë duke ngrënë e bashkëbiseduar. Ju,grisi perden e qetësisë qofteshitësi: Edhe pse punoni në shtet, nuk e kuptoni dot se sa e bukur është Shqipëria! Ju nuk kini qenë jashtë shtetit pasi kini vajtur vetëm deri tek Plepat në Durrës…Pa më thoni mua?… Por nuk e mbaroi fjalinë, sepse ndërkohë buzë trotuarit ndaloi një “Landrover” nga ku doli dikush që dukej se ishte shoferi, i cili foli me ngut:”Shef-o, hajdeni se filloi mbledhja!” Dy prej tyre mbushën bulçitë, rrëkëllyen birrat dhe çapitën drejt makinës, por qofteshitësi u bërtiti: “Paratë zotëri!” I treti nxori i pari lekët, dy të tjerët u kthyen, paguan, pa lënë bakshish, pa thënë as ‘mirupafshim’ dhe u ngjeshën në makinën e shtetit si qoftet në zgarë… Ishte korriku tepër i nxehtë i vitit 1998, që vazhdon edhe në vitin 2022…me rrjepje të panumurta anekënd atdheut që zagarët e kanë shtrirë si qofte në zgarë…