U kap me 3 kg kanabis në makinë, arrestohet 33-vjeçari

33
Sigal

Policia e Sarandës ka vënë në pranga ditën e sotme 33-vjeçarin me iniciale A.I.

I riu u kap në flagrancë teksa transportonte lëndë narkotike. Mësohet se policia përveç arrestimit të 33-vjeçarit ka sekuestruar edhe një automjet me të cilën transportonte lëndën narkotike.

Arrestimi i 33-vjeçarit nga fshati Markat i Konispolit ka ardhur në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”. I riu u kap teksa transportonte me makinën e tij një sasi prej 3 kilogramësh kanabis sativa.

Njoftimi i Policisë:

Sarandë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Transportonte me automjet lëndë narkotike cannabis sativa, me qëllim shitjen, vihet në pranga 33-vjeçari.Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike dhe automjeti me të cilin po transportohej kjo lëndë. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas po transportonte një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me qëllim shitjen e saj, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit: A. I., 33 vjeç, banues në fshatin Markat, Konispol.Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte 33-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 3 kilogram. Nga veprimet hetimore dyshohet se lënda narkotike po transportohej me qëllim shitjen.  Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin po transportohej.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në të. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të metejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.