1.64 milionë shqiptarë në 2019 jetuan jashtë vendit, 5 janë shkaqet e largimit

351
Sigal

Me 3.6% është rritur numri i diasporës shqiptare në vitin e kaluar. E përkthyer në shifra sipas INSTAT në vitin e kaluar ishin mbi 1.64 milionë shqiptar që jetonin në shtete të huaja. Ndërkohë sipas Peoplemov.in vetëm në Greqi e Itali jetojnë rreth 1.2 milionë shqiptar.

Në strategjinë Kombëtare të Diasporës Shqiptare 2021-2025 të miratuar nga Këshilli i Ministrave vihet re se vendi braktiset më shumë nga grupmosha 10-40 vjeç, pasi janë rreth 349 mijë shqiptar që i përkasin kësaj kategorie. Sipas kësaj strategjie 83.7% e të larguarve është për shkaqe punësimi, pasuar nga bashkimet familjare me 9% dhe studimi në vend të tretë me 5%.

Përveç faktorit ekonomik i cili është cilësuar gjithmonë si shkak për largimet, në dokument thuhet se trazirat në vend dhe siguria e ulët publike janë motive që kanë larguar nga vendi një numër të konsiderueshëm të kualifikuar nga vendi. Po ashtu ndikim ka edhe mungesa e besimit te qytetarëve tek institucionet në vend si dhe largimet për shkak të traditës së “gjakmarrjes”.

Në planin e hartuar nga qeveria thuhet se do të aplikohet kthimi vullnetar i emigrantëve të kualifikuar. Strategjia Kombëtare e Diasporës 2021-2025 do të nxisë përfaqësuesit e brezit të ri të talentuar jashtë vendit të tërhiqen drejt një karriere profesionale në vend. Diaspora sjell në vend vlera të larta financiare. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, remitancat u rritën sërish në vitet 2018-2019, duke shënuar vlerën 1.455 milion dollarë në vitin e fundit.