U fundos nga përgjimi, SPAK dërgon për gjykim kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës!

51
Sigal

Prokuroria e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit ka mbyllur hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës Edison Memolla dhe tre të pandehurit e tjerë Ndriçim Tafxhafa, Blerin Xhamani dhe Isuf Tosku. Në njoftimin e shpërndarë për shtyp nga SPAK kuptohet se dosja e Memollës që akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje, ka kaluar për gjykim. Në njoftimin e SPAK thuhet ndër të tjera: “Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është  provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës. I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor. Procedimi penal ndaj tyre nisi pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.