Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i dhuron “Çelësin e Qytetit” studiuesit dhe autorit britanik

60
Sigal

Të enjten, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dhuroi “Çelësin e Qytetit” studiuesit dhe autorit britanik Timothy Garton Ash. Studiuesi dhe shkrimtari Timothy Garton Ash ndodhet në Tiranë për të prezantuar librin e tij “Vendet e mia”. Në një aktivitet të mbajtur për këtë rast, në fjalën e tij Veliaj tha se “është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në qytetin tonë një historian të madh dhe një aktivist të shquar si Timothy Garton Ash, i cili jo vetëm përfaqëson më të mirën e Britanisë së Madhe, por edhe më të mirën e botës perëndimore dhe aktivizimit të tij që në vitet ’70, kur ai ka vizituar Shqipërinë, në luftën për të emancipuar dhe hapur shoqëritë pas rënies së komunizmit”. “Jam shumë i lumtur që je kthyer në vitet ‘90 dhe më në fund po viziton Tiranën e vitit 2023. Ky qytet ky vend ka gjithmonë nevojë për mendje të kthjellëta edhe për të pasuruar veten me historinë e të tjerëve, e ndoshta për të mos përsëritur gabimet e të tjerëve. Si historian, si mik dhe si aktivist i shquar, dua që ta ndjesh këtë qytet si qytetin tënd. Faleminderit për kontributin dhe për frymëzimin”,- tha Veliaj. Historiani Timothy Garton Ash tha se ndihet vërtet i mirëpritur në Tiranën, që e gjeti totalisht të transformuar dhe që është kthyer në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët në Evropë.- “Në Tiranë kam ardhur për herë të parë në vitin 1978. Asokohe ishte një qytet shumë i ndryshëm, pa vendet tërheqëse fantastike që ka tani. Mendoj se mund ta themi pa mëdyshje që nuk ishte ‘cool’ në atë kohë, dhe ja ku jemi 45 vite më vonë, e tani falë jush dhe kolegëve tuaj, është një qytet i transformuar, duke u kthyer në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët në Europë. Kjo tregon se mrekullitë mund të ndodhin”,- tha britaniku i njohur i cili është profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Oksfordit, studiues dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover, Universiteti i Stanfordit dhe gjithashtu analist i rregullt i çështjeve ndërkombëtare në të përditshmen britanike, “The Guardian”. Timothy Garton Ash është njëherësh autor i 11 librave, të cilët fokusohen te transformimi i Evropës gjatë gjysmëshekullit të fundit.