Naxhi Kasoruho: Dhora Leka, kompozitorja e jashtëzakonshme e këngëve partizane

69
Sigal

Homazh në 100 vjetorin e lindjes

-Impresione-

Nga Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”

Në muajt shtator- tetor- nëntor të vitit 1944 brigadat e lavdishme partizane zbritën nga malet me moralin e lartë patriotik, shpirtin e sakrificës ditë pas dite çliruan qytetet dhe krahinat e vendit deri më 29 Nëntor ku çliruan dhe qytetin e fundit Shkodrën nga pushtuesit nazifashistë duke çliruar kështu gjithë Shqipërinë. Në këtë shpirt luftarak, liridashës, patriotik dhe të sakrificës sublime tek partizanët tanë ndikuan edhe këngët partizane që i këndonin pas betejave fitimtare, të cilat i kishte kompozuar luftëtarja trime, muzikantja e jashtëzakonshme dhe unikale e paharruara Dhora Leka. Në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të lindjes ne përulemi me respekt të veçantë, mirënjohje për gjithçka që ajo ka lënë në trashëgiminë e kulturës tonë kombëtare. Ishte fillim shtatori i vitit 1957 kur u aktivizova si klarinetist në orkestrën e Estradës Profesioniste të Gjirokastrës ku për herë të parë muzikantët e mirënjohur të qytetit në atë kohë: Tolo Njocka dhe Selami Mamani më treguan për kompozitoren Dhora Leka, që kishte punuar për një vit si muzikante bashkë me të në shtëpinë e kulturës të qytetit të Gjirokastrës. Një vit më parë në verën e vitit 1956 në Konferencën e Partisë të rrethit të Tiranës udhëheqja e lartë e partisë mori disa masa ndëshkimore për disa intelektualë të njohur si devijatorë të vijës së Partisë duke i larguar ata nga Tirana në internime e burgosje si armiq të popullit e Partisë. Midis tyre edhe kompozitoren e njohur Dhora Leka në atë kohë Sekretare e Përgjithshme e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u internua në Gjirokastër. Për vlerat e saj si muzikante dhe intelektuale si dhe ndihmesën që ajo dha në aktivitetet e ndryshme në qytet për ato pak muaj që qëndroi aty Tolua dhe Selami më flisnin me konsideratë të lartë dhe mirënjohje. Dhora Leka më tregonin ata i ndihmoi shumë si në njohuritë muzikore të solfezhit e harmonisë dhe të kompozicionit të këngëve dhe pjesëve të vogla muzkore.

Ata ishin muzikantë autorë, por që me kalimin e viteve u bënë muzikantë me vlerë në vepritaritë e ndryshme artistike ku Tolo Njocka do të ishte për dekada dirigjent i Bandës Muzikore të qytetit dhe Selam Mamani fizarmoniçist dhe dirigjent i orkestrës së Estradës  Profesioniste.

Nga bashkëpunimi me kompozitoren Dhora Leka ata do të mësonin shumë për artin muzikor dhe do të bëheshin kompozitorët e parë në Gjirokastër ku këngët e tyre do të mirëpriteshin nga publiku artdashës. Këto më tregon Tolo e Selmani për Dhora Lekën në atë fillim vjeshte të vitit 1957.

Por Dhora Lekën nuk e lanë shumë në Gjirokastër! Pas një viti artisten e burgosin. Nga kjo kohë emri i saj ishte herezi ta përmendje. Ajo u fshi nga të gjitha shkrimet dhe çfarë ishte thënë në emisionet e Radio-Tiranës e kudo. Heqja e emrit të saj, identiteti dhe gjithë krijimtaria muzikore u censurua dhe ndërkohë që në gjithë përvjetorët e krijimit të brigadave partizane, në ceremonitë festive të çlirimit të qyteteve e krahinave, në koncerte lokale e deri në koncertet e Teatrit të Operas e Baletit dhe Ansamblit Artistik të Ushtrisë dhe koncertet qeveritare. Por emri i kompozitores Dhora Leka nuk përmendej megjithëse ajo ishte autorja e tyre. Çfarë ishte kjo hipokrizi dhe paradoks ku autores i mohohej vepra dhe autorësia ‘cuo vadis’?! Kur isha student në Konservatorin e Tiranës në fillim të viteve 60-të asnjëherë nuk e kam dëgjuar të përmendet emri i kompozitores Dhora Leka si e vetmja krijuese në zjarrin e luftës të këngëve partizane. Jo vetëm në leksione të historisë së muzikës shqiptare, por edhe në kohën e provave të koncerteve ku përgatiteshin këngët e saj emri nuk përmendej. Madje edhe në partiturat muzikore shënohej titulli i këngës dhe në vendin e autores shkruhej “Këngë partizane”. Po vendos këtu disa nga këngët partizane të kompozuara nga Dhora Leka:

Britma e çlirimit

Që nga gjokset djaloshare/, Del kushtrimi shqipëtar/. Ngrihen grushte hapen varre,/ Për fashizmin gjakatar.

Kushtrimi i lirisë

Qielli dhe toka gjëmojnë,/ Deti tallaz buçet./ Male dhe fusha ushtojnë,/ Zëri kushtrimit thërret.

Liri! Liri!

Dhe këngët: “Ato maja rripa rripa”, “Marshi i Brigadës së Parë Sulmuese”, “Hymni i ushtrisë“, Rini, rini”, “Hakmarrje rini”, “ Dëshmori thërret”, etj.

Ndonëse në Tiranë, emri dhe krijimtaria e Dhorës ishte i ndaluar të flitej dhe transmetoheshin, vazhdimisht 10 këngë partizane të kompozuara nga ajo që ishin inçizuar aty nga Ansambli i Ushtrisë me dirigjentin e mirënjohur Gaqo Avrazi. Dhe ja vjen viti 1990 që sjell përmbysjen e komunizmit dhe nis një epokë e re e pluralizmit demokratik. Dhe kjo pranverë e re vjen e mbarë edhe për kompozitoren Dhora Leka  duke i dhënë fund peripecive dhe përndjekjeve të saj në dekadat e një jete të vështirë dhe denigrimin e personalitetit intelektual, artistik dhe njerëzor.

Kur e pashë Dhora Lekën së bashku me simbolin e këngës shqiptare të madhen e të paharueshmen Vaçe Zela në sallën e koncerteve në Pallatin e Kongreseve si dy mbretëresha fisnike artiste simbol dhe gra heroina, ndjeva emocion dhe respekt që Dhora Leka u kthye në panteonin e artit aty ku e ka vendin që meriton. Për vite me radhë e kam ndjekur krijimtarinë dhe aktivitetin e saj me respekt dhe vlerësim të lartë duke menduar gjithmonë se si e përballoi gjithë atë ndëshkim të pamerituar si një grua stoike e papërkulur, fisnike dhe jo hakmarrëse. Dhora Leka pas vitit 1990 ju kthye jetës normale, ndryshe nga ajo kohë internimesh të tejzgjatura, por si e përndjekur politike, i qe mohuar krijimtaria artistike. Ajo nuk vrapoi si shumë bashkëvuajtës të saj për të përfituar e për t’u bërë deputete a ministre që e meritonte tërësisht.

Por jo!

Kjo intelektuale dhe artiste e madhe krijoi fondacionin me emrin e saj “Dhora Leka” për të ndihmuar talentet e reja duke i ndihmuar ata me mbështetje me dhënie bursash studimi e literaturë artistike. Kështu në distancë e jo në takime direkte e kam njohur kompozitoren duke e vlerësuar maksimalisht dhe adhuruar me gjithë ndjesinë time për qëndrimet e saj stoike dhe përballimin e ndëshkimit politik si dhe për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në këngën partizane.

Dhe ja vjen janari i vitit 2000 kur do të jemi pranë kompozitores Dhora Leka në një takim solemn në ceremoninë e dhënies së titullit: “”Qytetare Nderi e Gjirokastrës” dhënë nga Bashkia e qytetit. Kryetari i Bashkisë në atë kohë zoti Ylli Asllani, gjirokastriti fisnik e mori vetë këtë iniciativë duke vlerësuar kontriburin e Dhora Lekës i dha këtë titull pas 64 vitesh kur ajo erdhi në qytetin e Gjirokastrës si e internuar. Në këtë takim unë pata fatin të luaja një romancë për klarinetë dhe piano të shoqëruar në piano nga “Mjeshtri i Madh” Robert Radoja. Ishte një moment shumë emocional dhe mbresëlënës kur po luaja këtë pjesë dhe kompozitorja ishte në sallë. Këto impresione ndjeva kur u ula të shkruaja për këtë figurë emblematike të muzikës shqiptare dhe simbol të gruas për të përballuar gjithë persekutimin e pamerituar. Në këtë moment homazh në 100 vjetorin e lindjes së kompozitores të jashtëzakonshme të këngës shqiptare, përulem me veneracion dhe mirënjohje të pakufishme për gjithçka zonja Dhora Leka ka bërë për kulturën tonë kombëtare.

U prefsh në paqe e paharruara zonja Dhora Leka.