Shtyhet për në 4 nëntor Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste

62
Sigal

Ndonëse pritej të mbahej në fundin e muajit tetor, Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste mund të mbahet në javën e parë të muajit nëntor 2023. Burimet mediatike thanë se data 4 nëntor duket si data më e përshtatshme për mbajtjen e këtij kongresi. Kongresi i Jashtëzakonshëm u thirr si pasojë e ndryshimeve të zhvilluara në muajin shtator brenda socailistëve, që qeverisin prej një dekade. Në muajin shtator Partia Socialiste ndryshoi sekretariatet kryesore të saj, ndërsa më herët Kryeministri i vendit njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste mblodhi asamblenë ku pranoi disa ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Ndonëse vera e 2023 ishte e nxehtë për PS pasi shumë emra të saj ranë si pjesë e hetimeve të SPAK për çështje të ndryshme, Rama i argumentoi nevojat për ndryshime në qeverisje dhe PS, me arsyen se nevojitet energji e re e qeverisjes. Përtej ndryshimeve në kabinetin qeveritar u kryen ndryshime edhe në disa struktura sekretariatesh të Partisë. Evis Kushi u zgjodh në krye të Sekretariatit të Gruas, Etjen Xhafaj në krye të Sekretariatit Digjital e të Rinisë, Ardian Çela u zgjodh në krye të Sekretariatit Organizativ, Eduard Ndreca në krye të Sekretariatit të Burimeve Njerëzore, Milva Ikonomi si sekretare e programit, Romina Kuko si sekretare për marrëdhëniet me jashtë, Eridian Salianji sekretar për çështjet zgjedhore. Arsyeja se përse Kongresi i Jashtëzakonshëm do të shtyhet për në datën 4 nëntor 2023 mund të lidhet me vijimin e takimeve në qytetet e Shqipërisë nga ana e socialistëve dhe kryerja e analizave të ndryshme lokale.