“U çmendëm, shtëpia ime ka mbaruar!”- Banorët e Ferrasit rikthehen në banesë pas përmbytjes: Shyqyr që doli dielli të ngrohemi, po natën si do ia bëjmë

235
Sigal

Situata e përmbytjeve në fshatin Ferras të Fierit duket sikur është normalizuar ditën e sotme, pas pushimit të reshjeve të shiut dhe tërheqjes së lumit. Por gjendja mbetet tepër e vështirë për banorët e evakuuar të cilët rikthehen në banesën e tyre.

Në një prononcim për media ata shprehen mirënjohës që doli dielli, por theksojnë se problematike mbetet darka, pasi çdo gjë është e lagur dhe nuk kanë ku të flenë.

“Problemet më të mëdha janë tanë pas lumit. Ka nga dy vjet që s’ka dalë lumi. Siç erdhi dje u çmendëm, gruan e kam me diabet, i vajti 300-350. Dje fjetëm në makinë lart.

Nuk jam në gjendje të flas shumë, këto shtëpitë e mia ikën mbaruan. Se çdo vit që vjen lumi ato shkatërrohen. Kur mblidhet një sëmundje mblidhen të tëra, edhe me rematizëm është gruaja ime,

I bëj thirrje kush e dëgjon, qeveria se ne te ajo mbështetemi, ose dhe bizneset të na ndihmojmë. Ne nuk kemi ku flemë. Kemi dalë ngremë dorën dhe shyqyr që doli dielli sot dhe do ngrohemi në diell.

Më e keqja është darka, ku do vemi? Do thoni keni të afërm, po secili ka hallet e tij. Ne fëmijët i kemi të larguar, gjithkush punon për vete, s’mund të na ndihmojnë dot kanë fëmijët e tyre kanë hallet e tyre, nuk na ndihmojnë dot. Unë s’di çtë bëj gruan e kam të sëmurë”, tha një banor.

Një tjetër banor u shpreh se përmbytjet i kanë shkaktuar prishjen e të gjitha elektroshtëpiakeve dhe ata nuk kanë qoftë edhe një dyshek të thatë ku të flenë.

“Të gjitha orenditë, ja uji një metër e gjysmë brenda. Sa do i ngresh ku do i çosh. Na thanë që do vijnë ti shikojnë. S’kemi ku rrimë, s’kemi ku flemë, s’kemi dyshek të vendosim poshtë. Çdo gjë është ujë.

Nuk dimë se ç’a do bëhet. Kemi ndenjur nëpër njerëz nëpër gjiton, një këtu një atje. Shikoje lavatriçen, çdo gjë noton në ujë, shikoje frigoriferin aty. E kemi shumë të vështirë”, tha Banori.