Ministrja e Drejtësisë së Kosovës/ Haxhiu: Asosacionit e ka firmosur në 2013 Thaçi dhe Daçiç. Ata që e votuan dhe sot e kritikojnë të kërkojnë falje

76
Sigal

Në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, rikujtoi edhe njëherë marrëveshjen e arritur në 19 prill 2013 për Themelimin e Asosacionit që u nënshkrua asokohe mes ish-kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Sipas saj, 10 vite më parë marrëveshja u ishte prezantuar në Kuvendin e Kosovës si një marrëveshje që sillte integrimin euro-atlantike, evropiane, përshpejtim të liberalizimit të vizave si dhe shuarje të strukturave paralele serbe. “Marrëveshja vetëm në titull e kishte normalizimin pasi në qendër e në përmbajtje e kishte themelimin e Asociacionit një-etnik të komunave me shumicë Serbe. 6 nenet e para të kësaj marrëveshjeje ishin vetëm për Asociacionin/Zajednicën i cili përmendej gjithsej 9 herë në 15 nene.” Më tej ajo tha se Asociacioni ishte një trashëgimi e keqe, e cila po trajtohet me një marrëveshje të re e cila në qendër ka njohje de facto reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas ministres, të gjithë ata të cilët e votuan këtë marrëveshje dhe e kritikojnë sot, së pari duhet të pendohen dhe të kërkojnë falje. “E patëm kundërshtuar fort nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin/Zajednicën e më pas sjelljen për votim në Kuvend dhe u munduam shumë që ta ndalim votimin e saj, por aq mund të bënim nga ulëset e opozitës… Disa nga emrat që e kanë votuar Asociacionin/Zajednicën para 10 viteve e kritikojnë atë sot, por do të ishte mirë që kritikës t’i paraprijë pendimi e kërkim falja” – tha Albulena Haxhiu.