Spitali i Peqinit në kushte skandaloze, s’ka ilaçe, aparatura e mjek të specializuar

726
Sigal

VËZHGIM/ Pacientët ankohen se nuk ofrohen shërbimet më minimale mjekësore, nuk ka ambulancë e dhoma në urgjencë

Rrethi i Peqinit bën pjesë në Qarkun e Elbasanit me një popullsi prej 36.897 banorë, ku vetëm qyteti ka rreth 7200 banorë dhe një pjesë e kësaj popullsie pothuajse shërbimet mjekësore duhet t’i marrë në Spitalin e Peqinit, një spital, i cili vitet e fundit e ka humbur funksionin e tij human. Në këtë spital mungojnë shumë medikamente mjekësore dhe banorët shpesh herë ju drejtohen spitaleve rajonale ose udhëtojnë drejt Tiranës. Sipas një vëzhgimi në këtë spital mungon pjesa më e madhe e medikamenteve dhe e vetmja gjë që mundet të gjesh mund të jetë ndonjë paracetamol dhe ndonjë serum. Gjithashtu, situata rëndohet, edhe më tepër, sepse aty mungon dhe shërbimi shëndetësor për t’u shërbyer pacientëve, madje, edhe mungesa e oksigjenit për të sëmurët është kthyer në problem madhor. Ky spital nuk ka një ambulancë me standardet e nevojshme dhe me kushtet më minimale për të transportuar të sëmurët, nuk ka një dhomë për të plagosurit që shkojnë në urgjencë, me ndriçim dhe kushtet që i duhen asaj dhome, për t’i shërbyer të sëmurëve (ka shumë raste që ky aks ka dhe mjaft aksidente dhe përballen me kushte skandaloze, aty edhe ndihma e parë jepet më vështirësi). Gjithashtu, burime konfidenciale për “Telegraf”, bëjnë të ditur se, mungon aparati për fëmijët e sapolindur, mungon klizma, nuk ka aparat EKG, nuk ka një gjenerator që në rast rreziku për fikjen e dritave të merren masa që në spital të mos mungoi energjia, gjithashtu, në këtë spital mungojnë dhe mjekët specialistë.

Banorët

Ata, të cilët e vuajnë mungesën e shërbimit shëndetësor në këtë qytet janë banorët, të cilët herë pas here udhëtojnë për në spitalet rajonale më të afërta për të bërë qoftë edhe një vizitë nga mjekët specialistë, sepse edhe këta mungojnë së Spitalin e Peqinit. Të pyetur për shtrimet në spital banorët thonë se aty shkojnë vetëm sa marrin ndonjë mjekim të lehtë, bëjnë ndonjë serum dhe më pas ju drejtohen spitaleve rajonale ose shkojnë në shtëpi, sepse për t’u shtuar është e kotë, kur nuk marrin shërbimin e kërkuar. Gjithashtu, sipas burimeve jo zyrtare bëhet e ditur se ka persona, të cilët marrin rrogën dhe nuk e dinë se ku e kanë vendin e punës, vetëm sa firmosin. Me të gjitha këto që pasqyruam duket qartë që Spitali i rrethit të Peqinit është në kushte skandaloze dhe funksionon si në rendin primitiv. Banorët në shumë raste drejtohen në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.