Si mashtroi ministria qytetarët me analizat e gripit të pulave

283

Monstrat duheshin çuar në 1 nga 3 laboratorët qendror veterinar-ushqimor në Itali, të cilët e nxjerrin rezultatin jo më parë se 3 muaj, prandaj afati tekniko-ligjor i karantinës së pularive, është përcaktuar 3 muaj mbyllje e ndalim prodhimi dhe shitje, por në Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan fermat janë hapur, pulat e sëmura nuk janë asgjësuar dhe tregu vazhdon të mbushet me mish e vezë të infektuara

Sigal

 

Për të fshehur shpërthimin masiv të gripit të pulave, në shërbim të imazhit të saj si ministre e si qeveri, që nuk ka infrastrukturë veterinare parandaluese, Frida Krifca urdhëroi të mos bëhej publik, deri sa e vërteta u publikua nga mediat. Ndërsa për të favorizuar pronarët e pularive dhe tregtarët, që shitën afro 600 mijë pula të infektuara, ajo mashtroi duke thënë se janë groposur, kur në fakt nuk ka asnjë transparencë për këtë proces. Sikur të mos mjaftonin këto, ministresha Krifca, urdhëroi dhe vartësit në ministri, shefat e Institutit të Sigurisë Ushqimore-Veterinare (ISUV) dhe drejtorët në Durrës, Korçë, Fier, Tiranë, Elbasan, Dibër, Vlorë etj, që të mashtronin për analizat e pulave. Për pulat e ngordhura, për pulat e mbetura gjallë dhe për vezët me infeksion, u tha se Instituti i Sigurisë Ushqimore-Veterinare (ISUV) është “Laborator Reference” dhe ka bërë analizat e plota e të sakta, duke zbatuar standardet e BE. Mirëpo ky është mashtrim, mbasi ISUV nuk është “Laborator Reference”, por “Laborator Bazë” në shkallë vendi, i cili bën vetëm testin fillestar, për të parë nëse ka prekje epidemike në kafshë, shpendë dhe ushqime me burim bimor e shtazor. Ky institut laboratorik, mund të bëjë konstatimin e gripit të shpendëve referuar simptomave patologjike me sy, por nuk mund të konstatojë, nëse mishi dhe vezët e pulave të sëmura kanë apo jo efekt dëmtues te njerëzit. Mirëpo laboratori në fjalë, nuk ka teknologji e ekspertë, për analizim të sëmundjeve e efekteve dëmtuese shtazore, prandaj asnjë nga 4 qendrat Europiane të Sigurisë Ushqimore Veterinare në Itali, Gjermani, Francë e Danimarkë, nuk e ka akredituar për analiza fundore.
Madje dhe Drejtoria e Akreditimit e Shqipërisë, më 12 tetor 2021, këtij laboratori i ka dhënë vetëm “Certifikatë Testimi” për konstatime epidemie paraprake te shpendët, kafshët e produktet. Për këtë mangësi, nuk e ka fajin drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore-Veterinare (ISUV), Armand Reveli, mbasi dhe te biznesi i tij “CIBUS Shpk” i produkteve e nënprodukteve të mish-qumështit e te ortaku Nikolin Jaka, nuk mund t’i bëjë dot analizat të plota e të sakta, paçka se i deklarojnë të tilla. Për këto analiza komplekse për pulat, mishrat, miellin, qumështin, peshkun etj, monstrat çohen në 1 nga 3 laboratorët qendror veterinar-ushqimor në Itali, të cilët e nxjerrin rezultatin jo më parë se 3 muaj, mbasi kaq kohë kërkon procesi analitik. Prandaj afati tekniko-ligjor i karantinës së pularive është përcaktuar 3 muaj mbyllje, por në Shqipëri fermat janë hapur, pulat e sëmura nuk janë asgjësuar dhe tregu vazhdon të mbushet me mish e vezë. Ndërsa ministresha Frida Krifca, njoftoi se analizat për gripin e shpendëve “Influence Aviare-H5N8”, u bënë brenda ditës te Instituti i Sigurisë Ushqimore-Veterinare dhe gjoja dolën pa rrezik për konsumatorin; siç po lejohet nga ministria dhe po reklamohet pularia e infektuar “Cocoal” e quajtur “Kokove” në Maminas./Pamfleti