Detaje nga operacioni antidrogë Shqipëri-Itali, si u trafikuan 160 kg kokainë në 5 muaj

355
Sigal

Një operacion ndërkombëtar antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë është finalizuar me arrestimin e një grupi kriminal prej gjashtëmbëdhjetë personash

Burime zyrtare të Policisë së Shtetit shqiptar bënë të ditur se operacioni i koduar “Riviera” u zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri, ku në pranga u vunë 14 shtetas në Itali dhe 2 në Shqipëri.

Hetimet ndaj këtij grupi nisën në maj të vitit 2018, kur autoritetet e huaja kishin njoftuar për ardhjen në Itali të një kimisti kolumbian.

Sipas autoriteteve, ai synonte pajisjen me njohuri për anëtarët e bandës mbi rafinimin e drogës që do të importohej nga Amerika e Jugut. Mbi bazën e këtij komunikimi, nisi një veprimtari hetimore e koordinuar nga Prokurori i Qarkut të Bolonjës ndaj bandës së trafikantëve, kryesisht me kombësi shqiptare.

Aksioni u iniciua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja, Itali, dhe pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të për bërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me aktivitet trafikimin e narkotikëve në rajonin Emilia Romagna (Itali). Policia njoftoi dje se në vendin tonë u arrestuan me qellim ekstradimi drejt Italisë shtetasit shqiptarë E. H., 40 vjeç dhe J. D. (M.), 28 vjeç.

OPERACIONI

Operacioni “Riviera”, i zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri, çoi në pranga 16 persona, nga këta 14 në Itali dhe 2 në Shqipëri. Operacioni ka nisur në vitin 2018, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.

Në kuadër të këtij operacioni, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, si rezultat i bashkëpunimit mes INTERPOL Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale në PSH, DVP-së Tiranë dhe Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës në Romë e Bari dhe në Ambasadën Italiane (misioni INTERFORZA), u zhvillua operacioni policor i koduar “Riviera”.

Në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga zyra e Prokurorisë Antimafia në Bolonja dhe si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në vendin tonë, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasit shqiptarë E. H., 40 vjeç dhe J. D. (M.), 28 vjeç. Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.

Operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe besueshmërinë që po fiton përditë e më tepër te partnerët.

Trafikuan 160 kg kokainë në Itali për 5 muaj

Dy të arrestuarit në Shqipëri dyshohet se ndihmonin edhe shpërndarjen e kokainës me doza të vogla, nëpërmjet shqiptarëve të tjerë në zonën e Bolonjës dhe Emilia-Romangnas. Në 5 muaj ky grup kriminal mendohet se ka trafikuar 160 kg kokainë në Itali. Aktivitetin ky grup kriminal e ka nisur në vitin 2016, ku nga Shqipëria çoheshin sasi të mëdha kanabisi drejt Italisë. Urdhër-arrestet janë lëshuar nga zyra e prokurorit të Antimafias në Bolonja dhe Jurgen Duka e Elison Hysenbelliu pritet të ekstradohen në Itali. Hetimet po vijojnë në Itali dhe Shqipëri pasi dyshohet se ka të tjerë persona të përfshirë.