Tunelet ushtarake po boshatisen, nuk dihet ku shkon pasuria e shqiptarëve

1149
Një ushtarak i Komandës së Elbasanit, i cili para disa muajsh është përgjuar dhe paralajmëruar nga eprorët e tij për largim nga puna me arsyetimin se “ndoshta je nga ata që flasin me mediat”, ka guxuar dhe ka ngritur alarmin sërish për abuzimet me pronat e ushtrisë. Disa muaj më parë ky ushtarak kurajoz, i deklaroi “Telegraf” se “ka mbi 50 për qind e efektivave që paguhen pa ardhur një ditë në repart, ka komandantë dhe drejtues repartesh që duken vetëm njëherë në muaj në repart dhe rrogën e marrin të plotë, ka komandantë dhe drejtues që kanë nisur dhënien e trojeve dhe pronave të cilat i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes dhe prej tyre marrin çdo muaj qera”, dhe plot skandale të tjera.

Presioni i drejtuesve
Por pak ditë pas daljes së shkrimeve, ai dhe disa prej ushtarakëve që gdhihen dhe ngrysen në reparte, janë përballur me presionin e drejtuesve dhe gjeneralëve të ardhur nga Tirana. Ata u presionuan, u thirrën kokë më kokë u provokuan dhe përgjuan për të zbuluar “spiunin” që fliste me gazetarët e “Telegraf”, u kërcënuan me largimin nga vendi punës dhe pasoja të tjera, por ishte e kotë. Pas 2-3 javësh qetësie, ka nisur avazi vjetër. 
Ditën dhe veçanërisht natën kamionët e ushtrisë me stemën e Ministrisë së Mbrojtjes vinin në repartet e Labinotit dhe Xibrakës, në tunelet e atyre zonave dhe ngarkoheshin me armatime dhe municione të vjetruara, dhe iknin. Kjo gjë normalisht zgjoi interesimin e atyre që u dhimbsej malli i popullit, pasuria e shqiptarëve, pasi ishin dhe janë armatime dhe municione të blera qysh para vitit 1990 me para të shtetit dhe jo me para tenderash korruptivë. Interesimit të ushtarakut në Komandë, drejtuesit i janë përgjigjur me ironi se “nuk është detyra juaj të dini kaq shumë, ndaj mos shikoni dhe mos flisni shumë, shikoni ruani gardhin se ikni fare nga puna”. 
Repartet ushtarake kthehen në fusha futbolli
Por në repartet e Labinotit nuk kanë mbetur as gardhiqe dhe aktualisht repartet ushtarake janë kthyer në fusha futbolli dhe trojet e tyre kanë vite që jepen me qera për kullota apo biznse të tjera fshati. Ushtaraku që sërish mori guximin dhe foli për “Telegraf” deklaroi se “ajo që po ndodh me pasurinë e këtij vendi, me pasurinë e popullit shqiptar ku natyrisht futen edhe armatimet dhe municionet luftarake pasi janë blerë nga Enver Hoxha dhe jo nga Saliu dhe Rama, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër, ku ndoshta mbizotëron edhe rrumpalla. Kjo pasi asnjeri nuk jep përgjigje, nuk jep shpjegime dhe nuk deklaron se përse vijnë dhe ku shkojnë kamionët e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi mbushen me armatime dhe municione luftarake sovjektike dhe kineze, ku shkojnë dhe ku demontohen, ku shkojnë dhe ku shiten apo blihen, pra ne ushtarakët atje, jemi kthyer në roje binari, dhe asgjë nuk kuptojmë dhe raportojmë lidhur me detyrën, ushtria ka sekretet e veta, ka rregulloret e veta, ka hirarkinë e saj, dinjitetin e saj, dhe nuk mundet që një ushtarak të mbyllë sytë dhe të kyçë gojën kur shikon dhe përballet me veprime të tilla të dyshimta dhe antiligjore, të shefit, drejtuesit, komandës, apo edhe dikasterit por duhet të kërkojë si qëndron e vërteta, pse po shkatërrohen repartet nga themelet, pse po boshatisen tunelet, që dikur ishin model dhe të mbushura plot me materiale, logjitikë, armatime dhe municione, dhe pas zbrazjes po jepen me qera për stalla bagëtish”. 

Skandalet ndjekin njeri-tjetrin
Ushtaraku ngre edhe një tjetër shqetësim, atë të dijenisë që mund të ketë ministria e Mbrojtjes zonja Kodheli. Kjo pasi qysh para 1 viti, asaj i janë nisur 2-3 letra nga ushtarakët lidhur me mënyrën si po veprohet dhe si po shkatërrohen repartet e ushtrisë, por deri sot nuk kanë përgjigje tjetër veç heshtjes apo ndonjë paralajmërimi nga vartësit e saj për largim nga puna. Ushtaraku deklaroi se “veç këtyre skandaleve, tjetër gjë e cila duhet të jetë shqetësimi Ministrisë së Mbrojtjes, duhet të jenë edhe kushtet e punës dhe jetesës së ushtarakëve, të cilat ndoshta nuk mund të jenë të përafërta edhe me ato të vendeve afrikane, në një kohë kur zonja Kodheli, ka nisur në rrethe fushatën e rekrutimeve të reja për ushtarë apo edhe ushtarakë”. Skandalet dhe paradokset, janë kthyer në vlera sot, në atë që mund ta quash “ushtria shqiptare”, kjo është ndoshta më e dhimbshme për ne që jetuam dy kohët, kur e kishim për nder të quheshim ushtarakë, kurse sot e kemi për turp të themi se jemi të tillë”- tha ushtaraku. Përpara se ushtarakëve t’u bëhen presione dhe të kërcënohen me largimin nga puna, Ministria e Mbrojtjes duhet t’i sqarojë ata, të jetë më transparente edhe me shqiptarët dhe t’u thotë atyre gjithçka ndodh me repartet e ushtrisë, pasurinë e ushtrisë, pasi gjithkush nga ne ka pjesën e tij edhe në shitjen e çdo fisheku, ndryshe gjithçka është pjesë e realitetit dhe jo trillimeve, dhe këtu fjalën e ka drejtësia. 
Alma Jonuzi
Sigal