Ushtarakët i nëpërkëmb politika

343
Safet N. RAMOLLI
Ka mjaft raste që ushtarakët kanë qenë viktima. Në disa prej tyre, kjo edhe e pamotivuar. Për më keq akoma, disa jetë ushtarakësh janë ndërprerë midis radhëve të tyre. Kohë më parë u vra në një operacion policor në Lazarat efektivi i RENEA-s, i ndjeri Ibrahim Basha; më datën 3 tetor 2015 në zonën e Shkodrës, gjatë ndërhyrjes në një operacion policor në banesën e një njeriu që kishte bërë krim, gjeti vdekjen komandanti i forcës të Ndërhyrjes së Shpejtë, i ndjeri Simon Gjeta. Disa raste të tjera të tilla ka pasur edhe më përpara. Në muzeumin e bërë për këtë rast, shtohen kapelet e efektivave që kanë humbur jetën, të cilat në ndonjë rast krejt pakujdesisht shërbejnë si tregues shifrorë… 
(Vijon nga numri i kaluar)
Ushtarakët i vret politika. Janë disa rastet që ushtarakët konceptohen në teori dhe përdoren në praktikë si mjet i destinuar të vetësakrifikohet për hir të interesave partiake apo të grupeve a individëve, që përfaqësojnë forcat politike. Në ndonjë rast, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa mbështetje juridike, ushtarakët janë nxitur, (për të mos thënë janë urdhëruar), që të kryejnë veprime jashtë dhe larg misionit të tyre ligjor. (kujtojmë p.sh. dërgimin në Cërrik në muajin maj 1997 të një force të armatosur, e cila nuk kishte mision grumbullimin e armëve, as luftën kundër kriminalitetit, as edhe vendosjen e rendit dhe qetësisë publike etj). Por, duhet nënvizuar se, nuk është detyrë e ushtarakëve të analizojnë apo të konkludojnë në se është juridike detyra apo misioni i ngarkuar, pra edhe e detyrueshme për zbatim, apo jo ligjore, për rrjedhojë edhe e pazbatueshme. Dihet fare mirë që ushtarakët janë shërbëtorë të ligjit të shtetit, ata zbatojnë urdhrat e titullarëve të ngarkuar për këtë qëllim. Në strukturat me karakter ushtarak nuk mund të pranohet anarkia.

Në ndonjë rast ushtarakët janë vendosur në detyra luftarake, por u janë kufizuar kompetencat për të ushtruar autoritetin juridik etj. Për më tej, ka pasur një qëndrim të dyzuar, për të mos thënë më shumë, edhe në ato raste kur ushtarakët kanë dhënë jetën në krye të detyrës apo në emër të saj. Të mos shkojmë më tutje në kohë, por le të sjellim në vëmendjen e lexuesit se, vrasja e një koloneli dhe e një majori të rendit në vitin 2000 (kolonel A. Z. dhe major Y. B.) janë komentuar në mënyra të ndryshme nga forcat politike partiake apo nga zëdhënës të tyre. Edhe rënia në krye të detyrës (gjatë vënies nën kontroll të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin problematik Lazarat), i efektivit të RENEA-s, I. B. , u komentua deri edhe me keqdashje nga segmente të veçantë të politikës, por fatkeqësisht edhe nga disa ish-efektiva të Ministrisë së Rendit Publik, sikur operacioni policor ishte i pamenduar dhe i paorganizuar mirë. Komisar G. M., i vrarë në krye të detyrës, për mjaft kohë nuk u klasifikuar “i rënë në krye të detyrës”; ushtarakët e rënë në krye të detyrës me zor se përfitojnë shpërblimin e normuar me ligj, edhe pse mjaft simbolik, çka u kujton familjeve të tyre dhe gjithë ushtarakëve të tjerë, se sakrifica për atdhe e popull duhet bërë e menduar mirë, etj. etj. Në këtë kuptim dhe po në këtë mënyrë, ushtarakët nuk trajtohen si pasuri e vyer e kombit, si krenari e ligjshme e tij, por si një mjet, të cilët në disa raste therorizohen në emër të interesave politike partiake. Ngrihen lapidarë prej familjarëve për të humburit në aksidente automobilistike, (dhe në fakt bëjnë shumë mirë sepse kemi të bëjmë me një veprim përshpirtjeje, që të kujtojnë emrin dhe jetën e një njeriu i cili shkon e nuk kthehet më), për ushtarakët, thuajse në përgjithësi, edhe kur ata bien në grup dhe në emër të detyrës, nuk mbetet asnjë shenjë përkujtimore. Për më tej ligjet janë aq të cekëta dhe të varfra në aspektin social, saqë familjet e ushtarakëve mbeten pa asnjë mbështetje ekonomike, fëmijët e tyre dhjetëfish jetimë, diskutohet dhe anatemohet edhe dhënia e një të drejte studimi për fëmijët e tyre etj. etj. (Jam ballafaquar me një rast ekstrem dhe mjaft të dhimbshëm: në një fshat që ndan Lushnjën nga Fieri, humbi jetën në vitin 1993 duke shoqëruar ish-presidentin e Shqipërisë një djalë fare i ri. Prindërit e tij të moshuar, por që nuk kishin plotësuar moshën e pensionit të pleqërisë, nuk përfitonin asnjë trajtim moral, jo se jo, por as edhe material, pas humbjes në krye të detyrës të djalit të tyre fare të ri. Kam pasur detyrimin juridik por më shumë moral, që në këtë familje të pi një kafe si dhe të realizoj një shkrim. Kaq mund të bëja unë. Shteti le të bëjë më shumë jo vetëm për këtë familje por edhe për gjithë të tjerat, që kanë humbur njerëzit e shpirtit në krye të detyrës, gjithsesi si ushtarakë. Në një rast tjetër jam ndier krejt i shokuar. Bëhej promovimi i librit “Gjaku që humbëm në mars” i autorit ushtarak Afrim Imaj. Ka qenë ndoshta mezi i vitit 1998. Ishin ftuar edhe familje të ushtarakëve që kishin rënë në krye të detyrës. Gjithçka për çka ishte programuar, shkoi mirë. U vlerësua puna e autorit të librit, i cili pati dëshirën e mirë të përjetësojë veprën e madhe të atyre ushtarakëve që ai kishte qëmtuar me aq kujdes, por edhe duke marrë pjesë vetë emocionalisht. Por midis të tjerëve kërkoi të flasë edhe një grua. Ishte veshur me të zeza, por edhe u prezantua si bashkëshorte e oficer A.H., i vrarë në garnizonin e Shkodrës duke qenë me shërbim në repart. Rrëfimi i saj ishte tronditës. Nuk kërkonte lëmoshë, por vetëm ndihmë që të punësohej si dhe t’i jepej një strehë për fëmijët e mbetur jetimë… Ajo shkoi edhe më tej kur akuzoi: “… nuk kërkoj dhurata, as parfume; nuk dua lëmoshë duke më dhënë nga një pako me ndihma për Vit të Ri, por dua një strehë jo në mjediset ku jetojnë ushtarët…, dua që fëmijët e mi të kenë mundësi të shkollohen duke më siguruar mua një punë…”. (Zonja në fjalë ishte strehuar në një kthinë të një reparti ushtarak, i cili akoma funksiononte si repart ushtarak. Kjo i ishte konsideruar edhe si zgjidhje problemi për strehim). Sikurse e shikoni e gjykoni ishte një kërkesë fare e thjeshtë, por e domosdoshme, çka mua më shokoi. Zoti S. B., në atë kohë këshilltar i Presidentit të Republikës, natyrisht i përskuqur nga keqardhja, nuk i premtoi, por besoj se duhet të jetë bërë diçka për këtë rast flagrant. Dhe shembujt për një trajtim dinjitoz të ushtarakëve që bien në krye apo për shkak të detyrës nuk mungojnë. Le të sjellim në vëmendjen e politikanëve dhe shtetarëve shqiptarë qëndrimin dashamirës dhe vlerësues që mbajnë dhe shfaqin shtetarët e vendeve perëndimore, pa folur për sjelljen etike deri në skajshmëri të personaliteteve më të larta amerikane. Ushtaraku shqiptar F.Vogli humbi jetën në një mision ndërkombëtar në Afganistan, por përpos të tjerave, ambasadori amerikan në Shqipëri atë mot çau baltën dhe përçmoi ferrat gjembaçe në Baldushk, vendosi një kurorë me lule si dhe ngriti një lapidar përkujtimor për veprën heroike të ushtarakut shqiptar të rënë larg, shumë larg atdheut të tij. Kuptohet që, përpos kësaj ane morale, nuk ka sesi të mungojë ana materiale për familjen Vogli. Ata (perëndimorët) ushtarakun e konsiderojnë, realisht, pasuri të kombit, nuk bëjnë sikur preken kur ata humbasin jetën, nuk shkruajnë në shtypin e ditës, apo nuk shprehen për medien edhe kur urojnë festa kombëtare fetare, por angazhohen realisht që shpirti i ushtarakut, i cili ka humbur jetën, të ndihet i qetë, që familjarët e tij të ndihen të vlerësuar dhe të mbështetur. 
Komandimi e drejtimi në disa raste, amatoresk!
Ushtarakët vriten edhe për shkak të mungesës së aftësive drejtuese dhe komanduese të eprorëve të tyre. Ndoshta dhjetëra jetë ushtarakësh nuk do të ishin ndërprerë nëse eprorët e tyre do të kishin bërë më mirë detyrën si drejtues ushtarakë. Masat organizative, mjetet mbrojtëse, sasia e forcave dhe e armëve apo mjeteve dhe pajisjeve, e të tjera si këto, në disa raste kanë qenë të pamjaftueshme. Në mjaft raste ka munguar profesionalizmi i drejtuesve, deri edhe në atë shkallë saqë, edhe ushtarakët janë vrarë pa justifikuar vetveten. Natyrisht kjo përbën një rast krejt banal dhe të pajustifikueshëm. Po të marrim vetëm rastin e ndodhur më 24 maj 2004 kur mbeti një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur prej dy shtetasve, duhet të bëjmë apel, (ashtu sikurse bëri edhe një politikan jo ushtarak), se duhet të mbajnë përgjegjësi drejtuesit dhe komanduesit për drejtim dhe komandim jo profesional. Edhe një qytetar i zakonshëm mund të jetë i të njëjtit mendim se, nuk mund të dërgohen dy policë të policisë rrugore për të neutralizuar apo ndaluar, dy qytetarë thuajse profesionistë, që kanë kryer stërvitje të organizuar dhe të testuar për t’u përgatitur si armëpërdorues të mirë. 

Ja pra, përse vrasin dhe vriten ushtarakët. Unë e pranoj që, grupimi shoqëror i ushtarakëve duhet të jetë më pranë fenomenit të ndërprerjes së jetës, por jo pa shkak dhe pa motiv të qenësishëm. Për më tepër, duhet bërë gjithçka nga Shteti dhe shoqëria që, ushtaraku edhe kur e humbet jetën, të paktën të ndihet disi i qetë në banesën e përjetshme, duke mos lënë plagë të pambyllura përjetësisht tek familja e tij. Trajtimi i familjeve të ushtarakëve të vrarë në krye të detyrës apo për shkak të saj, pa ndihmë ekonomike apo pa asistencë, është një mëkat, i cili rëndon në shpirtin e atyre, që vunë jetën në themelet e atdheut, por edhe në koshiencën e atyre, që janë gjallë dhe në shërbim për këtë atdhe e komunitet.