Shteti bëhet “aleat” mbrojtës i abuzimeve të firmës “Aleat” (“Sagem”) që prodhon server

636
Gazeta “Telegraf”, depozitoi pranë katër drejtuesve të lartë të Shtetit Shqiptar, konkretisht tek Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, denoncimin me fakte e argumente, lidhur me pasaportat dhe kartat e pa sigurta, të cilat prej 8 vitesh në Shqipëri i prodhon dhe i shpërndan firma “Sagem”. Shqetësimi ka lidhje me faktin, që përveç pasaportave e kartave të identitetit, “Sagem” ka krijuar edhe server të dhënash të pa sigurt e madje të manipulueshëm prej botës së krimit, siç ka ndodhur e ndodh ende. 
Sigal

Heshtje shtetërore, përballë kërkesës së “Telegraf” për hetimin e dosjes “Sagem”

Gazeta “Telegraf” iu drejtua 4 drejtuesve të lartë të shtetit e drejtësisë, mbasi ata “e kanë në dorë” luftën kundër korrupsionit, krimit, terrorizimit dhe sigurinë kombëtare. Iu drejtuam me mendimin, se ata do të reagonin e do të nisnin hapjen e dosjes “Sagem” në emër të ligjit, të dekriminalizimit, masave parandaluese ndaj terrorizmit, të sigurisë së vendit e të shqiptarëve dhe në emër të drejtësisë për të cilën kohët e fundit ata po mbajnë nga “24 orë fjalime” në ditë. Menduam dhe pritëm e po presim, që këta katër drejtues të lartë të shtetit, minimalisht sa për “komunikim” do të kthenin “1 fjalë” përgjigje! Por edhe sot, 12 ditë pas marrjes zyrtare të letrave të depozituara, “çuditërisht” Presidenti, Kryeministri, Kryeprokurori dhe Ministri Brendshëm vazhdojnë të heshtin, jo sikur po u bëjmë prezent e po u kërkojmë bllokimin e një shërbimi që krijon “maskim” dokumentar e elektronik për krimin kombëtar e ndërkombëtar, por sikur po i kërkojmë afera, siç veprojnë me disa medie shërbëtore të tyre! Nuk e dimë, nëse është “mungesë kohe” për të kthyer përgjigje, apo mungesë dëshire e “detyrim” për të mos shqetësuar firmën “Sagem” e për të mos “guxuar” të hapin “letrat e pista” të këtij koncesioni të futur në Shqipëri 8 vite më parë me klientelizëm e aferë shtetërore. 

Por dimë faktin, që “Sagem” po mbush jo vetëm Shqipërinë por edhe Rajonin, shumë vende të BE e deri SHBA, Kanada, Australi e kudo, me pasaportat dhe kartat e pa sigurta që vazhdon e prodhon në Shqipëri, me… licencën dhe heshtjen e shtetit shqiptar! Katër krerëve të lartë të shtetit e drejtësisë, u kemi kërkuar që të nis hetimi ndaj firmës “Sagem”, madje duke u dërguar të gatshëm edhe “pyetësorin” për çështjet që kjo kompani duhet të jap shpjegime publike, ose në “dhomat e drejtësisë” shqiptare e madje edhe të drejtësisë ndërkombëtare! Janë pyetje që kanë lidhje me këtë fakt: “Sagem” që prej ditës së parë të aktivitetit në Shqipëri e deri sot është kthyer në një “punishte” që prodhon karta e pasaporta pa elementë sigurie, që ka krijuar server të dhënash me “portë të hapur” për t’u blerë, shitur, kontrolluar, falsifikuar e përdorur prej krimit në çdo element identiteti. Në Shqipëri, nisur prej teknologjisë me të cilën “Sagem” prodhon karta, pasaporta e me teknologjiën që ndërton serverin, sipas informacioneve e raporteve sekrete të policisë së shtetit dhe shërbimeve të huaja inteligjente, por edhe sipas fakteve të përditshme që “zbulohen” nëpër banka, shkolla, zyra shteti, ambasada, aeroporte etj., rezulton se këto dokumente nuk prodhohen sipas standardeve të sigurisë të BE e të Perëndimit. Ato janë plotësisht të falsifikueshme e të hedhur në veprim si “origjinale” prej botës së krimit! Po kështu, kemi denoncuar në gazetë dhe kemi depozituar pranë 4 drejtuesve të lartë të shtetit e drejtësisë, skandalin që “Sagem” ka ndërtuar dhe prej 8 vitesh po mban nën kontroll monopol, një sistem serveri të dhënash të shqiptarëve, për të cilin nuk lejon as kontroll, as monitorim, as saktësi e gatishmëri bashkëpunimi me institucionet e luftës kundër krimit si policia, prokuroria, gjykata, anti-krimi, interpoli, kufiri tokësor, detar e ajror, gjendja civile shqiptare dhe shërbimet e tjera ndërkombëtare, partnere të shtetit shqiptar. Skandali shkon deri në këtë absurd e turp të shtetit shqiptar, sa që “Sagem” nuk u jep asnjë të dhënë pa pagesë për institucionet që e përcakton ligji, madje nuk i jep as Ministrisë së Brendshme që ëshët autoriteti kontraktor e kontrollues i saj, duke e përdorur serverin e të dhënave si pronë private e jo si arkiv pronë e shtetit shqiptar!
Drejtësia dhe shteti, të nisin hetimin nga “Raporti Sekret i Policisë-2015” për abuzimet e “Sagem”
Gazeta “Telegraf” ka publikuar një “Raportit sekret” të hartuar prej Ministrisë së Brendshme, i cili është një “sirenë” alarmi për të vepruar urgjentisht jo vetëm për bllokimin e prodhimit të pasaportave e kartave të identitetit prej firmës “Sagem” dhe për marjen nën kontroll të serverit të të dhënave të shqiptarëve, por edhe për çuarjen e “Sagem” përpara ligjit për një krim në ndihmë të botës së krimit që ka hapësira fshehje e shpëtimi për shkak të shërbimit të pasigurt e jo të plotë teknologjikisht në prodhimin e pasaportave e kartave dhe krijimit të serverit, duke shkëputur edhe ndër-veprimin krahasues me sistemin verifikues të gjurmëve të gishtave, pëllëmbëve të duarve e të dhënave të tjera identifikuese që disponon Policia e Shtetit. Çfarë ndodh? “Sagem” nuk realizon “Ndërfaqen” e gjurmëve të gishtave, bllokon lidhjen e sistemit “AFIS” me sistemin “AFIS/APIS-Papillon 7” të policisë dhe nuk fut tekologjinë që këkron sistemi, por punon me teknologji të kohës së Luftës së Dytë Botërore! Në sektorin e Daktiloskopisë të Drejtorisë Policisë Shkencore, që nga muaji tetor i vitit 2002 ndodhet i instaluar sistemi “AFIS/APIS PAPILLON-7”, i cili deri sot ka funksionuar normalisht, pa asnjë defekt apo problem. Ky sistem është blerë me fondet buxhetore të Policisë së Shtetit. Por çfarë ndodh me këtë sistem? Sipas kontratës koncesionare, “Sagem” apo “Aleat”, ose së fundi edhe me emrin “Safran Morpho” siç i ndryshon identitetet e saj në çdo vit, përpara se të fillonte prodhimi i Pasaportave e Kartave të Identitetit, duhej të realizonte “Ndërfaqen” (Interface) midis sistemit “AFIS CIVIL” që është prodhim “Morpho” dhe sistemit “AFIS/APIS-Papillon 7” të Policisë së Shtetit Shqiptar, në mënyrë që të bëhej krahasimi i gjurmëve të gishtave “on-line” i çdo personi që aplikonte për kartë, apo pasaportë në sistemin “AFIS” të Policisë së Shtetit.