Tregu i produkteve ushqimore e blegtorale kërcënon me epidemi

504
Sigal

SARANDA/Ndodhet në hyrje të portit nga vijnë turistët, era e peshkut kutërbon, mungojnë tualetet

Stina e verës nuk vjen vetëm me temperaturat e larta dhe kënaqësinë e kredhjes në ujërat e kaltra të detit Jon, me fluksin e turistëve dhe ngritjen ekonomike të familjeve të qytetit jugor. Ajo vjen edhe me problematikën e sajë, problematikë që detyron më shumë se ç’do herë njësitë e pushtetit vendor dhe institucionet shtetërore për marrjen e masave në minimizim të elementëve të kësaj problematike, që herë –herë shfaqet edhe e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve dhe ndikon negativisht në pritshmëritë turistike dhe performancën e qytetit. Po cilat janë dukuritë negative që shfaqen aktualisht? E thëna dhe e stërthëna, por që po kthehet në gangrenë dhe një fenomen ambientues për Sarandën dhe qytetarët, është tregu i produkteve dhe nënprodukteve bujqësore e blegtorale. Përveçse ndodhet në një pikë kyçe të qytetit, në hyrje të portit detar, aty ku përpunohen në hyrje e dalje të Sarandës qindra turistë të huaj, një performancë e keqe prezanton qytetin. Përveç fruta –perimeve, ku mungon edhe banja e higjiena, përballë si për sfidë të këtyre situatave janë edhe tregtarët e prodhimeve të detit, bulmetit e mishit. Një erë e kutërbuar ndot atmosferën dhe mbeturina të këtyre produkteve kalben në kanalet e trotuarit ku tregtohen këto produkte, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ku me gjithë ankesat e herë pas hershme të tyre, situata mbetet po ajo, madje shkon më keq. Themi më keq se produkteve gjithëvjetore tani u është shtuar edhe tregu sezonal i midhjes, një tregti klandestine kjo që ndeshet me bidonë plastikë trotuareve të qytetit, duke shkelur kështu çdo standard tregu të këtij produkti nisur që tek ambalazhimi me bidonë plastikë, bidonë një përdorimesh të ujit apo pijeve freskuese, e deri tek higjiena e mjedisit në trotuar, pa përmendur kontrollin veterinar se a është i pranueshëm për konsum, kur dihet që midhja me përqindje të lartë bioksinë, nuk lejohet për konsum sipas standardeve ndërkombëtare të ushqimit. Kjo situatë , për të gjitha që shkruam më lart, duhet stabilizuar dhe disiplinuar nga institucionet përgjegjëse si policia bashkiake, autoriteti i Higjienës dhe AKU, ato të zyrës së bujqësisë etj.. Rreziku prej kësaj situate është evident dhe pret reagim shtetëror.