Trafiku i drogës me avionët e ushtrisë”, po NATO ku është!?

598
Sigal

Kohët e fundit akuzat e opozitës për implikimin e logjistikës ushtarake (bazë e aeroplanë) në transportin e drogës dhe argumentet jo bindëse të pozitës, kanë sjellë një debat të ashpër mes palëve kohët e fundit. Ndërkohë, palët kanë argumente të ndryshme, ku secili, në funksion të akuzës apo të mbrojtjes përmendin qenien e ushtrisë shqiptare anëtare e NATO-s. “Hapësira jonë ajrore kontrollohet nga NATO, pjesë përbërëse e së cilës është dhe ushtria shqiptare, ndaj akuzat janë pa bazë e të rënda”,-argumentojnë strukturat shtetërore e përfaqësues së pozitës qeverisëse. “Si ka mundësi që logjistika e një ushtrie, anëtare e NATO-s të vëjë bazat dhe mjetet për trafik droge”,- akuzon pala tjetër. Dhe këto akuza e kundër akuza, nuk janë thashetheme apo të artikuluar një apo dy herë. Por me orë të tëra në Parlament, në media e kudo. Po NATO, përfaqësuesit e saj në Shqipëri e jashtë saj, ku janë? Përse heshtin për një debat të tillë ku direkt apo indirekt njolloset dhe emri i saj? Përse nuk reagon? Apo kjo është thjeshtë një luftë politike dhe palët akuzojnë njëra tjetrën apo dhe mbrohen duke thënë se “informacioni ka ekzistuar dhe në qeverisjen e mëparshme?”. Minimalisht, një informacion zyrtar i përfaqësuesve të NATO-s, bie fjala thjeshtë: “Ne nuk jemi implikuar dhe nuk kemi një informacion të tillë”, (siç dhe besohet), minimalisht do të qartësonte rolin e saj dhe “patatja e nxehtë” do u mbetej forcave politike shqiptare… Po cilat janë zhvillimet e fundit në këto akuza-kundër akuza?  Së fundi, paq kaq kohësh debate publike, reagon dhe Prokuroria. Burime pranë saj kanë kërkuar që “Arben Imami nëse ka prova, duhet t’i depozitoj para prokurorisë”. Mësohet se kjo është kërkesa zyrtare që Kryeprokurori Adriatik Llalla ka bërë për deputetin e opozitës, i cili prej disa ditësh nga foltorja e Parlamentit ka deklaruar se ka prova e fakte për akuzat që bën. Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme bën me dije, se kërkesa zyrtare për depozitim provash në lidhje me akuzat i është dërguar jo vetëm Imamit. Shkresa zyrtare është dërguar dhe në adresë të agjencive ligj zbatuese të shtetit shqiptar, përfshi këtu Shërbimin Informativ Shtetëror si dhe atë të ushtrisë. Për këto akuza ende nuk ka nisur një hetim, por ndodhen në fazë verifikimi, deklaron zyra e shtypit pranë kryeprokurorit e pyetur nga A1Report, duke sqaruar gjithashtu se, pas përgjigjeve të këtyre shkresave të dërguara do të vendoset dhe për fillimin apo jo të hetimeve. Ndërkohë, opinioni publik, pret një reagim zyrtar të përfaqësuesve të NATO-s!.