Tregtohej jashtë standardeve, shpërthen rezervuari i mbushjes së gazit

525
Sigal

Flet drejtori i Repartit të Zjarrfikëses, Shpëtim Gorica: “Bilanci, tre të plagosur rëndë dhe shumë banesa të dëmtuara”

Tregtimi jashtë kushteve të sigurisë teknike ka sjell shpërthimin e një rezervuari, ku bëheshin rimbushjet e bombolave të gazit. Nga ky shpërthim u plagosën rëndë tre persona, bashkëshortët pronarë dhe një kalimtar i rastit. Ndërkohë që, dëmet materiale janë të mëdha.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në një dyqan në lagjen “Donika Kastrioti” të qytetit të Beratit, pronë e shtetasit Feim Ostrovica, i cili kishte bërë montimin e një rezervuar gazi, ngjitur me dyqanin ushqimore. Këtë aktivitet e kryente prej vitesh duke bërë mbushjen e bombolave të gazit. Sipas specialisteve të repartit zjarrfikës bëhet e ditur se gjatë punës në ambient kishte pasur rrjedhje gazi dhe në momentin që pronari i dyqanit kishte filluar të mbushte një bombol sipas porosis së një klienti, kishte hyrë në magazinë me cigare të ndezur. Gazi ka rënë në kontakt me cigaren dhe prandaj ka ndodhur shpërthimi me përmasa të mëdha, i cili ka dëmtuar shumë rënd pronarin Feim Ostrovica 63 vjeç dhe bashkëshorten e tij Zenepe Ostrovica 61 vjeçe, e cila për momentin ndodhej në dyqan. Po në këto momente të shpërthimit është dëmtuar dhe  një kalimtar, i cili ishte duke kaluar aty pranë.

Dëmet

Shpërthimi i rezervuarit ishte me përmasa të mëdha dhe si pasojë ai shkatërroi dyqanin, dëmtoi disa banesa aty afër dhe të gjitha dyert dhe xhamat e një pallati që ishte ngjitur me pikën e mbushjes së bombolave u rrëzuan për tok. Nga shpërthim i gazit janë djegur rëndë dy bashkëshortët dhe shtetasi Genti Sira, 50 vjeç. Pas shpërthimit që u ndje në gjithë qytetin menjëherë në vendngjarje kanë shkuar në ndihmë zjarrfikësit dhe punonjësit e rendit. Fillimisht u është dhënë ndihmë të plagosurve duke i transportuar për në Spitalin Rajonal të Beratit. Ndërsa një pjesë tjetër e punonjësve të repartit të zjarrfikës janë marrë me fikjen e një pjesë të zjarrit dhe kanë evakuuar disa banorë, të cilët nuk janë lejuar që të futen në pallat, ku dhe ndodhi shpërthimi, për të shmangur ndonjë shpërthim tjetër pasi brenda kishte dhe bombola të mbushura me gaz. Sipas policisë, bëhet e ditur se, në momentin e ngjarjes fatmirësisht nuk ka patur njerëz tek sheshi i pallatit. Pasi kanë marr mjekimin e parë në spitalin e Beratit dy bashkëshortët, Feim Ostrovica dhe bashkëshortja Zenepe Ostrovica janë nisur për në Tiranë për një mjekim më të specializuar, pasi djegia kishte arritur në shkallën e fundit. Ndërsa i dëmtuari tjetër Genti Sira po merr mjekimet në spitalin e Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme. Ambienti, ku mbusheshin bombolat ishte ngjitur me dyqanin ushqimor, edhe ky pronë e dy bashkëshortëve.

 Reagimi

Drejtori Repartit Zjarrfikës, Shpëtim Gorica u shpreh për “Telegraf” se, ngjarja ishte shumë e rëndë, ku si pasojë u plagosën tre persona dhe u dëmtuan shumë godina. “Shtetasi Feim Ostrovica, kryente veprimtari të jashtëligjshme nga ana teknike. Ne, një muaj më parë e kemi gjobitur dhe kemi kërkuar ndërprerjen e aktivitetit, pasi tregtohej jashtë kushteve teknike dhe ishte me rrezik për jetën e tyre dhe të banorëve përreth. Por me këtë që ndodhi sot, ne konstatuam se pas gjobës ai përsëri vazhdonte të punonte duke thyer rregullat teknike. Shpërthimi ka pasur pasoja të rënda edhe nga ana materiale”, tha Gorica. Për kushtet e sigurisë drejtori i Repartit të Zjarrfikëses në Berat tha: “Vendet, ku kryhen mbushjet me bombola gazit duhet të jenë jashtë qendrës së banuar. Godina, ku vendoset rezervuari duhet të jetë me beton, ku në raste shpërthimi, të mos ketë pasoja të rënda”, tha drejtori Gorica.

Banorët

Banorët e lagjes të tronditur tregojnë momentet e shpërthimit të rezervuarit të gazit. Ata kanë filluar të kërkojnë ndihmën e bashkisë dhe prefekturës, pasi dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha si në pallat ashtu dhe në ndërtesat aty pran. Mustafa Saraçi që kishte banesën ngjitur me dyqanin, u shpreh: “Jemi tronditur shumë në momentin që ka shpërthyer rezervuari i gazit. Ne, gjithmonë i kemi kërkuar bashkisë dhe prefekturës, që të ndërhyje për të ndaluar veprimtarin e mbushjeve të bombolave, pasi ishin me rrezik për jetën tonë. Nga shpërthimi ne na është dëmtuar e gjithë godina. Janë çarë muret, na janë thyer xhamat e dritareve. Kemi qenë me fat që në momentin e shpërthimit të rezervuarit nuk kishte njerëz në shtëpi”, tha Saraçi.