Tregtarët po shkatërrojnë vlerat muzeale të lagjes së Urës së Goricës

531
Sigal

Nëpër parmakët e urës lidhen kafshët. Banorët: Bashkia për të vjelë taksat lejon të prishet imazhi i një qyteti muze

Lagja muzeale e “Goricës” përveç problemeve të amortizimit të banesave, të cilat nga dita në ditë po përballen me braktisjen e banorëve të tyre, tashmë po ndeshet dhe me një fenomen tjetër, atë të pushtimit nga tregtarët e fshatrave, të cilët i bllokojnë frymëmarrjen dhe i shkatërrojnë vlerat muzeale të saj. Madje, një pjesë e tregtarëve përveç pushtimit të lagjes “Goricë”, një pjesë e tyre janë vendosur edhe në Urën e Goricës. Banorët e kësaj lagjeje apo edhe turistët nuk kanë mundësi që të kalojnë mbi urë, pasi ajo është e zaptuar nga tregtarët që zbresin nga zonat e fshatrave, të cilët tregtojnë mallrat e tyre mbi urë. Disa herë banorët janë ndeshur me tregtarët, pasi ata nuk i lejojnë që të kalojnë mbi mallin e tyre. Tashmë qyteti i Beratit, është në fluksin e ardhjes së turistëve, të cilët sa futen në Berat, krijojnë një imazh të mirë nga bukuritë e dy lagjeve “Goricë” dhe “Mangalem”, por kur ata tentojnë të shkojnë për të vizituar këtë lagje çuditen, pasi Ura e Goricës që është Monument Kulture është e zaptuar nga tregtarët e fshatrave dhe kafshët si gomaret apo mushkat që përdoren nga tregtarët për të transportuar mallrat e tyre.

Revolta e banorëve

Banorët e lagjes shprehen: Tashmë qyteti ynë ndodhet në UNESCO dhe si i tillë ai ka një numër të madh turistësh vendas dhe të huaj, që e vizitojnë çdo stinë. Vlerat muzeale të këtij qyteti, tashmë po i shkatërrojnë tregtarët, të cilët nuk duanë t’ja dinë se këto vlera janë të pazëvendësueshme. Servete Tole, banore e kësaj lagje shprehet: “Nuk e kuptojmë neglizhencën e bashkisë, e cila për të vjelë taksat, lejon që të prishet imazhi i një qyteti muze, ku nëpër parmakët e Urës së Goricës apo në objektet e tjera të saj vendosen samar gomarësh, patkonj për të mbathur mushkat e fshatrave si dhe shumë mallra të tjerë, të cilat janë bërë një gangrenë i vërtet jo vetëm për banorët, por edhe për vlerat muzeale të kësaj lagjeje, e cila është shumë e vizitueshme nga turistët, për vetë konstruksionin e ndërtimit në rrëzë të malit si dhe për vlerat që ajo mbarë qindra vjeçare. Banorët e lagjes “Goricë” janë shprehur se u ka humbur durimi pasi kur shikojnë një gjendje të tillë ndiejnë keqardhje.

Kafshët ndotin rrugët me kalldrëm

Mihal Tane, banor i kësaj lagjeje, 56 vjeç tha: “Lagjen e “Goricës” vetëm gjermani e shkatërroi gjatë Luftës së Dytë Botërore, por tani po e shkatërrojmë ne vetë, ne si shqiptarë duke lidhur mushkat nëpër objektet kulturore, të cilat çdo ditë po shkatërrohen. Të gjitha rrugicat e lagjeve janë të bllokuara nga mallrat e tregtarëve, mushkat dhe gomarët e fshatarëve mbretërojnë duke bërë bajga nëpër trotuaret, që janë të shtruara me pllaka me mozaik ngjyrash. Bashkia për interesat e saja po shkatërron vlerat muzeale dhe po largon turistët nga kjo lagje, e cila është një perlë e vërtet, madje edhe ato prodhime që tregtohen si nën produkte të qumështit, frutat apo zarzavatet tregtohen në vende të ndotura”.