DASH: Presioni politik ka censuruar median në Shqipëri

618
Sigal

Raporti tregon se pavarësia e mediave në vend ka rënë gjatë vitit, dhe më shumë media kishin rënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të partive politike

Vazhdon zbardhja e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Europë dhe Ballkan, e mbi të gjitha në Shqipëri në “Telegraf”. Në këtë numër do të paraqesim observimet dhe kritikat që ka hedhur DASH mbi lirinë e fjalës dhe shtypit në Shqipëri. Sa të varura apo pavarura janë mediat shqiptare nga politika dhe biznesi? Pse i trembën zyrtarëve shtetërore gazetarët shqiptarë? Të gjitha këto do t’i gjeni të zbardhura mëposhtme.

Liria e Fjalës dhe Shtypit

Kushtetuta parashikon lirinë e fjalës dhe të shtypit, dhe qeveria përgjithësisht i ka respektuar këto të drejta. Megjithatë, pati raportime që qeveria dhe bizneset kanë ndikuar dhe kanë ushtruar presion tek media.

Liria e fjalës: Individët në përgjithësi mund ta kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa reprezalje, edhe pse megjithatë ka pasur disa përjashtime. Ka pasur raporte se disa punonjës të administratës e kanë pasur të detyrueshme për të marrë pjesë në mitingjet e qeverisë, përfshirë këtu edhe faktet që qeveria ka transportuar nëpunësit civilë në zonat jashtë Tiranës për të marrë pjesë në një miting të Partisë Demokratike.

Liria e shtypit: Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe përgjithësisht të pakufizuara, edhe pse ka pasur raste të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ekonomik e politik mbi mediat, duke përfshirë edhe kërcënimet kundër gazetarëve. Në disa raste, presioni politik dhe mungesa e fondeve e ka penguar median e shkruar dhe të pavarur, dhe gazetarët kanë pranuar se ata janë vet censuruar ndonjëherë për këto arsye.

Partitë politike, sindikatat dhe grupet e tjera kanë publikuar gazeta apo revista të pavarura nga ndikimi i qeverisë. Në Indeksin e tij vjetor të Qëndrueshmërisë së Mediave, organizata joqeveritare IREX vuri në dukje se pavarësia e mediave në vend ka rënë gjatë vitit, dhe më shumë media kishin rënë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të partive politike. Qeveria ka kontrolluar linjën editoriale të Radios dhe Televizionit publik Shqiptar, e cila vepronte me një kanal kombëtar televiziv dhe një stacion kombëtar radioje dhe, sipas ligjit, ka marrë 50 për qind të buxhetit të saj nga qeveria. Ndërkohë që stacionet private kanë operuar në përgjithësi të lira nga ndikimi i drejtpërdrejtë qeveritar, shumica e pronarëve besonin se përmbajtja e transmetimeve të tyre mund të ndikonte në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tjera të tyre. Pronarët e bizneseve gjithashtu përdoren lirshëm hapësirat mediatike për të promovuar interesat e tyre me të dyja partitë e mëdha. Shumë pronarë të mediave janë lidhur me udhëheqësit e qeverisë për të fituar favore apo për të shmangur taksat.

Dhuna dhe Ngacmimi: Ka pasur incidente të dhunës ndaj pjesëtarëve të mediave televizive gjatë vitit, dhe gazetarët kanë qenë të nënshtruar nga presioni i aktorëve politikë dhe nga biznesmenë. Më 8 qershor, truproja i një pronari fabrike çimentoje sulmoi gazetarët Dashamir Biçaku, Bledi Gilaj, dhe Thimi Samarxhi. Incidenti ka ndodhur jashtë Komisariatit të Policisë së Tiranës. Të tre gazetarët ngritën padi, dhe rasti vazhdoi deri në fund të vitit.

Censurimi apo Kufizimet në përmbajtja: Gazetarët vazhduan të ankoheshin se botuesit dhe redaktorët e censuronin punën e tyre drejtpërdrejt dhe tërthorazi në varësi të presioneve politike dhe komerciale. Shumë gazetarë u ankuan se mungesa e kontratave të punës shpesh pengonte aftësinë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive dhe i inkurajoi ata që të praktikonin vetë-censurën. Në kontrast me vitin 2011, kur ka pasur katër kontrata kolektive të punës për gazetarët, gjatë këtij viti nuk ka pasur fare kontrata të lidhura.

Transmetuesit dhe botuesit u ankuan se qeveria përdori blerjet e reklamave të saj për të mbështetur media të caktuara në vend. Reklamuesit private priren për të bërë të njëjtën gjë për shkak të frikës së inspektimeve tatimore.

Disa media kanë vazhduar të prodhojnë histori investigative, të cilat nganjëherë kanë çuar në shkarkimin nga puna të zyrtarëve të korruptuar publikë.