Kaluan kufirin në mënyrë të paligjshme disa herë, policia e Kakavijës vë në pranga tre të rinjtë

305
Sigal

Tre persona janë arrestuar nga Policia Kufitare e Kakavijës. Arrestimi i tyre u bë pasi ata arrestohen për “Kalim të paligjshëm të kufirit”. Personat e arrestuar janë ndëshkuar edhe herë të tjera me masë administrative po për kalim të paligjshëm të kufirit. Në prangat e uniformave blu përfunduan shtetasit me inicialet G. K., 29 vjeç, banues në Berat, J. K., 27 vjeç, banues në Kuçovë dhe O. B, 20 vjeç, banues në Vlorë.

Këta shtetas ishin paraqitur më parë në PKK Kakavijë dhe pasi janë njohur nga Policia Kufitare me rregullin se duhet të vetëkarantinoheshin 14 ditë me shpenzimet e tyre, nuk kanë pranuar të hyjnë në territorin shqiptar e janë larguar përsëri në tokën greke dhe më pas kanë hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër, ku dhe janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare.

“Nisur dhe nga situata aktuale e pandemisë, këta shtetas përbëjnë rrezik potencial në përhapjen e pandemisë duke shmangur me veprimet e tyre detyrimet që u lindin në bazë të kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve ngjitëse në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Gjirokastër i arrestuan në flagrancë shtetasit G. K., 29 vjeç, banues në Berat, J. K., 27 vjeç, banues në Kuçovë dhe O. B, 20 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.