Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen 2 persona në Gjirokastër/ Bashkëpunëtori i tyre ‘ia mbath’ nga policia, çfarë u gjet në makinë

120
Sigal

Dy persona janë arrestuar sot nga Policia në Gjirokastër pasi janë kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Sipas policisë, në pranga janë vënë shtetasit Genc Hilla dhe Lekas Jaku dhe është shpallur në kërkim bashkpuntori tjetër. Mësohet se 42- vjeçari u arratis në momentin që pa policinë. Po ashtu janë sekuestruar 3 automjete, 3 celularë dhe para.

Njoftimi:

DVP Gjirokastër/Goditen brenda disa orësh, 2 raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohen 2 operacione policore, të koduara “Road Guard 39” dhe “Road Guard 40”.

Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.

Sekuestrohen 3 automjete, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe DVKM Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore disamujore, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë finalizuar me sukses operacionet policore të koduara “Road Guard 39” dhe “Road Guard 40”, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., 45 vjeç dhe L. J., 49 vjeç, banues në Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 42 vjeç banues në Sarandë.

Arrestimi i shtetasve G. H. dhe L. J. u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Shkalla e zezë”, duke transportuar me automjetet përkatëse tip “Ford”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Shpallja në kërkim e shtetasit E. R., 42 vjeç, banues në Sarandë, u bë pasi sapo ka vënë re shërbimet e Policisë që ishin në ndjekje të tij, është larguar me shpejtësi dhe në hyrje të qytetit të Tepelenës ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.