Titullarja e Arsimit: Reformë mbi merita dhe nivel cilësor në shkolla!

538
Sigal

SARANDË/Intervistë e Katina Gogos lidhur me forcimin e traditës, reformën në arsim dhe synimet për të ardhmen

Për herë të dytë në historinë e arsimit të Sarandës, në drejtim, ulet një zonjë, madje një arsimtare me përvojë shumëvjeçare dhe me një C.V. të suksesshme. Kjo është mësuesja e fizikës në gjimnazin e Sarandës, Katina Gogo (Katina). Në C.V. e saj, krahas personalitetit të nderuar dhe të respektuar në Sarandë, shënohet dhe fakti se, në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, qe kandidate për deputete nga LSI-ja, ku falë respektit ndaj kësaj figure, LSI arriti rekord në vota… E sapo ulur në postin e shefes së arsimit të Sarandës, zhvilluam një bisedë me ‘të mbi synimet dhe projektet për arsimin e rrethit të ekstremit jugor të Shqipërisë. Katina na thotë se, do të ruhen vlerat e patjetërsueshme të arsimit sarandjot dhe do të përsosen më tej arritjet drejt standardeve bashkëkohore. “Askush të mos trembet për largim nga puna, ashtu si askush mos të mendoj se do qëndrojë apo do futet në arsim pa ju nënshtruar konkursit, kjo në interes të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe forcimit të disiplinës në procesin mësimor”,- pohoi ajo.

Zj. Katina, urime për detyrën! Ju vini nga një përvojë shumëvjeçare si mësuese në qytetin e Sarandës, pra dua të them se e njihni problematikën e arsimit të Sarandës dhe si e tillë, cilat janë pikat më emergjente ku do të ndaleni dhe a jeni e bindur tek zgjidhja e tyre?

-Përshëndetje dhe falënderime ju dhe gazetës “Telegraf”, pasi është hera e dytë që më intervistoni, njëherë si kandidate për deputete dhe tani në detyrën e re si drejtuese e arsimit të Sarandës, ç’ka unë e quaj një vlerësim nga ana e kësaj gazete. Ajo që dua të përcjell si kryefjalë e këtij bashkëbisedimi është fakti që arsimi në Sarandë ka arritur suksese dhe ky sukses vlerësohet nga ana ime dhe do të ruhet si vlerë, pavarësisht se përpjekjet do të bëhen drejt përsosmërisë së tyre deri në kapjen e standardeve bashkëkohore në shërbim të arsimimit dhe garancisë së të ardhmes sonë. Problematikën e arsimit të Sarandës e njoh në detaje dhe për këtë do të jem rigoroze në zbatimin e ligjshmërisë. Dhe kjo do të nisë që nga qelizat e arsimit parauniversitar, çerdhet dhe kopshtet, e deri tek shkollat e mesme, për zhvillimin e një procesi normal mësimor dhe edukativ. Natyrisht që, synimi kryesor është rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe si e tillë rritet edhe cilësia e mësimnxënies. Kjo, duke pasur një staf të kualifikuar të mësuesve, gjithmonë në bazë të ligjit, rregullave dhe udhëzimeve të MAS. Gjithashtu, synim tjetër imi në funksion të asaj që nënvizova më lart, është edhe vënia në funksion dhe bashkëpunim të trinomit; mësues-prind-nxënës. Këtu dua të nënvizoj edhe një risi në arsimin e Sarandës, atë të krijimit të shkollave komunitare si gjimnazi i Sarandës dhe Ksamilit, ku në mjediset e tyre zhvillohen bashkëbisedime me komunitetin prindëror, gjithmonë pas procesit mësimor. Synim tjetër është edhe reformimi i procesit të maturës shtetërore, pasi deri sot ka mbartur defekte në realizim të sajë, sidomos në administrim, dhe këto janë ndjerë në cilësinë e rezultatit të provimeve të maturës.

Rotacioni në drejtimin e institucioneve arsimore para universitare dhe në qoftë se po, si do të kryhet?

-Po, patjetër që do të ketë rifreskim, apo edhe ri qëndrim në rolin e drejtuesit të shkollës. Po këtu dua të sqaroj diçka. E para, vetë koha kërkon, apo imponon ndryshim të rolit drejtues edhe për vet faktin e një kohe të gjatë qëndrimi në këtë post, po kjo nuk do të jetë kriteri bazë i këtij procesi. Jo, garantoj për këtë! Çfarë do të ndodhë, lind pyetja e arsyeshme! Po e sqaroj! Ligji më detyron të shpallë konkurrim për këto vende pune, pasi deri tani janë pa konkurs. Dhe ky konkurrim për postin e drejtuesit të shkollës do të bëhet në bazë të udhëzimit të MAS për këtë proces dhe këtu nuk ka selektim siç përflitet. Pas rezultatit mund të qëndrojnë edhe ata që janë, apo ata që do rezultojnë fitues. Konkurrimi, pra, është i hapur dhe profesional. Nuk ka pse të lindin keqkuptime dhe keqinterpretime, edhe unë jam në këtë detyrë pas një konkurrimi.

Para dy vitesh personeli i mësimdhënës i Sarandës u përball me një furtunë shkarkimesh, shumica e të cilëve kanë fituar edhe dëmshpërblim edhe të drejtën e rikthimit në punë, kjo pas një procesi gjyqësor, i cili i ka konsideruar të padrejta këto largime nga puna. Pra, çfarë kriteresh do të ndiqen për emërimet e reja dhe njëkohësisht edhe për mbajtjen e vendit të punës, pasi të vijë një duhet të largohet një, organika është e plotësuar?

-Është e vërtetë kjo që thoni për përballjen e personelit mësimdhënës me fenomenin e shkarkimit nga puna dhe ky mosmotivim dhe mos meritim u saktësua në vendimet e gjyqësorit. Për rikthimin e tyre në punë do të ndiqet përsëri rruga e konkursit si dhe dëmshpërblimet e tyre do të paguhen deri tek qindarka e fundit. Dhe ky proces i dëmshpërblimit ka filluar para disa kohësh me një buxhet të vendosur enkas për këtë qëllim. Pra edhe emërimi, edhe mbajtja apo qëndrimi në punë do të jetë nën rezultatin e konkursit.

Një nga problemet më shqetësuese është disiplina gjatë procesit mësimor si dhe rendi dhe siguria në institucionet arsimore. Çfarë keni menduar për normalizimin e situatës?

-Do të kërkohet me forcë dhe me tolerancë zero forcimi i disiplinës në shkolla, me të gjitha format dhe mënyrat edhe me atë që theksova më lart në futjen e funksionimit të trinomit mësues-prind-nxënës me synim se me rritjen e përgjegjësisë prindërore dhe arsimore. Do të arrijmë suksesin, jo t’ja lemë vetëm shkollës këtë përgjegjësi, ajo është e përbashkët, kjo do të arrihet edhe në planin formal e profesional dhe patjetër do kemi rezultate cilësore në sistemin arsimor para universitar. Unë jam e sapo ulur në detyrë dhe në axhendë kam takime me drejtues të policisë dhe pushtetit vendor, ku një nga pikat e bisedimeve do të jetë rendi dhe siguria në shkolla. Them dhe kam besim se do arrijë diçka të mirë.