Ja si do të përzgjidhen mësuesit e rinj

631
Sigal

Shkolla Profesionale Industriale, Kamzë, shkolla e parë, ku aplikohet rekrutimi i mësuesve të rinj me konkurs

Shkolla Profesionale Industriale, Kamzë shënon shkollën e parë, ku aplikohet rekrutimi i mësuesve të rinj me konkurs. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, zj. Nikolla, ishte e pranishme në ndjekjen nga afër të konkursit të kandidatëve për postet vakante të mësuesve të matematikës, në këtë shkollë. Duke folur për këtë proces përzgjedhës, ku për herë të parë pas shumë kohësh aplikohet përzgjedhja e kandidatëve, bazuar në ligjin për arsimin parauniversitar, ministrja u shpreh se ndjehej shumë e ngazëllyer që

procedura e përzgjedhjes shpalosi një filozofi të re, atë të gjithëpërfshirjes, decentralizimit të vendimmarrjes, depolitizimit dhe zhvillimit të strukturave demokratike të shkollës. “Konkursi për mësuesit e rinj në Shkollën Profesionale të Kamzës, është shembulli i parë i procedurës përzgjedhëse të mësuesve të rinj në arsim. Konstatova me shumë kënaqësi dhe përshtypje mjaft pozitive nga komisioni (pra nga përfaqësues të bordit të prindërve, nga përfaqësues të këshillit pedagogjik të mësuesve), të zgjedhur me votë për t’u përfaqësuar në këtë komision, si dhe gjithë përfaqësuesve të tjerë të Drejtorisë Arsimore Rajonale, sikurse ligji e thotë”, u shpreh Nikolla. Ministrja e Arsimit ndoqi dhe një prej orëve të mësimit të zhvilluar nga një prej kandidatëve. “Pata kënaqësinë, gjithashtu të ndiqja një prej orëve të mësimit nga konkurrentët. Ishte lënda e matematikës, madje një temë speciale e sterometrisë: Teorema e tre pinguleve. Ndjeva që konkurrenti, pra mësuesi, pa dashur të shtojë më shumë, me aq sa pash unë, se mund të ishin edhe konkurrentë të tjerë që të sillnin risi, ishte komform gjithë atyre elementëve bazë, apo atyre teknikave të mësimdhënies që ofrojnë një interveprim dhe një të menduar kritik në një orë mësimi”, u shpreh Nikolla. Pasi Komisioni vendos për kandidatët më të mirë, përzgjedhja bëhet nga drejtori i shkollës. “Komisioni vendos për kandidatët më të mirë dhe pastaj bëhet përzgjedhja nga drejtori i shkollës. Drejtori i shkollës ishte i pranishëm, i ndoqi edhe orët, padyshim ka ndjekur dhe gjithë procedurat e tjera” konfirmoi Nikolla. Ministrja deklaroi se jemi në rrugën e mbarë të decentralizimit të këtij procesi dhe se, “janë procese që realisht do të na largojnë nga ato metodat e vjetruara, ku fliste politika, fliste nepotizmi, po pse jo fliste edhe korrupsioni. Ja, ky është një proces i pastër, i ndershëm, në të cilin janë aktorët më të rëndësishëm që u dhemb shkolla, sepse janë prindërit, janë mësuesit, është drejtuesi i shkollës dhe

drejtuesit e zyrës arsimore. Këtu realisht kërkohet një bashkëpunim dhe një ndërveprim për të mirën e shkollës, për të mirën e këtyre nxënësve të mrekullueshëm. Më bëri përshtypje edhe një fakt tjetër, pasi e shoh edhe këtu në klasën e informatikës,

megjithëse është shkollë profesionale, ka shumë vajza”. Pasi ndoqi nga afër procesin e konkurrimit, ministrja e shoqëruar nga stafi i shkollës, inspektoi disa prej klasave të ndryshme të lëndëve profesionale për të ndjekur procesin e mësimdhënies dhe për të dëgjuar nevojat si dhe kërkesat e nxënësve dhe të mësuesve të shkollës.

Info

Shpallen vendet vakante për mësues në lëndët përkatëse

Ngrihet Komisioni i Vlerësimit me votë

Komisioni përbëhet nga: prindër, mësues, përfaqësues të DAR, drejtori i shkollës

Komisioni vlerëson dosjet përkatëse të kandidatëve

Konkurrentët japin performancën e tyre në mësimdhënie

Komisioni vlerëson kandidatët më të mirë

Drejtori i shkollës përzgjedh fituesit