Tirana në kaos me puseta të hapura dhe pa banja publike

765
Pusetat pa kapak
Që qytetarët të mos rrezikohen nga rënia në puseta, të merren masa të menjëhershme për vendosjen e kapakëve të pusetave, pasi edhe pse janë rregulluar tek-tuk disa të tilla, ka ende edhe shumë puseta pa kapak, sepse hajdutët e kapakëve të pusetave vazhdojnë ende të vjedhin, madje edhe në mes të ditës dhe në prani të punonjësve të bashkisë. 

Hapja e banjove publike

Që qytetarët të mos ndotin mjedisin e tyre të përbashkët, të merren masa të menjëhershme për ndërtimin dhe hapjen e banjove publike dhe të mos mjaftohet me vendosjen apo instalimin e disa banjove portative, pasi këto janë totalisht në kushte anti-higjenike. Kujtojmë këtu se në kryeqytet ka patur disa banjo publike që funksiononin rregullisht dhe me kushte të plota higjenike. Disa prej tyre kanë qenë: tek Ushtari i Panjohur, në afërsi të Bankës së Shtetit, te ish-ndërtesa së Lidhjes së Shkrimtarëve, (ku në këtë vend, prej disa vitesh është ndërtuar një karburant).

Hapja e një zyre adresash

Që Tirana të konsiderohet me të vërtetë një “Metropol”, është e domosdoshme hapja e një zyre adresash, (kujtojmë këtu se një zyrë e tillë funksiononte para vitit ’90). Edhe kur Tirana ishte vetëm 300 mijë banorë, funksiononte një zyrë adresash, ku në këtë zyrë, çdokush mund të gjente fare lehtë personin që kërkonte. Hapja e një zyre të tillë adresash në kryeqytet padyshim që do ndihmonte jo vetëm qytetarët por dhe institucionet e shtetit, veçanërisht Ministrinë e Brendshme.

Përmirësimi i shërbimit urban

Që qytetarët ta ndiejnë veten e tyre më komod, duhet të përmirësohet shërbimi urban. Shërbimi urban në kryeqytet lën mjaft për të dëshiruar. Në shumicën e rasteve ky shërbim bëhet i besdishëm për udhëtarët që frekuentojnë këtë lloji shërbimi. Autubuzët jo vetëm që ndalojnë në çdo stacion më shumë se ç’duhet, por ecin edhe me shpejtësinë e breshkës. Si rregull është që autobuzët duhet të ndalojnë nëpër stacionet e përcaktuara që të zbresin dhe të hipin udhëtarët dhe jo të qëndrojnë gjatë dhe pa asnjë shkak. Po të zbatohet ky rregull atëhere udhëtarët ndjehen edhe më komodë pasi nuk ngjeshen me njëri – tjerin e për rrjedhojë edhe xhepistët nuk kanë hapësirë dhe mundësi për të vjedhur qytetarët. 

Pa ujë çezmat e qytetarëve, po jo në lavazhe që ka 24 orë!

Tashmë furnizimi i qytetarëve të Tiranës me uji të pijshëm, është mjaft shqetësuese. Nëse kohë më parë, Tirana furnizohej rregullisht me uji të pijshëm, tani ajo furnizohet me orare të reduktuara, duke u bërë kështu mjaft shqetësues për banorët e kryeqytetit. Nga ujësjellësi duhet të punohet më shumë për garantimin dhe sigurimin e ujit të pijshëm, duke shmangur kështu edhe shpërdorimin e ujit nga lavazhet e makinave. E të mos ndodh që në lavazhet e Tiranës, të ketë ujë për 24 orë dhe në çezmat e qytetarëve të ketë me orare të kufizuara. Me të drejtë qytetarët shprehen se fatura e ujit iu shkon rregullisht, ndërsa nëpër çezmat e tyre, mungon uji i pijshëm. 

Ndotja akustike

Që qytetarët të mos vuajnë nga ndotja akustike, të merren masa ndaj atyre që shkaktojnë zhurma të larta. Nuk e teprojmë të thuhet se Tirana, kryeqyteti ynë, të vuaj më shumë se çdo vend tjetër i botës, nga ndotja akustike. Gjithandej dëgjohen zhurma: nga shpejtësia e makinave dhe e motorrëve si dhe e borive të shpeshta të këtyre mjeteve, nga tregtarët që shesin kaseta në rrugë, nga banorë të banesave private që ngrenë zërin e magnetafonëve në kupë të qiellit, nga firmat e ndërtimit dhe nga lokalet e natës. Bashkia duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj atyre personave që sjellin këtë shqetësim mbarëqytetarë.

Monumenti i Skënderbeut, “Mollë e ndaluar” dhe “Ndal mos kalo”!

Jo vetëm për qytetarët e Tiranës por edhe për vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, monumenti i heroit kombëtar në kryeqytet është kthyer në një “mollë të ndaluar”, ku madje i ngjan dhe një postëblloku. Asnjë qytetar nuk mund të kalojë në drejtim të këtij monumenti, qoftë për të shkuar në anën tjetër të shëtitores apo qoftë për të bërë edhe ndonjë foto të çastit, pasi këtu është krijuar një livadh dhe që të mos shtypet apo shkelet bari i këtij livadhi, policia bashkiake nuk lejon askënd që të kolojë përmes tij. Atje nuk është lënë një hapësirë apo një shesh pushimi për qytetarët, kalimtarët apo dhe vizitorët e huaj që të shkojnë, të kolojnë apo të qëndrojnë tek monumenti i herojt kombëtarë. Në këto kushte është më se e domosdoshme që të krijohet mundësia e një rrugë-kalimi pranë monumentit të Skënderbeut, pasi në këtë vend, historikisht dhe tradicionalisht, njerëzit e kanë shfrytëzuar për t’u takuar me njëri-tjetrin si dhe për të bërë edhe ndonjë foto të çastit me bustin e herojt kombëtarë. Sakaq, do të ishte e udhës që të bëhej edhe një ndërhyrje në lulishten (livadhin) pranë këtij busti, që mund të bëhet sa më funksionale për qytetarët.

Vendosja e koshave për hedhjen e mbeturinave

Që qytetarët të mund të disiplinohen dhe të ndërgjegjësohen, të merren masa për shtimin dhe vendosjen e koshave të vegjël (për hedhjen e mbeturinave) përgjatë gjithë bulevardit, rrugë-kalimeve të qytetarëve, shëtitoreve dhe vend-pushimeve, që qytetarët të mos i mbajnë mbeturinat në dorë deri sa të gjejnë ndonjë kosh mbeturinash, apo t’i flakin në rrugë, por t’i hedhin në vendin e duhur (në koshat që duhet të vendos bashkia).

Korsi të veçanta për biçikleta

Të merren masa që qytetarët që ecin me biçikleta të mos lëvizin në vendet ku lëvizin njerëzit, por ata duhet të ecin në rrugën ku lëvizin automjetet, ose të caktohet një korsi e veçantë për ta. Sepse ndodh shpesh që nëpër rrugët e kryeqytetit, në vendet ku lëvizin qytetarët, lëvizin dhe biçikletat, madje edhe motorrat, ku në disa raste ka patur dhe rrezikshmëri për jetën e njerëzve. Deri më tani është aplikuar një praktikë tepër e gabuar pasi në disa bulevarde të kryeqytetit është vijëzuar me vija të bardha ku tregon lejimin kalimit të biçikletave. Në mënyrë absolute kjo nuk duhet lejuar, pasi vihet në rrezik jeta e kalimtarëve. Nëse do të caktohet një korsi e veçantë për biçikleta, ajo mund të caktohet në anë të rrugës ku lëvizin mjetet e tjera, por kurrsesi në mes të bulevardit apo shëtitores ku lëvizin njerëzit. Kjo aktualisht ndodh në blv. “Zogu l”, “Rr. Kavajës”, etj. 

Sinjalistika rrugore dhe vijat e bardha

Mungesa e sinjalistikës rrugore është një shqetësim jo vetëm për drejtuesit e mjeteve por edhe për qytetarët, pasi në disa vende mungojnë tabelat përkatëse, e për rrjedhojë humbet edhe orientimi, se ku duhet të kolojnë njerëzit dhe ku duhet të lëvizin mjetet. Në shumë rrugë të kryeqytetit mungojnë edhe vijat e bardha dhe për pasojë rritet edhe rreziku për këmbësorët.Në ato rrugë ku ka vija të bardha, padyshim që duhet të respektohen, si nga mjetet ashtu dhe nga këmbësorët. Por aty ku vijat mungojnë, nuk dinë se si të veprojnë as qytetarët dhe as mjetet. 

Rrugë me gropa, pa trotuare dhe trotuare të shkatërruara

Të gjithë i shohim se si janë rikonstruktuar rrugët në kryeqytet. Në disa rrugë të Tiranës, projekti i tyre është bërë sikur të jenë bërë nga projektues amatorë e jo nga profesionistë të kësaj fushe. Jo vetëm në lagje, por edhe në rrugët kryesore, të sheh syri rrugë pa trotuare ose trotuare të shkatërruara. Kjo përbën rrezik për lëvizjen e njerëzve. Qytetarët duke mos patur trotuare detyrohen të lëvizin në rrugët ku lëvizin automjetet. E për rrjedhojë edhe jeta e tyre rrezikohet nga ndonjë aksident i mundshëm. Ndërsa shumë rrugë janë pa trotuare ose me trotuare të ngushta, në bulevarde dhe shëtitore, trotuaret lën shumë për të dëshiruar. Ata janë shkatërruar plotësisht duke vështirësuar kështu edhe lëvizjen e njerëzve. Më evidente janë rrugët “F. Xhajko”, “A. Petrela”, “A. Vokshi”, si dhe përgjatë gjithë unazës. Dhe jo vetëm në rrugët kryesore kemi trotuare të shkatërruara, por edhe në bulevardet ku shëtisin qytetarët, ka trotuare të shkatërruara. Këto vihen re në blv.”Zogu I”, etj. i njejti shqetësim është edhe për rrugët. Në disa rrugë të Tiranës, jo vetëm për qytetarët, por dhe për drejtuesit e mjeteve është kthyer në një makth të vërtetë, pasi gropat nëpër rrugë sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë. Lëre pastaj, që sa herë bie shi në Tiranë, padyshim që edhe gropat mbushen me uji, e për rrjedhojë nga lëvizja e makinave me shpejtësi, kalimtarët mund të mos i shpëtojnë edhe ndonjë “sprucoje” të lagur. 

Parkimi i gabuar i mjeteve në rrugë

Edhe ky është një problem që bashkia duhet të marrë masat përkatëse, në mënyrë që drejtuesit e mjeteve të mos parkojnë mjetet e tyre aty ku të mundin dhe vend e pa vend, pasi kjo vështirëson si lëvizjen e mjeteve ashtu dhe të njerëzve. Mjetet i shohim të parkuara kudo dhe në vendin e gabuar, madje disa drejtues i parkojnë mjetet e tyre jo vetëm në anë të rrugës por edhe në trotuare ku kalojnë njerëzit. 

Ndriçimi në rrugët e lagjeve 

Ndonëse ndriçimi në rrugët kryesore të Tiranës është disi normal, në ato të rrugëve në lagje, lënë për të dëshiruar. Në këto kushte, qytetarët ndjehen të frikësuar, si nga pusetat pa kapak, ashtu dhe nga ndonjë “agresor”errësire.
Fasadat e pallateve, imazh jo i mirë për kryeqytetin
Një tjetër problem, jo vetëm për banorët e pallateve në kryeqytet, por edhe për bashkinë, është edhe krijimi i një imazhi jo të mirë nga fasadat e pallateve, veçanërisht të atyre pallateve të ndërtuara para ’90-ës, por që fasadat e tyre lënë mjaft për të dëshiruar, ku amortizimi i tyre duket i tejskajshëm. Fasadat e pallateve në kryeqytet shfaqen në tre pamje të ndryshme. Në pamje të parë të bie në sy pallatet e reja, padyshim me pamje dhe fasadë të rregullt. Pamja e dytë na ofron pallate me fasada shumë ngjyrëshe, por jo me ata të një dekori të larmishëm. Kështu p.sh, në katin e parë të një pallati është lyer me ngjyrë të kuqe ose të bardhë, ndërsa po në këtë pallat, në një kat tjetër, është lyer me ngjyrë jeshile ose blu. Ndërsa pamja e tretë na ofron një pamje krejt ndryshe, ku shumë pallate, sidomos ata 5-katëshet, janë me fasada tërësisht të amortizuara dhe të shkatërruara. Ashtu si kundër punët e tjera, edhe këtë problem, bashkia duhet ta vlerësojë me seriozitetin më të madh. Sepse në Tiranë, fasadat nuk i shohin vetëm qytetarët e Tiranës, por edhe vizitorët e huaj, që aq shumë janë shtuar këto vitet e fundit.

Karburantet, rrezik potencial

Karburantet në rrugët e Tiranës, janë bërë tashmë si tregtarët ambulantë, e pse jo, edhe si furrat e bukës. Jo vetëm që janë shtuar aq shumë, por edhe rreziku ndaj qytetarëve apo banesave përreth tyre, është mjaft i madh. Bashkia duhet të ndërmarrë masa urgjente ndaj këtij shqetësimi dhe ashtu siç po mbyllen disa biznese që nuk plotësojnë kushtet, edhe karburantet që përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve, duhet të mbyllen. Jo vetëm në rrugët kryesore por edhe nëpër lagje, të shikon syri gjithandej karburante, dhe jo vetëm të ndërtuara enkas, por ata janë hapur dhe funksionojnë edhe nëpër katet e para të pallateve, duke u bërë kështu padyshim edhe një rrezik potencial. Në qytete të tjera, karburantet ndërtohen jashtë qendrës apo unazës së qytetit dhe jo poshtë apo ngjitur me pallatet e banorëve. Edhe këtu në Tiranë, ata pronarë karburantesh që duan të ushtronjë biznesin e tyre, mund të zhvendosen në periferi ose në vende të përshtatshme. 

Lana, moçal dhe depozitë mbeturinash

Shqetësim për banorët e kryeqytetit është edhe lumi i Lanës. Hedhja e mbeturinave dhe mos pastrimi i tyre ka bërë që përgjatë gjithë segmentit të këtijë lumi, që nga Bërryli e deri tek Unaza e Re, të krijohet një situatë e pakëndshme për banorët për rreth. Pamja e këtij lumi të jep përshtypjen e një moçali uji dhe depozite mbeturinash. Më shqetësuese mbetet segmenti te Pallatit me Shigjeta, pasi në këtë zonë, veç mbeturinave të hedhura, uji qëndron në vend, e për rrjedhojë shkaktohet edhe era e keqe që të kundërmon duke u bërë kështu edhe burim infeksionesh. Ky problem është me të vërtetë shqetësuese për banorët e kryeqytetit, prandaj Bashkia e Tiranës ndoshta mund të ketë edhe ndonjë projekt afat mesëm apo afat gjatë për Lanën, por kjo nuk do të thotë se mund të bëhet pengesë për mos ndërhyrje në raste emergjente, siç është dhe rasti i Lanës. 

Kabllot, një tjetër shqetësim për qytetarët

Të gjithë e shohim me sy këtë realitet jo të mirë, se si mbi kokat tona qëndrojnë të varur kabllo të ndryshëm të çdo lloji. Në të gjitha lagjet e Tiranës, kudo dhe gjithandej të sheh syri kabllo të gjithëfar lloji: rreth mureve të pallatit, në shtyllat e rrugës, mbi tarracat e pallateve, në ballkone etj. Vitet e fundit, veç kabllove elektrik janë shtuar edhe ato të internetit, që përbëjnë shumëfishin e atyre të kabllove elektrik. Kërkesat në rritje për pajisje me internet, ka bërë që edhe shtrirja me kabllo të tillë, të jetë mjaft e madhe. Kudo dhe gjithandej të sheh syri se kabllo interneti janë shtrirë gjithandej dhe ku të munden. Sapo një qytetarë bën kërkesën për paisje me internet, i menjëhershëm është dhe plotësimi i kërkesës nga kompania përkatëse, duke marrë masa të menjëherëshme për shtrirjen e kabllove, ku as që nuk duhet të dinë se nga ku kolojën këto kabllo. Kujtojmë këtu se Ministria e Linjës përkatëse para disa kohësh ka marrë dhe një vendim për pastrimin dhe largimin e këtyre kabllove nga kompanitë parkatëse, që këta kabllo të mos shtrihen më mbi tokë, por të kalojnë nëntokësore. Me sa duket ky vendim ka rënë në vesh të shurdhër. Në këto kushte Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Ministrinë e linjës, duhet të marrë masa urgjente për zgjidhjen e këtijë shqetësimi. 

Trotuaret, ende të zëna nga tregëtarët e rrugës

Që qytetarët të ecin lirshëm, duhet të merren masa për lirimin e trotuarëve, pasi me gjithë punën e bërë deri më tani nga kjo bashki, ka ende edhe shumë trotuare të zëna, si nga tregtarët ambulantë ashtu dhe nga pronarët e lokaleve që ndodhen në anë të rrugës që nxjerrin karriget dhe tovolinat në trotuaret ku duhet të kalojnë njerëzit, me pretekstin se këta i lejon vetë bashkia, ku dhe paguajnë një tarifë simbolike të caktuar nga vetë bashkia. Por edhe nëse bashkia ka interes se këta pronarë paguajnë diçka për këtë favor që iu bëhet, kjo, kurrsesi nuk duhet të ndodh dhe as nuk duhet të lejohet, pasi është gjithçka në dëm të qytetarëve. Edhe tregtarët ambulantë vazhdojnë të shesin në rrugë dhe në trotuare. Dikush shet banane e fara kungulli e dikush tjetër shet misra të pjekur e paketa cigaresh. Sapo të shohin policinë bashkiake, tregtarët largohen dhe fshihen, dhe sapo ata largohen, tregtarët dalin përsëri në rrugë. Kjo ndodh pothuase çdo ditë. Këtij rituali të përditshëm duhet t’i jepet fund. Tregëtarët e vegjël nuk duhet të shesin më as në rrugë dhe as në trotuare, por ata duhet të sistemohen nëpër tregjet e ndërtuara enkas nga bashkia. 

Motorrat me zhurmë të lartë

Edhe zhurmat e larta të shkakëtuara nga disa tipa motorrash, janë një tjetër shqetësim, jo vetëm për banorët e kryeqytetit por edhe për vizitorët e huaj. Janë me dhjetra motorrë të tillë që qarkullojnë rrugëve të Tiranës e që ecin me një shpejtësi marramendëse e për rrjedhojë shkaktojnë edhe zhurma të larta, duke u bërë kështu edhe shqetësim për qytetarët. Disa drejtues të këtyre motorëve, madje ecin edhe nëpër trotuare, duke rrezikuar kështu edhe jetën e këmbësorëve. Eshtë për të ardhur keq por në disa raste, drejtuesit e këtyre motorëve bëjnë spektakël edhe përballë policisë rrugore, duke i shpërfillur ata. Në këto kushte bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me policinë rrugore, duhet të marrin masa ekstreme deri në bllokimin e këtyre motorëve që shkaktojnë shqetësime për qytetarët.

Ferit Shqefni 
Sigal