Thumana një vit pas tërmetit, dhjetëra familje në çadra

313
Sigal

Ka zgjedhur të sakrifikojë shëndetin për të ruajtur bagëtitë me të cilat siguron jetesën. Për këtë arsye Pashkë Gjonaj nuk ka mundur të shkojë në një banesë me qira që iu është ofruar përmes bonusit. Thuajse një vit nga tërmeti i nëntorit, çadra provizore ka zënë myk. “Prej këtyre nuk kam shkuar me qira, jetoj në çadër, e patë çadrën që është mykur. Nga halli, se për qejf, mos të kem bagëtinë. E shihni vetë sesi është mykur, jam edhe astmatike”, thotë Pashke Gjonaj.

Gjonaj tregon se në letra e ka përfituar dëmshpërblim vetëm për njërën hyrje të banesës, ndonëse ajo ka dy hyrje të ndryshme për 3 kurora. Madje, dhe dëmshpërblimin për një pjesë të banesës ende nuk e ka marrë. Përveç atyre në çadër, në Thumanë ka edhe familje që jetojnë në kontenierë, si ajo e Dave Piklit. Edhe këtu shiu nuk ka mbetur pa hyrë brenda.

“Jetoj këtu, e kam hequr dyshekun se më ka rënë shiu, e ka lagur edhe kur të thahet do e fus prapë vetëm. E kam rregulluar vetë me lekët e mija”, tregon Dave Pikli. Edhe Lisa Mandreja, për 5 muaj jetoi në çadër, por falë ndihmave vullnetare ajo tashmë banon në kontenier. “Që me 25 mars jemi në kontenier, këtu jemi më mirë, se nuk kemi frikë se na bie ndonjë gjë.

Në çadër është vuajtje, 5 muaj për mos t’i harruar, 5 muaj si me qenë në pranga. Me thënë të drejtën e vështirë është rrish në çadër, se ajo është për një, dy muaj”, thotë Lisa Mandreja. Shkatërrimin që ka lënë pas tërmeti e kanë përditë përpara syve. “Me thënë të drejtën, që kur ka rënë tërmeti ne nuk kemi hyrë, i shihni dëmtimet. Vendi është rrëmujë, se nuk hymë dot brenda”, shton ajo.

Ndaj 65-vjeçarja detyrohet që të gatuajë jashtë, pasi as në kontenier nuk ka hapësirë për gatim. Disa banorë kërkojnë ende dëmshpërblimet për banesat që të nisin riparimet, të tjerë presin ndërtimin nga e para të shtëpive të tyre. /Euronews