Tërmeti, hapen 94 milionë euro tenderë me “procedura të kufizuara”

370

Në ditët e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për tërmetin e 26 Nëntorit 2019, Bashkia Tiranë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë hapur tenderë me operatorë të përzgjedhur paraprakisht prej tyre për ndërtimin e shkollave dhe shtëpive, duke e trajtuar situatën si çështje emergjence, pavarësisht se të gjitha kontratat do të kenë afat dyvjeçar.

Sigal

Katër buletine të posaçme të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik gjatë javës së fundit kanë shpallur katër tenderë me procedurë “prokurim i kufizuar” me vlerë të përgjithshme prej 11 miliardë lekësh (94 milionë euro) për rindërtim shtëpish dhe shkollash në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Buletinet u publikuan mes datave 10 dhe 19 Mars dhe mbajnë titullin “Buletin Special”. Tre nga tenderët po zhvillohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa një i katërt, nga Bashkia Tiranë. Të katërta tenderët kanë lënë më pak se dhjetë ditë kohë për kompanitë e thirrura në tenderë për dorëzimin e ofertave.

Tenderi më i madh ka titullin “Rindërtimi i shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti,” dhe është thirrur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për një vlerë të përafërt kontrate prej 5.2 miliardë lekësh të ndarë në shtatë lote. Tenderi është shpallur me buletinin special të datës 10 Mars ndërsa kompanitë e thirrura do të duhet të përgatisin ofertat brenda datës 19 Mars. [link buletini] Kompania fituese do të ketë 24 muaj kohë për të përfunduar punimet.

Një kontratë e dytë për rindërtim shtëpish me fond limit 1.8 miliardë lekë, u njoftua nga Bashkia Tiranë, gjithashtu si garë “e kufizuar” dhe me afat punimesh 24 muaj.

Data e hapjes së këtij tenderi ishte 11 Marsi ndërsa afati i pritjes së ofertave është 23 Marsi.

Tenderi i tretë është thirrur nga FSHZH dhe ka të bëjë me rindërtimin e shkollave në të gjitha bashkitë e prekura nga tërmeti me përjashtim të Bashkisë Tiranë. Fondi limit është 4.2 miliardë lekë dhe afati i punimeve është dhjetë muaj.

Tenderi i katërt ka fond limit prej 41 milionë lekësh dhe ka të bëjë me mbikëqyrjen e punimeve  për tenderin e rindërtimit të shkollave.

Sipas ligjit të prokurimit publik, procedura e kufizuar që po përdoret në këtë rast është e tillë që “vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur nga autoriteti kontraktor mund të dorëzojnë oferta.”

Autoritetet kontraktore lejohet të përdorin këtë procedurë në rast se “malli,  shërbimi  ose  puna  përkatëse,  për  shkak  të  karakterit  të  tij/tyre  shumë  të ndërlikuar ose të veçantë, mund të furnizohen, sigurohen ose ekzekutohen nga operatorë ekonomikë, të cilët kanë kapacitetin e duhur teknik, profesional ose financiar.”