Tërmeti/ 1200 familje ende pa strehë, 1000 banesa deri në dhjetor

342
Sigal

“Një vit pas tërmetit, por çfarë ka ndodhur me rindërtimin? Situata me pandeminë duket se ka ngadalësuar ndjeshëm procesin. Qeveria ka vendosur një objektiv që të dorëzojë rreth 1000 banesa të reja për të prekurit nga tërmeti deri në fund të dhjetorit.”

Pavarësisht përpjekjeve përmbushja e këtij zotimi duket ende larg. Sipas të dhënave të Ministrisë për Rindërtimin, rreth 1200 familje nuk kanë ende një strehë, pasi vijojnë të qëndrojnë ende në çadra. Ndërsa pjesa tjetër e tyre, rreth 13 356 familje janë akomoduar përkohësisht në të gjithë vendin në banesa me qira.

Janë 34 miliardë lekë të alokuara në kuadër të rindërtimit, nga të cilat 31 miliardë lekë nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donacione të huaja dhe sipërmarrës shqiptarë. Sa i takon donacioneve të arkëtuara në buxhet, Financat raportojnë se deri në fund të shtatorit arritën vlerën e 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro, teksa presin që deri në fund të vitit kjo shifër të arrijë në 3 miliardë lekë.

Deri më tani, janë nënshkruar 18 marrëveshje me një vlerë prej 260 mln euro për grante nga donatorët e huaj, para që nuk kanë kaluar në buxhetin e shtetit, por janë vetë ata që po i zbatojnë përmes projekteve.

Për këtë vit, janë përcaktuar 5 njësi zbatuese për projektet e rindërtimit, ku Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka marrë pjesën më të madhe të fondeve me 10.3 miliardë lekë, Bashkitë e prekura 9.5 miliardë lekë, 6.9 miliardë lekë për Bashkinë Tiranë si dhe 137.4 milionë lekë për Agjencinë Kombëtare të Territorit.

Më konkretisht, FSHZH do të kryejë projektet e zbatimit për 4 546 banesa kolektive dhe 3470 banesa indivduale në 10 bashki të vendit, ku aktualisht ka nisur puna për ndërtimin e 909 prej këtyre të fundit. Ndërsa Bashkia Tiranë, do të kryejë projektet e zbatimit për 526 banesa indivduale në total, si dhe 38 objekte arsimore. Aktuliasht, ka nisur puna për ndërtimin e 3 prej tyre.

Por, duket se procesi ka hasur edhe ngërçe gjatë zbatimit pasi Kamza ku parashikohet ndërtimi i 219 shtëpive nuk është prokuruar ende me sukses.
Ndërsa për vitin e ardhshëm, qeveria ka parashikuar një fond prej 28 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit për rindërtimin si dhe një shtesë fondi prej 1.5 miliardë lekë për bonusin e qirasë.