Dokumenti/ Kuvendi zgjedh sot kryeprokurorin e ri të vendit

423
Sigal

Kuvendi i Shqipërisë pritet të zgjedhë gjatë ditës së sotme prokurorin e ri të Përgjithshëm të vendit, me një mandat 7 vjeçar.

Teksa kanë mbetur edhe dy javë nga skadimi i afati 1 mujor, Parlamenti e ka përfshirë në agjendën e punimeve të ditës së enjte zgjedhjen e kryeprokurorit.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka përzgjedhura tre kandidatura për këtë pozicion, duke renditur të parin me diferencë pikësh, prokurorin Olsian Çela (459 pikë), ndërsa pas tij renditet kryeprokurorja e përkohshme aktuale, Arta Marku (406 pikë) si dhe Fatjona Memçaj (362 pikë).

KLP-ja ka depozituar pranë Kuvendit tri kandidaturat më 21 nëntor, ndërsa deputetët kanë afat deri më 21 dhjetor për miratimin e njërit prej tyre si prokuror i Përgjithshëm i vendit për një periudhë prej 7 vjetësh pa të drejtë rikandidimi.

Votimi i tyre vjen ndërkohë që në tre qarqe të vendit është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit të fortë të mëngjesit të 26 nëntorit që shkatërroi mijëra ndërtesa kryesisht në Durrës dhe Thumanë.

Aktualisht, kryeministri Edi Rama ndodhet jashtë vendit dhe ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Parlamentit.