Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Kur qesh dhe qan Kadareja

391
MEÇAN HOXHA
GJENIA E KADARESË NË PENËN E
I bindur në madhështinë e penës të  Ismail Kadaresë dhe shërbimin e vyer që talenti i tij i ka bërë Kombit tonë, shkrimtari Shpendi Topollaj, pasi ka shkruar dhe analizuar gjerë e gjatë krijimtarinë e të tjerëve, duket se njerin nga 25 librat e tij me kritika letrare, detyrohet t`ia kushtojë vetëm jetës dhe veprës së tij. Libri i porsa ribotuar nga shtëpia botuese ‘Jozef’ , “Kur qesh dhe qan Kadareja”, në penën e këtij poeti të mençur e shpirtmadh të kritikës, merr përmasat e një rrëfimi të sinqertë dhe plot dashuri, për atë që bota mbarë e ka thënë fjalën e vet dhe që dikush e ka quajtur “më i madhi shkrimtar i gjallë i kohës” apo “Kalibrin më të jashtëzakonshëm të këtij shekulli”. Pa teprime e stërhollime të dala mode, ai na e paraqet Ismailin njeri dhe krijues, si pasuri të paçmuar të të gjithë shqiptarëve, si mburrjen dhe krenarinë e padiskutueshme të tyre. Madje, ai gati revoltohet, kur sheh se miopia apo më keq, ligësia e disave, mundohet t`ia ulë vlerat atij. I krahason me të drejtë ata me xhuxhat e Aufenbergut që duke hipur në shpinën e gjigantit, thoshin se janë më të mëdhenj se ai. Ndaj dhe librin e çel me fjalën e latinëve të vjetër “O Kombe! Ruani njerëzit  e mëdhenj se përmes tyre do t`ju njohë bota.”  Fillimisht, ky autor, Kadarenë na e ka paraqitur si njeri. Me një prozë poetike mjaft të këndshme, ai, në shkrimin me titull “Një ditë e paharruar” na jep portretin e Ismailit me ngjyra të ngrohta dhe të gjalla. I veshur pa ndonjë kujdes të veçantë, me një palë syze të zakonshme, të zeza dhe të rënda, ai, di të vlerësojë dhe të ndihmojë të tjerët. Është i drejtpërdrejtë në marrëdhëniet me njerëzit. Nuk kërkon nderime formale. Ka një thjeshtësi të natyrshme, nga e cila shpesh të duket naiv e fëminor. Flet qetë dhe jo me fjalë të zgjedhura. Të sheh drejt e në sy, të dëgjon me vëmendje dhe shumë i përqendruar. Nuk mban njeri në gojë dhe nuk shfaq asnjë lloj përbuzjeje për ndonjerin. Vetëm i ka mbetur merak që nuk ka futur ndonjë rrahës profesionist t`ja zbusë kurrizin ndonjë kritiku rrugaç. Dhe mbi të gjitha, po të të quante mik, ai bëhej Pilad i përjetshëm. Dhe njeri që në asgjë nuk të kujtonte komunistin. Për më tepër, me kalimin e kohës, në biseda intime e stigmatizonte atë.     Pra, plotësisht koherent me ato që shkruante. Dhe që ai që donte ta kuptonte, s`e kishte të vështirë ta bënte këtë. Për të mos thënë se gati në të gjithë librat që shkroi e botoi aso kohe, përveç dukjes, ai lexohej edhe midis rreshtave. Dhe Shpendi, jo pa qëllim citon shkrimtarin e mrekullueshëm Visar Zhiti, i cili pohonte se atje në burg ku qenë, e prisnin me padurim një libër të Kadaresë, pasi aty shihnin se deri ku kishte shkuar puna me sistemin. Më tej, Shpendi Topollaj analizon disa nga veprat e këtij shkrimtari që sikurse thotë në parathënien e tij “… në çdo kohë dhe në çdo rrethanë ka marrë pjesë në gëzimet dhe hidhërimet e vendit të vet, pra ka qeshur dhe ka qarë së bashku me popullin e tij.”  Romanin “Qyteti pa reklama” ai  e quan “Provë e pakundërshtueshme e antikonformizmit të Kadaresë. Për “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” Shpendi, duke mos u pajtuar me ata që bëjnë thirrje për të mos u marrë shumë me të kaluarën, i referohet Ciceronit që thosh se “Të mos dish se çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh, është njëlloj si të mbetemi gjithmonë fëmijë.” Autor i disa librave për mitologjinë, Sh. Topollaj rezonon bukur në analizën e këtij romani, me figuracionin e përdorur nga Kadareja. Po shkëpus një fragment nga kritika e tij: “Dhe shihni ç`ngjet: ndërsa grekët me gojën e Homerit pohonin se kur tërhiqej zvarrë nga Akili, Hektori qe i vdekur, dhe romakët nëpërmjet Virgjilit mbronin mendimin se Akili ia shpoi këmbët Hektorit dhe në ato vrima futi litarin për ta tërhequr, por që fundja, askush nuk e vinte në dyshim se i prekur nga lutjet e të atit, ai ua ktheu trojanëve trupin e të vrarit, mijra vjet më vonë, në një vend që qëndronte midis tyre dhe që ndofta qe më i vjetër se ata, do të shfaqeshin ca monstra që do t`ua kalonin në ligësinë e fantazisë dy të parëve, duke inskenuar një vrasje në kufi, me aktorin e dështuar fatkeq, tashmë ushtar, Lul Mazrekun, për të tmerruar e frikësuar turmat e njerëzve të mjerë, në një kohë që kishin vrarë sa kishin mundur, vetëm pse donin të braktisnin “parajsën” socialiste dhe as e kishin marrë mundimin që prindërve të tyre,  t`u tregonin të paktën varrin.”   “Darka e gabuar” është romani tjetër me të cilin merret kritiku Sh. Topollaj. Në shkrimin për të dhe të titulluar me ngazëllim “Të lumtë pena Kadare!” ai e quan këtë roman si një dhuratë shumë të çmuar për popullin tonë, me rastin e 100- Vjetorit të Pavarësisë. Ai e konsideron romanin në fjalë vazhdim të “Kronikë në gur”, pasi në të mbizotëron pak a shumë po ajo atmosferë, ai mentalitet, ajo psikologji, herë – herë dhe po ato personazhe. Gati – gati, thotë ai, ndodhemi para një diologjie. Për këtë roman, për fantazinë e gërshetuar me realitetin, për ngarkesat e ngjarjeve dhe ato ideo – artistike apo emocionale që na jep, Topollaj e ka quajtur si veprën më të arrirë të këtij shkrimtari në vitet e demokracisë. Ai shprehet se për një libër të tillë, duhet vetëm mendja gjeniale e Kadaresë, të cilit padrejtësisht i është mohuar dhënia e çmimit Nobel. Ai tërheq vëmendjen edhe për gjuhën që Kadareja përdor. Ajo është pa gorgorizëm, pra pa kujdesin e tepruar në të shprehur, me qëllim që të tingëllojë artificialisht, por që ëmbëlsohet me eufoninë e njohur të tij. Shpendi vë re edhe faktin se Kadareja me aftësitë e tij të rralla mund të shkruaj edhe për eskimezët, edhe për indigjenët, edhe për alienët, por ai ka vendosur të merret dhe t`i shërbejë popullit e vendit të tij.   Një vend të rëndësishëm në këtë libër, zë edhe studimi “Shkrimtarë, shqiptarë, miq”, ku ai duke hyrë në kuptimet dhe nënkuptimet e librit monografik të autores me emër, Fatime Kullit “Uragani i meteorëve”, me nëntitull “Bilal Xhaferri përballë Kadaresë”, dhe me anë faktesh, deduksionesh e induksionesh dhe me një llogjikë të hekurt, u kundërvihet atyre që duan të përzjejnë sipas parimit romak “Obscurum per Obscurur” që don me thënë “të shpjegosh diçka të errët me diçka më të errët”, Kadarenë me ata që e luftuan atë shkrimtar atdhetar, antikomunist dhe me shumë perspektivë. Kritikën që ai i bëri romanit “Dasma”, edhe vetë Ismaili e quan të arsyeshme, pasi sikurse shprehet Topollaj, ai e di saktë atë thënien e Horacit se “Edhe Homeri i mirë, nganjëherë fle.” Shpendi, këtu gjen rastin që të na pasqyrojë edhe mosmarrveshjet mes Ismailit dhe prof. Arshi Pipës dhe kujton një darkë te “Rogneri” kur ai i pohoi se kam gabuar me Arshiun.       Dhe kulmin e apologjisë, mendoj se kritiku Shpendi Topollaj e mbërrin kur u drejtohet atyre që duan ta ngatërrojnë Kadarenë me një letër që ai ja dërgonte Nexhmije Hoxhës dhe që ata, me zellin e miut, e paskan zbuluar. Duke bërë fjalë për thënien e Kadaresë se ca të paduruar në perëndim po më quajnë disident, Topollaj, ndër të tjera shkruan: “Njohës i thellë i mitologjisë, ai na le përshtypjen se sapo është konsultuar me orakullin në tempullin e Delfit, atje ku dikur shkoi vetë mbreti i Lidisë, Krezi (se dhe vetë është mbret në fushën e letrave), dhe i zgjedh fjalët, duke i mëshuar “të paduruarve”. Pra,  ata duhet të presin edhe ca.”  Shpendi i quan mjeranë ata që mprehin shpatat e ndryshkura kundër Kadaresë. Ai u kujton atyre thënien e një gojtari të vjetër se “Lapsi është më i fortë se shpata.” Ngritja e zërit në mbrojtje të Kadaresë, sipas Topollajt, është mbrojtje që i bëhet në përgjithësi kulturës dhe të ardhmes tonë. Me mjaft përgjegjësi e mprehtësi janë trajtuar si libri studimor i shkrimtarit durrsak Met Dervishi “Intertekstualja dhe disidentja te “Dimri i vetmisë së madhe” ashtu edhe dy librat e tjerë të gjeniut tonë, romani aq i mirëpritur “Darka e gabuar” dhe “Shtërgu i fundit” që bën fjalë, për një këndvështrim të pazakontë të autorit, për diçka pa rëndësi në dukje, pra dashurinë e Lasgush Poradecit në moshë të thyer për Ana G. Ja si shkruan Shpendi për këtë: “Veç duhet pranuar se atë së pari e pa dhe e kuptoj, për të mos thënë e përligji, një tjetër mendje superiore, ajo e Ismail Kadaresë. Marsel Prusti për stilin e shkrimtarit ka thënë se ashtu si dhe për pikturën, nuk është çështje teknike, por është çështje botëvështrimi. Dhe botëvështrimi nga ana e tij është i shkallëzuar; nga e zakonshmja deri te gjenialja. Dikush mund të dyshojë dhe të thotë se çfarë do t`i pëlqente Ana G. plakut Lasgush, me atë pallton e vjetër, kapelen e zezë republikë strehëmadhe dhe shkopin ku mbahej. Por përtej kësaj, ai vazhdonte të ishte një shpirt. Një shpirt i pashoq, i bukur, plot jetë, që ngazëllehej njësoj, si nga vala e liqerit, si nga kërcitja e një lopate  të varkës që voziste tek kthehej pas peshkimit, si nga ajo shqiponja që po arratisej tutje ndë Mal të Thatë, ashtu dhe nga bukuria e një gruaje, gati si Ana Kern”.     Në këtë libër, janë përfshirë edhe pjesë nga intervistat televizive që Shpendi ka dhënë me gazetarë të nderuar dhe që i takojnë Ismail Kadaresë, “Nderi i Kombit” dhe fituesit të sa e sa çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, dhe krijimtarisë së begatshme të tij.  Veç dua të theksoj se ai, kudo që të ndodhet, qoftë edhe në biseda të lira rreth tavolinës në kafene, me fjalë të arsyeshme dhe të zjarrta, si pakkush, i bën apologjinë jetës, talentit dhe veprës së Kadaresë në favor të Atdheut e çështjes tonë kombëtare. Po shkëpus nga libri “Kur mendja bashkohet me zemrën – Shpendi Topollaj, shkrimtari, njeriu” (vol. III – të), një shkëmbim mesazhesh mes tyre, për ta ilustruar këtë që thashë:
     “Urim Kadaresë! 
   (Me rastin e akordimit të titullit “Komandant i Legjionit të Nderit” dhënë nga Presidenti i Republikës Franceze).
    I dashur Ismail!
     U mrekulluam nga vlerësimi që t`u bë. Pas 500 vjet krenarie me një Princ të Krishterimit në mbrojtje të qytetërimit të Evropës me shpatë, vendit tonë i duhej një Princ i Letërsisë në mbrojtje të kulturës së saj me penë; gjë që ti e realizove kaq bukur. Përherë Atdheu do të të jetë mirënjohës si një nga burrat më të shquar të tij.
                                                                      Shpendi
                                                                02.05.2016”     
Dhe përgjigja:
     “I dashur Shpendi!
Së bashku me Helenën ju falenderojmë nga zemra për urimin tuaj të ngrohtë dhe aq të dashur. Ju keni qenë përherë i pranishëm në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës sonë. Për këtë dhe shumë të tjera ju jemi mirënjohës.
                                                 Ismaili dhe Helena
                                                          02.05.2016”
       Gjithashtu, në fillim të këtij libri janë botuar edhe dy poezi mjaft të goditura për Kadarenë, të poetëve të njohur Agim Bajrami dhe Ymer Nurka, nga të cilat po shkëpusim vetëm strofat e fundit:
             I falem flladit të pranverës,
            I qeshem ditës që po vjen,
           Me fatin puthem hera – herës,           
          Se jam si ti, një gjak, një gen. 
                                       (A.B. “Ismail Kadaresë”)
     Legjendat e bëmat, dhe brengat e gjëmat,
     U mblodhën të gjitha vetiu,
    Stërgjyshërit e gjyshërit dhe etërit e nënat,     
    Gëzuan: Ja erdhi Gjeniu!
                                         (Y.N. “Ja erdhi Gjeniu”)
Sigal