Sektori i turizmit 75 milion euro humbje për tremujorin e tretë të 2020

53

Sipas Këshillit Botëror të Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), kontributi i turizmit në PBB-ën botërore ka qenë 10.3%. Në shtator WTTC, parashikoi si skenarin më të keq të mundshëm për ecurinë e turizmit si në vijim:

  • ulje me 70% të udhëtimeve ndërkombëtare;
  • ulje me 64% të udhëtimeve brenda vendit;
  • rënie të vendeve të punës në sektorin e turizmit me 197.5 milion;
  • një rënie të efektit që ky sektor ka në PBB me 5543 bilion dollar.

Situata në Shqipëri

Grafiku 1. Numri i vizitorëve rezident dhe jo-rezident, tremujore (2019-2020) Burimi : INSTAT

Në grafikun e mësipërm jepen statistikat në lidhje me numrin e vizitorëve në Shqipëri për vitin 2019-2020 të ndarë në tremujore. Për shkak edhe të kufizimeve në lëvizje, vërehet një ulje e ndjeshme e vizitorëve jo-rezident për 3 mujorin e parë dhe të dytë të 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Por nëse do të krahasojmë tremujorin e tretë të 2020 me tremujorin e tretë të 2019 rënia e numrit të turistëve është rreth 43.3%.

Pavarësisht masave të marra për të nxitur shqiptarët për të pushuar në Shqipëri, përsëri impakti nuk ka qenë i lartë. Dhe kjo e ka një shpjegim, pasi gjendur përballë një të ardhme të pasigurt në lidhje me vendet e punës, apo edhe kufizimet për lëvizje kjo i nxitë individët që të kursejnë më shumë dhe të shpenzojnë vetëm për të mirat e nevojshme duke hequr pjesërisht edhe dorë nga pushimet. Por përveç se e parë në aspektin ekonomik, frika e infektimit dhe pasiguria e grumbullimeve i nxisin njerëzit që të minimizojnë lëvizjet dhe për pasojë edhe shpenzimet.

Grafiku 2. Numri i netëve të qëndrimit T3.2019-T3.2020 Burimi : INSTAT

Në grafikun 2 paraqitet numri total i turistëve që kanë qëndruar në secilin nga tremujoret e 2019 dhe 2020 dhe sikurse shihet kemi një rënie me 44.9% të numrit të netëve të qëndrimit.

Sipas studimit të INSTAT të vitit 2018 “Turizmi në Shifra”, një turist në Shqipëri shpenzon në një ditë 63 euro mesatarisht.

Numri i netëve të qëndrimit nga tremujori i dytë i 2020 në tremujorin e dytë të 2019 ka rënë më 892,318 netë qëndrimi. Numri i turistëve për të njëjtën periudhë kohore ka rënë me 283,851 individë. Ku një shtetas  i huaj ose jo shpenzon mesatarisht  4.2 ditë qëndrimi në Shqipëri.

Kështu rezulton se mesatarisht në tremujorin e tretë të 2020 krahasuar me tremujorin e trete të 2020 sektori i turizmit ka humbur 75 milion euro. Gjendur përballë një humbje të tillë, ky sektor ka qenë ndër më të goditurit dhe nga sektorët që nuk kanë marrë mbështetje.

A duhet të kërkohen lehtësime fiskale për këtë sektor, ose shtyrje në kohë të detyrimeve tatimore?  Mbështetjet bëhen më të pamundura nëse analizohet buxheti i 2021, i cili është konsideruar “buxheti  optimist” prej disave dhe “buxheti elektoral” prej të tjerëve. Duke iu referuar trajktoreve të shpenzimeve qeveritare sipas këtij buxheti, rezulton se sektori mund të hasë vështirësi në aksesin e mbështetjes qeveritare.