Libri “Biri” i Flutura Açkës, Tiranë 2020
Rrëfimi i Flutura Açkës, edhe pse shkon përtej perceptimit të një burri, ka diçka të prekshme prej përjetimeve të mia. Fillova ta lexoj me paramendimin se do të shkruaja diçka, ashtu siç bëj për çdo libër, por erdhi një çast kur, përveç rrëfimit, gjeta përmbushjen e një amaneti dhe një analizë shteruese të asaj që kishte ndodhur. “Kjo është zija ime – personale. Edhe ky libër është pjesë e kësaj zie, e këtij bashkëbisedimi të gjatë, nuk është ftesë për ta ndarë atë me të tjerë, as për të treguar imtësitë e jetës sime që nuk i hyjnë kujt në punë, por është një bisedë e hapur e imja me Birin, që mund të jetë njëherësh edhe një bisedë e hapur edhe e prindërve të tjerë me fëmijët e tyre. Prindër si unë – të pabir.” (f.347). Kam parë shumë përmendore në Shqipëri dhe nëpër botë, prej guri, druri, balte, bronzi, alabastre, kam ndier mungesën e shumë të tjerave, por, kur isha ende në gjysmën e këtij libri, pashë një përmendore tjetërsoj: prej fjalësh dashurie, e lehtë për t’u zhvendosur si fllad përmbi glob, e aftë për t’u përballur me statuja gjigante, që flasin më pak prej kësaj. Siç deklarohet më lart, gjeta një dalje fisnike nga ajo kornizë tradite që lidhet me dyzet ditët e pasvdekjes, me gjashtë muajt e parë, me vitin e parë… Kur copëzat e rrëfimit që më bënë të përloten e kaluan numrin tre, bëra shtesën e fundit të personalizimit vetjak. Shkrimtaren Flutura Açka e kam takuar vetëm një herë në Pogradec në promovimin e një libri të Bujar Balliut, kisha dëgjuar për librat e saj, pa lexuar asnjërin prej tyre, po kjo humbje e birit më bëri të ndjehem afër saj gjatë shtatë ditëve që vazhdoi leximi. Në kapërcyellin e viteve 2019-20 kam qenë për vizitë në Utrecht dhe, po të isha njohur me këtë humbje që atëherë, ndoshta mund të kisha pirë një kafe me nënën e Birit. Në disa raste mallëngjimi më ka çuar deri në përlotje dhe po i risjell këto çaste pa pretenduar se janë të vetmet, as se mund të kenë të njëjtin efekt mbi lexuesit e tjerë. Mallëngjimi 1: Biri është në sallën e reanimacionit dhe kërkon nënën: “Peti, infermierja…më afrohet kur unë nis të qaj. “Edhe unë jam nënë,” thotë, dhe më kap nga supi që dridhet nga dënesa. (f.59) Mallëngjimi 2: Biri e di se do të vdesë: “Mam, do të shkruash një libër për mua? – Libër për ty? Po përse? – Ja për këto dhimbjet e mia të tmerrshme.” (f.63) Mallëngjimi 3: Përcjellja e dhimbjes tek të afërmit: “Kujtoj time motër, e cila qan po aq sa unë në Firenze… (f.74) Kujtoj dhe unë motrën e madhe që e përjetoi thellë ndarjen aksidentale të vëllait tonë të mesëm, një goditje tjetër e përmasave për nënën tonë që nuk arriti ta hiqte mirë shaminë e zezë. Vëllai ynë u vra duke drejtuar makinën kur ishte 38 vjeç. Nuk do të kalonin as katër vjet dhe do ndahej nga jeta motra e madhe, 53 vjeç. Mendo, o Flutur, një nënë tri herë zemërpërvëluar. Sepse çdo vdekje ka malin e vet të dhimbjes dhe nëna ime i mbajti ata tre male katër vjet mbi supet e shpirtit. Mallëngjimi 4: Flutura Açka takon Tinka Kurtin së cilës i kishte vdekur i biri pak kohë më parë: “Qaj, Tinkë, – i thashë, po qan për fëmijën tënd, të vetmin që kishe… Zija jote është jotja dhe mos e ler të ta marrë njeri.” (f.99) Mallëngjimi 5: Mjekja e familjes i flet Birit dhe prindërve të tij: “Është e para herë që nuk mund të shëroj dot një pacient kaq të ri. Kaq i ri, kaq i dashur, që thotë vetëm faleminderit, që nuk ankohet kurrë, që vetëm buzëqesh. Unë jam e mahnitur prej teje, jam aq e prekur prej teje, bir” (f.124) Mallëngjimi 6: Mjekja u thotë atit dhe birit se skaneri ka zbuluar metastaza në mushkëri dhe ata dalin nga qendra mjekësore: “Ai më hodhi krahët në qafë e më tha: Të dua, babi!” Nuk dija ku të futesha nga dhimbja. (f.158) Mallëngjimi 7: Ceremonia e lamtumirës, një grup i vogël nga ekipi i regbisë ku luante Biri, mbajnë arkëzën e rëndë ku rri i ndryrë miku i tyre dhe nga pezmi duket se ende nuk e kuptojnë si duhet se tani janë në një lojë të çuditshme që nuk e kanë menduar kurrë se do ta luanin. (f.184) Mallëngjimi 8: Sërish ceremonia e përcjelljes, një vajzë e imët, me një gërshet të hollë në anë të flokëve të gjatë, e takon nënën me gishta që i dridhen dhe i thotë se është shumë e trishtuar dhe e ka dashur shumë birin e saj. (f.188) Mallëngjimi 9: Lezja e pyet Fluturën pse është me të zeza: “Ia shpjegova ngadalë. Lezja qau bashkë me mua dhe u lut disa minuta në heshtje, pastaj u ngrit dhe më përqafoi.” (f.248) Mallëngjimi 10: Babai i Bonitës nga Amerika Latine, gjatë ndarjes i thotë nënës Flutur: “Kujdesu për të. Ai është edhe djali im.” (f.270) Mallëngjimi 11: Nëna i lutet mjekes të gjejë një ilaç për birin që po jep shpirt dhe ajo i përgjigjet: “Ai nuk do të zgjohet më!…Lëre të ikë…” (f.361) Njeriu që ka humbur një nga të dashurit e familjes, fillon vë re dhe gjen ca shenja të çuditshme, pastaj përpiqet të vendosë lidhje që mbase nuk ekzistojnë. Ja ç’ka veçuar Flutura Açka për Birin e vet: Në avion ishte një vend i lirë pranë saj, sikur të ishte rezervuar për Birin. (f.17) Biri u tha lamtumirë 18 ditë e 18 orë para se të mbushte 18 vjeç. (f.22) Më 13 janar 2018 nëna-rrëfyese u zgjua në mëngjes nga një klithmë pulëbardhe ose korbi. (f.54) Birit iu shfaq si në jerm një grua me fytyrë të zezë që e joshte me zërin e së ëmës. (f.94) Nëna futi në dhomën e birit ulësen e dhomës së ndenjes, të cilën nuk e nxinte dera. (f.118) Flutura Açka humbi djalin e saj të vetëm kur ai ishte vetëm 18 vjeç dhe këtu fillojnë një pafundësi “pse? Shumica e të cilave nuk mund të marrin përgjigje, prandaj këtu më poshtë ka vetëm pak përgjigje dhe ato janë mjaft të diskutueshme. Po e “hante” pranvera e tij ngaqë ai ishte më i bukur. (f.130) Biri mori më të mirat e të dy kulturave (shqiptare dhe holandeze – K.N.), ndoshta edhe sepse ishte një qenie kureshtare, e hapur, pranuese dhe me një shkallë të admirueshme analize. Dhe maturie. Dhe racionaliteti. Dhe mbindjeshmërie. Dhe inteligjence. Dhe mirësie. (f.201) Portreti i Birit në sytë e Nënës: “Të vetmet që mori (me vete në tejjetë – K.N.), ishte mendja e tij brilante, zëri i butë, e qeshura e pa të dytë, vështrimi i trishtuar, zemra bujare, etja për dije, kureshtja ndaj botës, racionaliteti tronditës, dhimbja ndaj të dobëtit, mendja e hapur, ironia e hollë, shkujdesja ndaj vogëlsirave, dukja krenare, natyra e ndjeshme, politesa befasuese dhe gjithçka që e bënte të virtytshëm dhe të respektuar.” (f.313) Znj. Açka, Biri yt ishte tepër i mirë për këtë botë të padrejtë e mizore. Kur vdekja troket në derën e një shkrimtareje, thellë nga rrënjët e dhimbjes mbijnë trëndafila të trishtë kujtese.






















