Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Minguli: Frika nga Kongresi

109
Sigal

 

Sipas impresioneve të Martin Çallëkut

1.Labirinthet e frikës janë të pafund e si të tillë gjithmonë edhe kur nuk i përballesh fizikisht ato krijojnë atë angushtinë shoqëruar me një marrje fryme, që vjen nga burime të panjohura ashtu si vetë labirinthet. Frika, si konceptualitet mund të zhvillohet në qindra aspekte alkimike duke e sjellë atë në pamjet më haluçinante apo më të turbullta sa që asnjë lloj solucioni i fuqishëm kimik nuk mund t’i davarisë mjegullat që e rrethojnë atë… Këto përsiatje për frikën po na i tregonte M. Ç. Fliste dhe ashtu me atë shprehje të fytyrës të pastër, ne të dy Poliandër Mele dhe unë Petraq Bubari ndjeheshim jo mirë. Përse ky M.Ç. fliste me aq pasion për frikën. Mua të paktën më kallte krupën…e kujt mua…që kisha lexuar “Frikën” e Froidit dhe të disa shkrimtarëve të tjerë e mes tyre dhe frikën e llahtarshme të Edgar Allan Poes…madje kisha botuar dhe romanin tim me titullin “Frika”. Por dhe Poliandri nuk ndjehej i qetë. Frika lind që në fëmijëri. Edhe për të ftohtin e të sertin Froid. Por me këtë M.Ç. që na servir një frikë me taban kombëtar, pra një frikë që i ka hedhur rrënjët e saj në afërsi të mureve të ndërtesës ku ka qenë mbajtur i famshmi “Kongres i Lushnjes”. Një ndërtesë që të kall frikën! E kujt një djali tetë vjeçar, që sapo ka ardhur në qytetin e Lushnjes nga Plugu, fshati që ka në embrionin e vet frikën e një diktature. A thua se këtë frikë e mori me vete i vogli M.Ç. nga fshati Plug ku gjyshi i tij mbante nofkën “kulak”!? Të jesh i vogël dhe të jetosh i veshur me rrobat e frikës, sado të bukura e të reja të jenë ato, është më shumë se ta jetosh frikën. Frika bëhet pjesë e trupit dhe të shoqëron edhe kur ha një llokum që ta jep fqinja e bukur e moshatarja e M.Ç, aty pranë shtëpisë në Plug.

Por ai shkonte aty para godinës së kongresit thjesht për të parë me kurreshtjen e një adoleshenti që vinte nga fshati; se mos e dinte M. Ç. i vogël se ç’ishte kjo godinë. Ai donte ta shihte, po ndoshta forca ajrore të padukshme vinin që prej vitit të rrëmbyeshëm 1920 kur Shqipëria ishte në një rrëmujë të plotë, një turbullirë ku nuk e merrte vesh i pari të dytin. Ai, M.Ç. nuk mendoi të hyjë asnjëherë aty brenda mureve të asaj godine, e cila ndoshta e trembte me atë papafingon në majë e në mes të çatisë. Qen, nja tre a katër lehnin pa kuptim, mace gati si të egra dilnin nga ca ferra të ngatërruara me plehra e me qese plastike të zverdhura nga shiu e nga dielli. Mjaullinin në kor dhe të shtinin datën ashtu në sinkron me të lehurat e qenve. Por edhe para godinës së Bashkisë aty pranë po ajo rrëmujë ishte, por kishte pak më pak qen dhe mace.

  1. Kaluan kohë që kur hodha në letër këto impresione të çuditshme të ndodhura në ato ditë të vitit 1997. Por diçka më shqetësonte e nuk linte të qetë. Nuk ishte vetëm fakti për atë gjendje të shëmtuar ku ishte katandisur ambienti përpara godinës ku u mbajt Kongresi, por dhe reminishencat, që mund të dilnin prej kësaj tablloje me qen e me ferra.

Nuk vonoi shumë dhe rasti e pruri që të studjoja periudhën e Kongresit të Durrësit shoqëruar me qeverinë  shqiptare me qendër në Durrës. Nuk e dija se Ky kongres do të luftonte një kongres tjetër e që ishte pikërisht Kongresi i Lushnjes. Me të vërtetë në ditët e janarit të këtij viti lexoja përditë në gazetën “ Telegraf”  shkrime studimore që i bënin jehonë këtij kongresi, shkrime që vazhdojnë edhe këto ditë. E mendja më shkonte përsëri tek qentë e te ferrat përpara asaj godine dokumentare të historisë. Por në çudinë time, pa pritur e pa kujtuar më ra në dorë libri i Muin Camit që fliste mbi ngjarjet e popullit tonë në vitet 1918  – 1920 botuar në vitin 1969 nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, në seksionin “Instituti i historisë dhe i gjuhësisë“.

Titulli, edhe pse i asaj kohe tregon faktet e një lufte të madhe heroike të popullit tonë, luftë jo populiste por e udhëhequr nga mendje të mençura intelektualësh dhe atdhetarësh. Titulli është: “Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar në vitet 1918 1920”. Një libër që dhe studjuesit e sotëm, akademikë apo jo mund ta kenë zili. Duke iu referuar artikujve të këtij libri është lehtësisht e kuptueshme lufta e një kongresi ndaj një kongresi tjetër apo frika nga kongresi. Në 30 nëntor 1918 Soninua ( minisitri i jashtëm italian) aprovonte formimin e këshillit kombëtar  shqiptar të projektuar nga drejtori i tij i përgjithshëm për çështjet politike, Gaetano Manzoni. Dhe duke dashur që antarët e këtij këshilli të ishin thjesht zëdhënës të politikës italiane, ai udhëzonte që këshilli të formohej sa më parë në Durrës me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë ( con personaggi albanesi a noi ligi)…f.57, 58.

“Në kongresin e Durrësit që përbëhej nga 53 delegatë ishin të gjithë përfaqësues të feudalëve dhe borgjezisë ku mungonin ata të Vlorës që u ndaluan nga italianët. Po kështu mungonin ata të Peshkopisë dhe Lumës të pushtuar nga serbët dhe Korça dhe Pogradeci, që ishin nën francezët.” f.61.

 

 

 

Por siç argumentohet me dokumenta nga autori i këtij libri në Shqipëri fillon acarimi i gjendjes politike dhe lind kërkesa për thirrjen e një kongresi të ri, që do të ishte Kongresi i Lushnjes.

“Gjashtë mujori i dytë i vitit 1919 do të fillonte me një varg ngjarjesh të rëndësishme politike, të cilat do të vazhdonin  deri në fund të vitit dhe do të rrisnin atë frymë antiimperialiste të masave popullore shqiptare kundër pushtuesve  italianë që do të shpinte në vendimin për thirrjen e “Kongresit të Lushnjes”. f. 91Interesantë janë dhe emrat e personave të  rinj që morën përsipër thirrjen e kongresit me në krye Besim Nurin, Jakov Bozo, Eshref Frashëri, Teki Libohova, Taulla Sinani dhe të tjerë. Por pikërisht në këto kohë “ nga ana e qeveritarëve të Durrësit u bënë përpjekje të vazhdueshme e të shumëllojshme për ta ndaluar mbledhjen  e Kongresit të Lushnjes, por përballë vrullit patriotik që kishte shpërthyer në të gjithë vendin, të gjitha përpjekjet e tyre dështuan.” f.141. Nuk munguan përpjekjet – shkruan Muin Cami- e qeverisë së Durrësit për të paraqitur Kongresin e Lushnjes edhe si një kongres “esadistësh”. Pohimet se edhe këta elementë  ishin pro mbledhjes së Kongresit të Lushnjes janë të shumta. f. 147. Të mos harrojmë se këto të dhëna Muin Cami i ka marrë nga S. Hallkokondi në librin “Histori e Shqipërisë së re” botuar në Vlorë në vitin 1923 si dhe dokumenta të tjerë të botuara mbas vitit 1920 në organe të ndryshme. Vetë Fan Noli – thotë Muin Cami- ka shkruar se “Esadistët  u morën vesh me kombëtarët “për Kongresin e Lushnjes  me një konditë të hapur, rrëzimin e qeverisë së Durrësit dhe me një konditë të fshehur, fitimin e Esadit në Shqipëri më vonë.”  f. 147.

  1. Por duhet të theksojmë se Kongresi i Lushnjes “prodhoi” përveç vendimeve kryesore realizoi edhe tre fakte të rëndësishme për jetën e shqiptarëve. Shpalli parlamentin e parë shqiptar, shpalli kryeqytet Tiranën duke lënë mbrapa historinë jo shumë të sukseshme të Durrësit kryeqytet, shënoi fillimin e një kariere të madhe të Ahmet Zogut, që në moshë njëzet e pesë vjeçare u emërua minister i brendshëm. Për faktin e tretë në librin e Muin Çamit shënohet vetëm në “foto note” ky fakt, ndoshta për  influencë të politikës së asaj kohe. Por është dokumenti, që Muin Çami e ka sjellë me vërtetësi. Por edhe një libër tjetër i botuar kohët e fundit jep me gjerësi veprimtarinë e Ahmet Zogut edhe për ngjarje pas Kongresit të Lushnjes. Ky është libri “ Ahmet Zogu, njeriu, jeta, lufta, pushteti” përgatitur për botim nga doktori i shkencave, kolonel në pension Novruz Zejnati. Edhe në internet mësojmë se  “ Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësoi shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund ta ndalonte dot Zogun, filloi të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime. Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri. Mbi këtë propozim, që ju servir Zogut, qeveria e Durrësit, vinte kusht dhe kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, ai delegacion u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht, që të bisedonte rreth atyre propozimeve.” Dhe më tej “Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes, falë guximit dhe këmbënguljes tashmë të Ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu, vendoset nē Tiranë. Ahmet Zogu si minister i Brendshëm, luajti rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e rendit në një Shqipëri të trazuar si ishte asaj kohe.” Kështu që edhe me këto pak sjellje të disa fakteve shohim se si një kongres luftoi një kongres tjetër, se si ekzistonte frika nga Kongresi. Ishte viti 1997, kur vogëlushi tetë vjeçar u trondit nga qentë dhe macet, që rrinin para dyerve të godinës  ku u mbajt Kongresi i Lushnjes. Ndoshta viti 1997 do të sillte edhe ai frikën nga Kongresi. Jo! Vetë shkrimet e përkujtimit të mbajtjes të Kongresit të Lushnjes të botuara  nga gazeta “Telegraf” dhe gazeta të tjera vërtetuan se frika nga Kongresi nuk është më. Sot tetëvjeçari M.Ç. është goxha djalë dhe respekton atë godinë duke shkuar vit për vit në datën 20 janar. Aty ka një ambient paqësor!