Stuhia ‘ELPIS’ mbërrin në Shqipëri, temperatura do të ulet deri në -18 gradë Celsius/ Emergjencat Civile: Kujdes

100
Sigal

Vendi ynë do të përfshihet nga temperatura që do të kapin ekstremin e minus 18 gradë celsius.

Nga dita e djeshme e deri javën tjetër, vendi ynë dhe gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, do të përfshihet nga stuhia “Elpis”.

Deri më tani raportohet se më së shumti nga moti i keq do të “goditet” më konkretisht zona e Librazhdit, Korçës dhe Bulqizës. Por temperaturat e ulta do të karakterizojnë të gjithë vendin, përfshi edhe ato bregdetare.

Për shkak të temperaturave të ulëta që do të përfshijnë vendin, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin gjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme nga 24-27 janari, ndërkohë që Mbrojtja Civile shkruan se temperaturat në vend pritet që të zbresin deri më -18 gradë Celsius.

Sipas tyre, instancat përkatëse janë në kontakt me të gjitha njësitë vendore për të marrë masat në mënyrë që të përballohet situata e vështirë meteorologjike që e pret vendin.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri lidhur me të ftohtin që pritet të përfshijë vendin në ditët në vijim.

Duke cituar shërbimin e Meteorologjisë Peleshi bën me dije se në disa zona si Bulqiza dhe Puka termometri do zbresë në -18 gradë Celsius.

Ministria e Mbrojtjes apelon qytetarët, veçanërisht ata në zonat e thella, të ndjekin këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e tyre për të shmangur situata të rënda.

Ndërkohë, sa i përket motit për ditën e sotme, duke filluar nga orët e para do të paraqitet me vranësira dhe reshje shiu në zonat bregdetare por reshje dëbore në gjysmën lindore të vendit.

Parashikohet që pasditja dhe nata të sjellin rënie të temperaturave dhe për pasojë edhe zonat e ulëta rrezikojnë të përfshihen nga reshjet e dëborës.

Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes por ulen ndjeshëm në mesditë me të paktën 5 gradë duke luhatur vlerat ditore nga -3°C deri në 9°C.

Era do fryjë mesatare në tokë por e fortë në det me shpejtësi 45-50 km/h nga drejtimi Verilindor duke krijuar ne det dallgëzim katër ballë.