Studentët e Shkodrës tregojnë si ministrja Shahini braktisi takimin: “Kërkuam transparencë”

514
Sigal

Pas dështimit të mbledhjes së ministres së Arsimit, Besa Shahini, me studentët e Univesrsitetit të Shkodrës, të cilët vijojnë me bojkotin e mësimit dhe ngujimin në ambjentet e rektoratit, kanë reaguar edhe studentët.

Në një deklaratë për mediat, studentët u shprehën, se ata kishin kërkuar transparencë për këtë takim, ndaj ishin thirrur edhe mediet, por kjo nuk është pranuar nga ministrja Shahini, e cila ka braktisur sallën.

Studentët e akuzojnë Shahinin si një ‘shërbëtore” të ish-ministres Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini shkoi në Shkodër sot pasdite, ku zhvilloi një takim me senatin e universitetit, që zgjati 40 minuta, por gjithçka ka ndryshuar kur ka shkuar në sallën që do të mbahej takimi.

Ministrja u largua pasi studentët nuk pranuan që takimi të bëhej pa praninë e medias, ndërsa largimi i saj është shoqëruar me thirrjet e studentëve “Turp,Turp!”.

Besa Shahini nuk pranoi që kamerat të ishin në këtë takim, duke u larguar nga një dalje tjetër e bibliotekës universitsre bashkë me Rektoritn Arben Bekteshi.

Pas dështimit të këtij takimi, ka reaguar edhe vetë ministrja e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet:

“Keqardhje ndaj dhjetra studentëve të Universitetit të Shkodrës që më kishin kërkuar takim për të diskutuar për #paktinpëruniversitetin me kushtin që takimi të bëhej pa media, e që nuk erdhën sepse salla ishte mbushur me kamera. Jam në dispozicion për takim tjetër kurdoherë.”