Statistikat / Në 2018-ën u rrit kriminaliteti, 120 vepra penale për 10 mijë banorë

550
Sigal

Kriminaliteti në vitin 2018 shënoi rritje duke regjistruar një total prej 34.468 vepra penale, 0,4% më shumë, krahasuar me vitin 2017. Instituti i Statistikave raportoi se vitin e shkuar në raport me popullsinë, janë evidentuar 120 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 119,4 që ishin në vitin 2017.

Lidhur me klasifikimin e veprave penale dhe ecurinë e tyre në raport me vitin 2017, INSTAT raportoi se rritjen më të madhe e kanë pasur vepra penale e shkeljes së rregullave të qarkullimit vjetor me një rritje 7.5% në raport me 2017.Vjedhja, nga ana tjetër, është një tjetër vepër në rritje me 4.1% më shumë raste të regjistruara në vitin 2018 në raport me 2017-n.

Më pas në rritje kanë qenë vrasjet me dashje me 2%. Pjesa tjetër e veprave penale janë regjistruar në rënie ku krimet në fushën e drogës kanë pasur 7.9% më pak raste të regjistruara të veprave penale sesa në 2017. Mashtrimet kanë rënë me 7.7%, kurse krimet me dashje kundër shëndetit 5.9%.

Lidhur me numrin e autorëve, shifrat zyrtare raportojnë gjithashtu rritje. “Në vitin 2018, janë regjistruar 39.649 autorë për vepër penale, 10,0% më shumë, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, meshkujt përbëjnë 92,9 % të autorëve për vepër penale” thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti publikim vlerëson se në vitin 2018, 31,3% e autorëve janë të grupmoshës 30-44 vjeç, 29,5% të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 25,5 % i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç.

“Në vitin 2018, janë regjistruar 19.101 persona të dëmtuar, 0,2% më shumë, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, të dëmtuarit për krime kundër personit përbëjnë rreth 36,7% të totalit të personave të dëmtuar

Në vitin 2018, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 33,1% të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes” thuhet në publikimin e INSTAT.

Lidhur me procedimet në vitin 2018, numri i procedimeve penale të regjistruara është 31.389, 0,2% më pak, krahasuar me vitin 2017. Nga 29.329 procedime penale të përfunduara, 22,7% e tyre janë pushuar, 37,1% janë pezulluar dhe 40,2% janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Në vitin 2018, janë regjistruar 16.249 persona të pandehur, 0,7% më pak, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, të pandehurit e rritur përbëjnë 96,6%, të miturit zënë 3,4% në totalin e personave të pandehur.Monitor