Sot pedagogët në protesë/ Prof. Lush Susaj: Të ndalet shantazhi mbi sindikatën dhe studentëve, të mos heshtet ndaj sundimtarëve të qeverisë

111
Sigal

Të ndalet shantazhi mbi sindikatën dhe protestën e profesorëve dhe studentëve

Deri tani duket që kemi dëshmuar se priremi që të vrapojmë në drejtimin e gabuar, e pas modeleve dhe sundimtarëve të tipit sulltano-komunistë, nga të cilat Shqipëria ka vuajtur më shumë. Përkundrejt nevojës për bashkim dhe reagim ndaj së keqes akoma po vazhdojmë që të heshtim e të pranojmë të sundohemi bejlerë e bajraktarë, të cilët nuk mund te kenë asgjë të përbashkët me modelin e vendeve të Europës, ku synon Shqipëria

Nevoja për një lëvizje gjithëpërfshirëse të universiteve në Shqipëri, ka qenë, është e do të mbetet njëra nga nevojat më jetike për prosperitetin dhe për vetëekzistencën e shtetit dhe kombit shqiptar. Produkt i kësaj nevoje është edhe lëvizja aktuale për universitetin, dhe të gjitha kontributet dhe përpjekjet që po bëjnë profesorët dhe sindikalistët e kësaj lëvizje, e që për asnjë arsye nuk meritojnë përgojimin, politizimin e as shantazhin e frikësimin e klaneve nepotike të korrupsionit e fiktivitetit. Lëvizja për universitetin, nuk ka qenë dhe nuk është nën ombrellën e asnjë partie politike, përkundrazi, ndonëse shumë e vonuar, është lëvizja dhe reagimi dinjitoz i profesorëve me moral të pastër, me faqe të bardhë e me duar të pastra përpara shtetit, studentëve dhe shoqërisë së tyre. Përpjekja për ta politizuar e shantazhuar protestën për universitetin duket që është sjellja më e shëmtuar e më antishqiptare që mund të bëhet. Shteti dhe shoqëria jonë ka nevojë për reagimin ndaj së keqes, e jo për të shtuar edhe më tepër dozën e dhunës, shantazhit e frikës mbi studentët e pedagogët.

Shqiptarët janë i vetmi popull në rajonin e Ballkanit dhe në Europë, që akoma nuk kanë arritur që të përballen seriozisht dhe sinqerisht me të vërtetat e tyre historike, politike e shoqërore. Deri më tani, duket që kemi dëshmuar më së miri që përkundrejt nevojave imediate për bashkim dhe reagim për liri, demokraci dhe integrim në botën Euro-Atlantike, priremi që të vrapojmë në drejtimin e gabuar, e pas modeleve dhe sundimtarëve të tipit sulltano-komunistë, nga të cilat Shqipëria ka vuajtur më shumë se asnjë vend tjetër i rajonit dhe Europës. Përkundrejt nevojës për bashkim dhe reagim ndaj së keqes që po na përbin si shtet dhe si popull, akoma po vazhdojmë që të heshtim e të pranojmë të sundohemi nga karaktere të dyzuara e konjukturale të tipit feudal, bejlerë e bajraktarë, të cilët nuk kanë patur e nuk mund të kenë asgjë të përbashkët me modelin politik e shtetëror të vendeve të Europës, ku synon Shqipëria dhe populli i saj. Duhet të ndryshohet sa më parë kjo mënyrë sjellje e pranimit dhe durimit të gjatë të së keqes dhe të heshtjes e mosreagimit përballë shantazhit dhe dhunes shtetërore e politike. Duhet përbuzur modeli i pranimit dhe heshtjes përballë propagandës dhe mashtrimit qeveritar, kudo e për çdo gjë. Jo pranimit dhe heshtjes përballë korrupsionit mbi këdo e në çdo qelizë të shtetit dhe të administratës. Jo nepotizmit me injorantë të korruptuar kudo nëpër zyrat dhe institucionet e vendit, përfshirë këtu edhe administratën dhe institucionet e arsimit. E keqja jonë nuk janë sindikatat, e as profesorët dhe studentët që po reagojnë e protestojnë. Përkundrazi është mungesa e gjatë e kurajos dhe trimërisë për t’u përballur me vetëveten dhe të keqen që vetë shqiptarët i kanë shkaktuar shtetit dhe atdheut të tyre të përbashkët, e që për pasojë nuk arritën kurrë që të kapin kohën e as hapin e duhur të zhvillimit shoqëror, arsimor dhe politik, sikurse ka ndodhur në vendet e tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën. Për më keq, sikurse po shohim dhe po e kuptojmë çdo ditë të punës dhe të jetës sonë, duket që akoma kemi mbetur foshnjorë e thellësisht  të prapambetur edhe në politikë, në ekonomi, në shkencë, në teknologji, në drejtësi, në diplomaci, në siguri dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike, që akoma nuk i njohim, sepse nuk i ndërtuam, e për pasojë nuk i patëm kurrë.

Jo nepotizmit me injorantë të korruptuar kudo nëpër zyrat dhe institucionet e vendit, përfshirë këtu edhe administratën dhe institucionet e arsimit. E keqja jonë nuk janë sindikatat, e as profesorët dhe studentët që po reagojnë e protestojnë.

Në një situatë të tillë, natyrisht edhe pas një përvoje të hidhur të shtypjes dhe defaktorizimit të lëvizjes studentore të viteve 2018-2019, mendoj se ka ardhur koha që të mbështesim fort e pa dallime politike e krahinore protestën e elitës dhe profesorëve të universiteteve shqiptare, sepse nga reagimi i universiteteve nuk ka ardhur e nuk mund t’i vijë asgjë e keqe Shqipërisë e as popullit të saj. Rruga e zhvillimit të shoqërisë dhe institucioneve tona, ka nevojë jetike për dritën, kurajon dhe forcën e reagimit të bashkuar të profesorëve, mësuesve dhe rinisë shkollore e universitare të Shqipërisë.

Duket që shqiptarët kanë një problem shumë të madh edhe me kujtesën dhe historinë, shoqërore e politike, deri në atë pike sa duket sikur e harrojnë shpejt dhunën dhe hajdutërinë e një rregjimi dhe sundimtari, e si pa të keq e pa bërë zë e as rezistencë bien në kthetrat e një rregjimi dhe sundimtari tjetër. Por nuk besoj që ndonjëri të ketë harruar kaq shpejt atë mënyrën se si katër vite më parë, e gjithë struktura e kalbur katovicjane, dhe e gjithë administrata klienteliste e nepotike, janë sulur në mënyrë të verbër për të defaktorizuar dhe për të shuar protestën studentore, e ku sikurse dihet ja arritën qëllimit, kryesisht përmes korruptimit dhe shantazhimit të pedagogëve dhe të drejtuesve të universiteteve. Të gjithë e kemi parë dhe mund ta kujtojmë atë mënyrën se si në vitin 2019, shteti dhe politika u bënë bashkë, e si një makineri e llahtarshme mbytën reagimin dhe zërin e pastër të rinisë studentore. Nëse ka nga ata që e kanë harruar apo që nuk i besojnë vitet 2018-2019, mjafton që të shohin e të ndjekin me më shumë vëmendje reagimin e tanishëm të sindikatës së profesorave, dhe lëvizjen e tyre për universitetin. Kështu mund të shohin e të kuptojnë edhe më mirë atë mënyrën se si është mobilizuar përsëri llahtaria apo makineria shtetërore e politike, e që nuk po lenë mjet presioni, shantazhi e frikësimi pa përdorur, me qëllimin e vetëm për të mbytur zërin e arsyes dhe të reagimit të profesorëve dhe studentëve për universitetin dhe jetën ekonomike e politike të vendit. Duket që është mobilizuar edhe një pjesë e madhe e medias pranë qeverisë, ku përmes modelit të njohur të propagandës sofiste, i bën jehonë kokave të korrupsionit dhe shkatërrimit të universiteteve publike të Shqipërisë. Të gjithë e kuptojmë dhe e ndjejmë, që janë mobilizuar strukturat e njohura të fuksave e spiunave të errësirës, të cilët shkojnë derë me derë duke shpifur e duke shantazhuar prindërit e studentëve, por edhe familjarët e pedagogëve, e duke i stresuar e kërcënuar deri edhe me vendin e punës, që sipas tyre në Shqipëri ta jep partia, e jo merita.

Për këto arsye e shumë më tepër, unë mendoj dhe apeloj që lëvizja për universitetin të shantazhohet, e as të kërcënohet, e kurrësesi të mos politizohet. Përkundrazi duhet kuptuar e ndihmuar si një lëvizje jetike, e që gjithmonë ka qenë dhe është në shërbim të prosperitetit dhe të demokratizimit të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar. Nuk i bën dëm Shqipërisë rritja e fondeve për arsimin, përkundrazi dëmin duhet ta kërkojnë tek tenderat me kosto 5-6 herë më të lartë se tenderohet në vendet e BE. Kjo qeveri, ndër të tjera ka ardhur në pushtet edhe me premtimin për të dyfishuar fondet dhe për ta reformuar sistemin e arsimit, e nuk ka se si të shfajësohet tani pas 9 viteve duke deklaruar se jemi në fillim të zbatimit të reformës dhe ligjit të arsimit të lartë. Pedagogët duan rritje page jo thjesht e vetëm për xhepat e tyre, por pikë së pari që të kenë mundësi që të përmbushin detyrën e tyre të mësimdhënies dhe edukimit, e në këtë mënyrë të nxjerrin profesionistë konkurues në tregjet e punës, pasi standartet dhe kërkesat e tregut të punës kanë ndryshuar dhe evoluar shumë. Drejtuesit e zgjedhur të universiteteve, akoma nuk janë bashkuar me protesten, e kjo nuk pritej dhe len shije të hidhur. Përtej pagës, lëvizja e universiteteve, është edhe kontribut për të reduktuar ikjen e rinisë shqiptare e të profesorëve drejt kampeve të azilit, dhe drejt universiteteve të tjera jashtë vendit. Duket që në Shqipëri është e pamundur që një pedagog të jetojë thjesht me pagën që merr 400-500 euro/muaj. Ndërsa një laborant apo stafi ndihmës akademik është edhe më keq, sepse paga e tyre lëviz nga 350-400 euro/muaj. Profesorët po reagojnë edhe për të ndalur degradimin e mëtejshëm të kapaciteteve intelektuale e administrative të vendit, e kjo nuk ka pse të politizohet. Po reagojmë që të bëhemi syri dhe truri i shoqërisë, ekonomisë dhe qeverisë shqiptare, e nuk ka asnjë arsye që të shihemi e as të konsiderohemi si armiq, e as të përgojohemi si të politizuar e me kërkesa të ekzagjeruara. Kjo për faktin që, edhe sikur qeveria të rrisë pagat tona menjëherë e në masën 50%, përsëri do të jemi me paga 30-40% më të ulëta se pagat e kolegëve tanë në Kosovë. Ndërsa për ata që ngatërrojnë bindjet politike me kontributin vullnetarë për sindikatën dhe universitetin, ju themi që sindikata e universiteteve është vatra jonë e përbashkët, e aty jemi pa asnjë dallim bindje politike, krahinore e fetare. Sindikata është tempulli i zërit të lirë, i arsyes, i debateve dhe i vendimeve kolegjiale e në të mirë të pedagogëve, të studentëve, të universiteteve, dhe të çdo banori të Shqipërisë.

Ka qenë e vështirë për të bindur profesorët që të reagojnë, pasi sikurse dihet shumica e tyre janë rritur, e natyrisht që e njohin dhe ndikohen sadopak nga modeli i nepotizmit, korrupsionit, gojëkyçjes dhe frikës së sistemit komunist që lamë pas, e që nuk po na shqitet. Ndërsa këtë herë puna është shumë më e lehtë se në vitin 2019, pasi studentët janë më të avancuar edhe se sa prindërit e tyre dhe shumica e pedagogëve të tyre,. E kjo për shkakun se studentët tanë hyjnorë, të lindur e rritur pas vitit 1990, nuk e kanë gëlltitur atë lugën e çorbës së helmuar të komunizmit, e nuk kanë se çfarë të vjellin, e as nuk mund të jenë peng i asaj periudhe. Studentët hyjnorë të Shqipërisë janë pastërtia, shpresa dhe forca më e madhe morale e fizike, e cila mund dhe duhet të reagojë e bashkuar për të mbrojtur universitetin dhe shkollën shqipe, e bashkë me to edhe shtetin dhe kombin shqiptarë nga shpopullimi dhe shpërbërja. Për këtë arsye, mendoj se është me rëndësi jetike që të ndalet dhuna, shandazhi dhe frikësimi shtetëror e politik mbi pedagogët që po protestojnë, dhe mbi fëmijët dhe familjet e tyre. Shantazhi dhe frika duhen lënë atje ku ishin para 32 viteve, në sistemin e njohur e të jetuar të diktaturës komuniste. Shteti duhet të dëgjojë e të punojë për zgjidhjen e situatës së ëendë që është krijuar, e jo të kthehet në frikësues, shantazhues e grevëthyes. E keqja nuk na vjen kurrë nga reagimi e as nga sindikatat, e keqja na ka ardhur e do të na vijë gjithmonë nga heshtja dhe nga mbytja e zërit opozitarë të sindikatave dhe intelektualëve. Për këtë arsye, apeloj për të ndalur menjëherë shantazhin dhe vulgaritetin politik e administrativ mbi sindikatën, mbi pedagogët dhe mbi studentët që po protestojnë e po qëndrojnë për ta bërë më të mirë universitetin dhe Shqipërinë.