Sot dita e dytë e grevës, naftëtarët: Kërkojmë pagat dhe rikthimin në punë

60

Naftëtarët e Ballshit vendosën të nisin grevën e urisë për shkak se nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, për pagat dhe rikthimin në punë.

Kreu u Sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj tha për “ABC News”, se janë të vendosur për të vazhduar grevën.

Pavarësisht se numri i grevistëve është simbolik, ai shtoi se do të qëndrojnë derisa kërkesat të plotësohen.

“Këtu është punuar nga sipërmarrës të ndryshëm. Ne kemi rreth një vit që jemi të papaguar edhe sa duhet të presim. Për këtë arsye kemi kërkuar që shteti të ndërhyjë, pasi nuk kemi me çfarë të mbajmë familjet”, tha Dautaj.

Po ashtu ai theksoi se shteti duhet t’i japë një zgjidhje kësaj situate.

“Ka ardhur koha që të marrim një përgjigje të qartë se çfarë do të bëhet me fatin e rafinerisë”, shpjegoi Dautaj .

“Nëse nuk do të kishte pasur fitim, kjo rafineri do të ishte mbyllur me kohë, t’i jepet dritë jeshile rafinerisë pasi mbahen familje më këto para”, u shpreh Dautaj.