Snajper, dhjetëra fishekë e drogë në shtëpi, arrestohet 29-vjeçari në Vlorë

287
Sigal

Policia e Vlorës ka arrestuar një 29-vjeçar, të cilit iu sekuestrua në banesë një armë zjarri snajper, municione luftarake dhe doza me kanabis sativa.

Në kudër të operacionit të koduar “Sig”, në pranga u vu shtetasi me iniciale K. Xh., i cili ushtronte edhe aktivitetin e paligjshëm në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë/ Vlorë

Finalizohet operacioni policor i koduar “SIG”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë.

Sekuestrohen një armë zjarri snajper, një sasi municioni luftarak, dhjetëra doza me lëndë narkotike kanabis dhe një palë dylbi optike.

Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjithë qarkun e Vlorës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në lagjen “Partizani”, Vlorë, një shtetas mbante në banesë, armë zjarri pa leje, si dhe ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “SIG”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit K. Xh., 29 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri snajper, 64 fishekë dhe një palë dylbi optike.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.