Skandali/ Flet Hysen Tabaku: Fshirja e 50 viteve të historisë sonë nga muzeumet shqiptare është një krim dhe rivrasje për dëshmorët dhe luftëtarët e periudhës së LANÇ, ndërtimit të HEC-ve, bonifikimeve, shëndetsisë, zhdukjes së analfabetizmit etj. Bota krenohet me luftën nazi-fashiste, ndërsa në Shqipëri veteranët i kanë diskriminuar me pensionet dhe i duan vetëm për votime.
Pse periudha e LANÇ-re e rindërtimit dhe zhvillimit të vendit nuk ekziston?!
– Italianët edhe sot i këndojnë këngë Presidentit Pertini për faktin se ka qenë partizan në vitet e Luftës së Dytë Botërore
Përgatiti Hysen Tabaku
Shqipëria dhe shqiptarët si populli më i vjetër i Evropës, ka historinë e vet. Por ama mbarimi i historisë së Shqipërisë tani ka një datë, vitin 1939! Pas kësaj date Shqipëria dhe banorët e saj nuk kanë histori, madje nuk mund të thuhet se kanë ekzistuar! Kjo është përshtypja që të krijohet pasi ke vizituar Muzeun Historik Kombëtar në qendër të Tiranës. Diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur, por është fakt: periudha e LANÇ-re e rindërtimit dhe zhvillimit të vendit nuk ekziston. Kanë zhdukur një pjesë të historisë. Apo më mirë kanë vjedhur një pjesë të rëndësishme të jetës sonë. Kanë zhdukur plot gjysëm shekulli, kanë fshirë jetën dhe veprimtarinë e dy brezave njerëzorë, që sakrifikuan për Çlirimin dhe ridërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Ku shkuan vitet e zhdukura? Çfarë ka ndodhur me Muzeun dhe me ne? Kujt i intereson që të zhduken pesëdhjetë vjetë histori e lavdishme, lufte dhe pune e popullit tonë heroik e të lavdishëm? Mendimet janë të ndryshme për përgjigje, por njëra është e saktë. Që prej 10-të vjetësh me një urdhër nga lart (të Sali Berishës), në Muzeun Historik Kombëtar janë zhdukur pavjonet që vijnë nga viti 1939 e këtej. Ato janë mbyllur, ndërsa të gjitha sallat janë zhveshur nga eksponatet, materjalet fotografike janë hedhur diku në ndonjë depo, në qoftë se ato nuk janë shkatërruar apo djegur, tashmë si të pavlefshme dhe të dëmshme për t’u parë nga vizitori.
Fshirja e 50 vjetëve të historisë sonë, i është hequr pjesa më lavdishme, e më dinamike e atij gjysëm shekulli: Lufta e popullit tonë kundër dy okupatorëve të huaj nazifashistë, si dhe periudha e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta dhe zhvillimit të tij të vrullshëm. Kjo u bë para syve tanë, nga një tuf pinjollësh të kolaboracionistëve, bashkëpunëtor të okupatorit fashist. Kjo u bë në emër të demokracisë, të pluralizmit të mendimit, në emër të objektivizmit në histori! Ky është kulmi i demagogjisë dhe paturpësisë.
Zhduksit e historisë arsyetojnë pak a shumë kështu. Meqenëse luftën kundër okupatorit fashist, ne nuk e deshëm dhe ajo luftë nuk na solli në pushtet, atëhere ajo nuk duhet të ekzistojë, ajo duhet fshirë nga muzetë dhe tekstet e historisë. Pra; atje ku nuk kemi qënë ne, atje s’ka patur as luftë, as jetë e as zhvillim, duhet të jetë shkretëtirë. Kështu që sipas tyre, prej vitit 1939 e deri në viti 1991, në Shqipëri nuk ka patur as jetë, as njerëz dhe nuk ka as histori!!…
Italianët edhe sot i këndojnë këngë Presidentit Pertini për faktin se ka qenë partizan në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ata edhe sot mburren se kanë patur një president partizan. Ndërsa ish –Presidenti ynë arriti të heqë nga Muzeu Historik Kombëtar, partizanin legjendar Myslym Pezën, bashkë me qindra e mijëra të tjerë luftëtarë të lirisë e pavarësisë, të heqë nga Muzeu dokumentat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të zhdukë armët- trofe, që iu kapën okupatorëve, të fshijë pastaj kalendarin edhe ditën e Çlirimit të vendit nga hordhitë fashiste. Të heqë nga kujtesa e rinisë sonë emrat e Qemal Stafës, Vojo kushit, Asim Zenelit, Borovën, Pezën, 4 shkurtin etj, etj…!
Për këtë duhen zhdukur edhe dokumentat që flasin për këto ngjarje, prandaj duhet mbyllur edhe Muzeu Historik Kombëtar, siç u mbyllën edhe muzetë e rretheve, ku materjalet janë hedhur nëpër bodrume, të cilat po prishen nga lagështija ose janë djegur e grisur.
Prandaj duhet burgosur historia.
Çdo komb e ka për nder të tregojë pjesëmarrjen aktive në Luftën e madhe Antifashiste NAÇL, ndërsa tek ne, mundohen e përpiqen për të errësuar dhe madje për ta fshirë nga kujtesa kontributin e popullit shqiptar në këtë luftë edhe pse ai kontribut, qe nga më të shquarit, në krahasim me popullsinë e territorin. Kjo është një fyerje e rëndë, që i bëhet kombit tonë nga kolaboracionistët dhe pinjollët e tyre.
Kolaboracionistët, shpesh i kemi dëgjuar të thonë; nuk i deshëm partizanët, sepse ata luftonin për komunizmin! Atëhere del pyetja: po fashizmin, pse e deshët si ideologji, apo si pushtues?
Duke bashkëpunuar me nazifashistët, Ballistët dhe Legalistët luftua, në fakt luftuan jo vetëm kundër Ushtrisë NAÇL, por edhe kundër ushtrive të kualicionit antifashist botëror, si dhe kundër Amerikës, Anglisë, Bashkimit Sovjetik dhe gjithë atyre popujve, që luftuan në të njëjtën llogore kundër asaj makinerie moderne dhe të egër fashiste.
Fashizmi ishte armiku kryesor i njerëzimit në fund viteve tridhjetë e fillim të viteve dyzetë të shekullit të kaluar. Rezistenca kundër ti i bashkoi dhe kundërshtarët ideologjikë në shkallë ndërkombëtare. Kjo i vuri në një front të përbashkët Ruzveltin, Stalinin, Çurçillin, De Golin dhe krerët e të gjitha lëvizjeve antifashiste, kudo që vepronin.
Këtë koalicion nuk e krijuan shqiptarët. Merita e pjesës patriote të shqiptarëve, ishte se në atë kohë të turbullt e me përgjegjësi historike u orjentua drejtë dhe mori pjesë aktive në koalicionin e madh. Kështu që në fund të luftës Shqipëria, u gjend në anën e fitimtarëve.
Ndërsa ballisto-zogistët, këta kolaboracionistë të fashizmit, ishin ortak të tyre dhe u gjendën në anën e të mundurve. Ata e pregatitën vetë fundin e tyre të turpshëm dhe skanë asnjë të drejtë të ankohen, se nuk u a kanë fajin as partizanët, as komunistët dhe as populli, i cili luftoi, u vra, u dogjë dhe sakrifikoi çdo gjë për çlirimin e vendit.
Historia nuk mund të ndryshohet duke mbyllur muzeumet, e duke djegur dokumentat apo duke ndaluar filmat, siç kemi dëgjuar të flitet së fundi nga Alibejtë dhe sorollopët e tij. Historia nuk bëhet dhe as nuk zhbëhet me dekrete qeveritarësh. Qëndrimi ndaj okupacionit të huaj dhe pavarësisë së Atdheut, është guri i proves për çdo qytetar, për mirë apo për keq.
Në Muzeun Historik Kombëtar është zhdukur plotësisht edhe pavioni që i kushtohej punës së madhe ndërtimore që bëri populli ynë, jo vetëm për të shëruar plagët e rënda të luftës, por edhe për të nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore në ekonomi, kulturë, arsim, shkencë, industri, bujqësi, bonifikim dhe transport, etj, etj…! Me pak fjalë, shkallët nëpër të cilat ka ecur ky vend gjatë dyzet vjetëve. Përse duhet ta fshijmë nga kujtesa e historisë faktin se si, shqiptarët, në mesin e shekullit XX, e ndërtuan këtë vend, pa asnjë mekanizëm, vetëm me kazma, lopata e qysqi e varre, me duar të zhveshura të mijra të rinjëve të ardhur nga gjithë viset e Shqipërisë?
Gjak dhe Djersë. Heroizmi i rinisë vazhdoi edhe pas çlirimit. Ashtu si kolonat partizane vërshuan vullnetarët e rinisë në aksionet kombëtare e lokale për rindërtimin e ndërtimin e vendit. Dhe në punë e sipër toka u lag me djersë të bardhë e u bashkua me gjak të kuq. Dëshmorëve të luftës iu shtuan dëshmorë të punës. Stafeta e veteranëve të Luftës mbahej lart dhe qëndisej me gjak e djersë të filizave të rinjë. Dhe gjerdani i veprave të tyre zgjatet maleve e bregoreve, kalon nëpër shkëmbinjtë e bardhë dhe fushave të blerta. Përse mos të thuhet dhe të mos ekspozohet ndërtimin e hidrocentraleve? Po ditën kur përfundoi elektrifikimi në çdo skajë të gjithë vendit? Ku u ndes llampa elektrike në të gjitha fshatrat shqiptare. Po puna për ndërtimin e taracave dhe mbjelljen e platacioneve me agrume në bregdetin jugor? Po kështu prodhimi i gizës së parë, i kromit, apo i fabrikës së telave të bakrit, asaj të istrumentave, të tekstileve, të plehërave kimike, të çimentos, të naftës, kombinatit Metalurgjikë, modernizimit të Ushtrisë, etj, etj…!
Po kur lindi e para Kinostudio në Shqipëri dhe kur u prodhua filmi i parë? Përse të kenë frikë, e përse ta fshehim këtë pjesë të historisë sonë brezave që do vinë? Ajo ka ekzistuar, me të mirat dhe të metat e saj. Të gjitha këto ishin hapa të domosdoshëm në rrugën drejt zhvillimit dhe Evropës.
Një turiste gjermane ndër të tjera tha: “Jam frekuentuese e rregullt e qytetit të Pogradecit, e dua këtë qytet. Ngjitem te kalaja edhe për të parë qytetin nga sipër. Dua të shoh edhe atë pjesë të qytetit të ndërtuar në kohën e socializmit, sepse të njëjtën gjë kemi kaluar edhe ne atje në Gjermani. Jo se është një pamje e bukur, ose e shëmtuar nuk nuk mund të them, por sepse është pjesë e jetës tonË, na kujton shumë gjëra të viteve që kemi lënë pas. Ka të tjerë që nuk kanë jetuar fare atë kohë, dhe nuk kanë as më të voglën ide të asaj kohe.”
“Përse ne u zhdukëm dhe u eleminuam, si popull e si komb menjëherë, sa na pushtoi Italia fashiste në 7 prill të vitit 1939? Me të ikur tradhtari Zog, iku dhe u shua edhe kombi shqiptar? Shqipëria paska ngelur shkretëtirë pa jetë e pa popull. Pas asaj zhdukje, kombi shqiptar, paska zbritur nga qielli në tokën shqiptare në vitin 1991, kur ndryshoi sistemi dhe filloi demokracia dhe tani rifillon prap nga “zeroja” historia.” Kështu e çuam çdo gjë në “zero”, se kështu na thanë ideatorët e “Demokracisë”, të shkatërrojmë e ta çojmë në “zero”.
Mirëpo, ç’farë është bërë gjatë këtyre 30 vjetëve? Kanë 30 vjetë qeveritarët tanë, që vazhdojnë të prishin, të shkatërrojnë, të vjedhin dhe akoma se kanë mbaruar atë pasuri, që u vu, për 40 vjet nga puna heroike e vetmohuese e popullit tonë. Po kanë mbuluar fushat dhe tokën e vendit, vetëm me beton e ndërtime.
Pjesa më e madhe e popullit shqiptar që përjetoi ato momente historike të luftës nacionalçlirimtare e bënë të ndihet krenar, për të djeshmen e lavdishme, ndërsa një pjesë e vogël e këtij populli përqafohej e bashkëpunonte me pushtuesin dhe në fund ndezi luftën kundër formacioneve partizane në aleancë të ngushtë me gjermanët. Kolaboracionistët ballist-zogistë dhe pinjollët e tyre, duhet të ulin kokën, se janë të turpëruar para botës, e jo të mohojnë luftën, sakrificën dhe gjakun e 28000 dëshmorëve të Atdheut.
Qëndrimi ndaj kësaj epopeje nga më të madhërishmet të popullit tone, ka qenë dhe është njëkohësisht, si një gur prove, midis atdhetarëve të vërtetë dhe pseudoatdhetarëve. Fakti që këtë luftë e udhëhoqi PKSh-ja me komandant Enver Hoxhën, nuk ia ul aspak vlerat. Sado që të mundohet i gjithë reaksioni klasik i Ballit Kombëtar i Lumo Skëndos, që e mori lumi, së bashku me Zogistët dhe me ballistët e rinj, kjo epope ngelet në këmbë si një mal dhe tempull i shenjtë, nga ku duhet të falemi të gjithë shqiptarët e ndershëm.
Ishin kushtet historike që nxorën në skenë PKSh-në, si ideatore, organizuese dhe drejtuese të kësaj lufte, kjo nuk është rastësi. Ajo ishte e vetmja force politike, e cila e mori përsipër këtë misjon dhe e çoi deri në fund. Por jo vetëm kaq, ajo vuri në jetë dhe direktivat e Fuqive të Mëdha, SHBA, Anglisë dhe BRSS, për organizimin e luftës pa kompromis dhe krijimin e një fronti të Përbashkët popullor, kundër nazifashizmit, “Pa dallim feje, krahine, ideje”. Ndërsaballisto –zogistët e braktisën Frontin Nacional-Çlirimtar. Ata dëshmuan se nuk dëshironin ta luftonin armikun, por bashkpunuan ngushtë me të, për të shuarë luftën NAÇL të popullit tonë. Kurse bijtë e popullit rrëmbyen armët për luftë pa kompromis e dhëmbë për dhëmbë me pushtuesin.
Më 17 dhjetor të vitit 1942 Anglia, por dhe më 18 dhjetor SHBA, dhe Bashkimi Sovjetik, me anë të Ministrave të Jashtëm, Iden, Hill dhe Molotov, deklaruan botërisht se: “njihnin me konsideratë dhe admirim Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë, dëshironin të shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të pavarur, se pas lufte do të respektonin lirinë dhe pavarësinë e saj.
A gjenden dokumenta, ku gjermanët apo italianët të kenë ndërmarrë operacione luftarake sikurse ndërmorën në operacionin e Dimrit dhe atë të qershorit kundër formacioneve partizane? A ka patur ballisë e legalistë të pushkatuar, apo internuar në kampe përqëndrimi nga nazistët? Nëse, cilët kanë qenë ata? Ndërsa, ata që nuk hodhën asnjë pushkë sëbashku me pinjollët e tyre të sotëm kërkojnë të rishikojnë historinë. Historia, o të marrë, është shkruar me gjakun e dëshmorëve. Komunistët ishin në ballë të kësaj lufte. Ata përbënin kockën dhe shpirtin e reparteve partizane; ata luftuan me ndershmëri, së bashku me gjithë luftëtarët, antifashistë dhe sollën lirinë e Shqipërisë. Komunistët ishin të parët që dhanë jetën dhe nuk mund të mohohet atdhetarizmi sublim i Qemal Stafës, i Vasil Shantos, i K. Bakos, i M. Mames, i P. Rexhepit, i V. Kushit, e i të 28000 dëshmorëve dhe i të gjithë komunistëve shqipëtar, të cilët ishin shpirti i Luftës Çlirimtare. Është ai gjak e, ato jetë të njoma, të ndërprera nga vdekja heroike, në lulen e rinisë, të vëna në themelet e Shqipërisë se re historike që ia ndryshuan përfundimisht rrjedhën historisë tonë, një rrjedhë që mori kahun e ngjitjes në vend të ngecjes e të rrokullisjes në greminat historike.
Ndërsa Balli bëntë sehir duke pritur, që pushtuesit të “largohen” vetë, edhe më keq bashkëpunuan me ‘të. Nuk ishte faj i i partizanëve që krerët e Ballit, apo bajraktarët e ndryshëm, u lidhën dhe bashkëpunuan me gjermanët. Thuajse të gjitha dokumentat gjermane si dhe ato të përfaqësuesve Anglezë dhe amerikanë në Shqipëri, e provojnë pa mëdyshje rënien e BK në pozita kolaboracioniste dhe kryerja prej tyre të akteve kriminale ndaj popullit të vet dhe në shërbim të pushtuesve.
Tani disa minimizojnë aktet heroike të bijve tanë të lavdishëm nga që kanë patur komandant Enverin. Disa të tjerë, kriminelët i shpallin heronjë dhe heronjtë kriminelë, që kanë bërë një mijë e një të zeza ndaj këtij populli.
Populli shqiptar është i pari në Ballkan, ndoshta edhe në Evropë, që nisi luftën me armë kundër pushtuesve fashistë në kushte tepër të vështira. Krisma e dyfekëve të rezistencës shqiptare, në atë fillim prilli të vitit 1939, ishin lajmëtarët e parë që dëshmonin se agresorët fashistë nuk do ta kishin të lehtë dhe nuk do të ishin fitimtar siç mendonte Duçja dhe Hitleri.
Historjani gjerman Micahil Shmidt Neke, shkruan: “Në Shqipëri, kishte një rezistencë të qartë ndaj pushtuesve, e cila duke e krahasuar me popullësinë e atëhershme të Shqipërisë prej 1 milion banorë, mund të quhet një rezistencë jashtëzakonisht e madhe. Duhet theksuar qartë se shqiptarët kanë marrë pjesë shumë aktive në Kualicionin anti Hitlerian, duke kontribuar kështu jo vetëm në çlirimin e vendit të tyre, por edhe të popujve të tjerë”.
Instancat kopetente, duhet të veprojnë menjëherë për të vënë në vend atë padrejtësi, që në Muzeun Kombëtar të hapet pavioni i periudhës së Luftës së lavdishme NAÇL, të popullit tonë martirë, se kjo është krenaria e kombit Shqiptarë. Dhe të hapen pavjonet që tregojnë punën heroike e vetmohuese të këtij populli; për zhvillimin dhe mbrojtjen e vendit në 40 vjetë e shekullit të XX-të. Gjithashtu, të përtërihen dhe të vihen në funksionim Muzetë e ish-rretheve dhe Qarqeve, se ka humbur identiteti i kombit tonë. Nuk ka shtete e kombe pa histori, dhe pa muzeume që mos të tregojnë historinë e lavdishme të popullit të tij. Historia është histori, duan apo nuk duan, ajo është histori e gjallë e popullit dhe është vulosur e shkruar me djersën sakrificën, mundin dhe gjakun e popullit.
Edhe pse vendi i vogël, jemi me histori të madhe.