Kur nuk janë mbushur tamam dy vite, aeroporti i Kukësit është lënë në mëshirë të fatit. Thuajse në 9 muaj të vitit ai qëndron i mbyllur, ndërsa kryen vetëm pak fluturime gjatë periudhës së verës. Mesa duket asflati është hedhur me shpejtësi dhe i një cilësie të dobët ndikuar nga nxitimi për ta inauguruara para zgjedhjeve parlamentare të atij viti.
Më 18 prill të vitit 2021 i gjithë shteti zbarkoi në Kukës për të marrë pjesë në inaugurimin e aeroportit të dytë ndërkombëtar të Shqipërisë. Vendi ishte në prag të zgjedhjeve dhe qeverisë i duhej me patjetër një punë e madhe publike për ta paraqitur para shqiptarëve si një nga arritjet e qeverisjes së saj. Për këtë qëllim Ministrisë së Transporteve që drejtohej nga Belinda Balluku i ishte vënë si detyrë përfundimi i kësaj vepre para zgjedhjeve. Ndaj me angazhimin personal të vetëm ministres Balluku kompania, që kishte marrë përsipër punimet nisi punën me vrull për ta bërë aeroportin gati për një fluturim inaugurimi. Vetë Rama nga ana tjetër ishte angazhuar që të mbushte një avion me “çuna të Londrës” për t’i transportuar falas nga Britania drejt Kukësit. Dhe ashtu siç ishte vendosur u bë gati më 18 prill dhe avioni në të cilin fluturonte edhe vetë Rama në bord, zbriti në Kukës. Në fjalën e tij para atyre që kishin mbushur hapësirat e aeroportit Rama tha se Shqipërisë i ishte shtuar një portë e re ndërkombëtare, ndërsa premtoi se shumë shpejt do të hapeshin edhe disa porta të tjera, përfshi edhe ajo e aeroportit të Vlorës. Por vetëm kaq, me inaugurimin duket se çdo gjë përfundoi aty. Në qershor të po atij viti nga ky aeroport u kryen edhe disa fluturime të tjera dhe puna u ndal. Dhe si çdo gjë që bëhet shpejt e shpejt vetëm për të prerë shiritat elektoral edhe kjo ishte një punë e bërë keq. Kur nuk janë mbushur tamam dy vite nga ajo, aeroporti i Kukësit është lënë në mëshirë të fatit. Thuajse në 9 muaj të vitit ai qëndron i mbyllur, ndërsa kryen vetëm pak fluturime gjatë periudhës së verës. Por mospërdorimi ka bërë që shumë gjera, përfshi këtu edhe pista, të degradojnë. Alket Islami, duke ndjekur pasionin e tij për të kryer filmime dhe fotografime nga ajri, ka qenë së fundmi pikërisht në Kukës, ku ka filmuar nga lart aeroportin dhe më pas edhe stadiumin e ri të Kukësit. Por në videon e tij 11 minuta të postuar në rrjetet sociale, ai ka mundur të fiksojë në kamer edhe një detaj shumë të rëndësishëm që ka të bëjë pikërisht me pistën. Siç shihet në këtë video pista në një pjesë të mirë të sajën ka pësuar çarje të mëdha që dallohen lehtë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një pjesë, por për çarje që shtrihen thuajse në të gjithë gjatësinë e pistës. Mesa duket asflati është hedhur me shpejtësi dhe i një cilësie të dobët ndikuar nga nxitimi për ta inauguruar para zgjedhjeve parlamentare të atij viti, ka detyruar kompaninë që ka kryer punimet që të mos presë dhe të hedhë të gjitha shtresat e asfaltit. Nuk është e qartë se sa rrezik ka kjo pistë për ulje-ngritjet e avionëve, por autoritetet do të duhet ta inspektojnë për të evituar çdo të papritur.



















