Sipërmarrjet që pëfitojnë nga falja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore

560
Rreth 38 mijë sipërmarrje, duke filluar që nga muaji gusht, do të përfitojnë faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve shoqërore e shëndetësore. Ky përfitim vjen në bazë të një ligji të posaçëm, të miratuar nga Kuvendi dhe që hyn në fuqi mbas botimit në Fletoren Zyrtare, që do të thotë në fillim të muajit gusht. Sipas ligjit, falen në masën 100 për qind, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri më 31 dhjetor 2014, pavarësisht vlerës së detyrimit, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 shtator 2015. Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj. Listat e subjekteve përfituese dhe vlera e gjobave përkatëse publikohen, brenda 3 muajve, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Bazuar në gjendjen e detyrimeve, pagesave, gjobave e kamatëvonesave, nëpërmjet këtij ligji parashikohet që nga falja e tyre të përfitojnë mbi 38 mijë subjekte, me një vlerë prej rreth 3 miliardë lekësh. Nga ana tjetër, nëpërmjet zbatimit të këtij ligji, në relacion evidentohet se pritet që të arkëtohen rreth 6. 5 milardë lekë.
Çfarë parashikon ligji për faljen e gjobave?
Ligji ka si qëllim lehtësimin e subjekteve juridike dhe fizike nga barra e gjobave të gjeneruara dhe të papaguara për shkak të mosderdhjes, brenda afateve ligjore, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Gjithashtu ligji, nëpërmjet lehtësimit të barrës së borxheve, ka si qëllim edhe nxitjen e subjekteve juridike dhe fizike për të paguar kontributet e prapambetura, në zbatim të reformës së pensioneve, për të dhënë edhe një herë mundësinë për mbulimin me sigurim shoqëror të të gjitha periudhave të mëparshme, për të cilat nuk kanë paguar kontribute. Kjo është edhe arsyeja kryesore që në këtë ligj parashikohet falja e gjobave për deklarim dhe pagesë të vonuar të kontributeve të sigurimeve shoqërore, ndërkohë që nuk parashikohet falja e gjobave të vendosura për punonjës të konstatuar të paregjistruar apo të padeklaruar. Krahas lehtësimit të barrës së borxheve të kompanive private dhe krijimit të hapësirave për përmirësimin e situatës së tyre financiare, në këtë ligj parashikohet edhe detyrimi i subjekteve debitore për të kryer pagesat e debisë dhe gjobave të vendosura për mosdeklarim të punëmarrësve, deri në një afat të përcaktuar, duke falur 100% të gjobave të vendosura për ato subjekte që detyrimin kontributiv, së bashku me kamatëvonesat, e kanë likuiduar deri në datën 31.03.2015. Nga ky ligj përfitojnë të gjitha bizneset që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. 
Sigal