Kardinali: Papa u mahnit nga dëshmitë e 38 martirëve shqiptarë

388

 

Sigal

 

 

Në një
meshë të mbajtur në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër para rreth 10 mijë
pelegrinëve, janë lumturuar dje, 38 martirët e Kishës Katolike, të vdekur a të
vrarë nga regjimi komunist në vitet 1945-1974. Mesha u drejtua nga eminenca e
tij, Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve në
Vatikan dhe i dërguar i Atit të Shenjtë, ndërsa me të bashkëkremtuan kardinalë,
ipeshkvij e meshtarë.

Gjatë një meshe që zgjati më shumë
se dy orë, u lexua Letra Apostolike e Papa Françeskut, në të cilën thuhej se
“duke pranuar dëshirën e Angelo Massafrës, me autoritetin tonë Apostolik,
vendosim që të nderueshmit shërbëtorë të Hyjit, Vinçenc Prennushi dhe 37 shokët
martirë të kishës në Shqipëri tani e tutje të quhen të lumë dhe që të mund të
kremtohet festa e tyre më 5 nëntor – Papa Françesku”.

Pelegrinët patën mbërritur në kishë
që në orët e para të mëngjesit, e deri në orën 10:00, u rikujtuan jetëshkrimet
e martirëve dhe ditët e fundit para vdekjes, bashkë me torturat.

Të pranishëm ishin disa kardinalë,
20 ipeshkvij, 300 meshtarë nga e gjithë bota, si edhe presidenti Bujar Nishani,
kryeparlamentari Ilir Meta, ministrat Mirela Kumbaro, Lindita Nikolla, Mimi
Kodheli, si edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryeparlamentarja Jozefina
Topalli dhe shefi i opozitës, Lulzim Basha. Nuk munguan as përfaqësuesit e
komuniteteve fetare, ndërsa në mesazhet e dhëna nga mesha dhe pas saj, klerikët
e Kishës Katolike, përfshirë edhe ipeshkvin e Shkodër-Pultit, Angelo Massafra,
theksi u vu te fakti që “nuk janë përndjekësit, por martirët protagonistët e
vërtetë të historisë së njerëzimit”.

Prej ditës së djeshme, emrat e 38
martirëve do të jenë pjesë e Kishës Universale. Veç mesazheve të paqes për
luftërat në botë, mesha u mbyll me fjalët “Rroftë Krishti mbret, rroftë
Shqipëria”, të njëjta me ato të cilat, shumë meshtarë thanë para se të
pushkatoheshin.

I DËRGUARI I PAPËS 

Pas meshës, Kardinali Angelo Amato, përfaqësuesi i Atit të Shenjtë, tha në
Shkodër se “Papa Françesku ka mbetur i mahnitur nga dëshmitë e 38 martirëve
shqiptarë”, dhe se ai vetë është shumë i prekur nga pelegrinët, që sipas tij
ishin të pranishëm me gjithë zemër. “Është një përshtypje shumë e mirë dhe
njëkohësisht edhe shumë mallëngjyese”, – tha në një konferencë për mediat,
eminenca e tij.

”Papa ka ngelur shumë i prekur nga
dëshmia e këtyre martirëve. Unë e njoh realitetin e persekutimit në Spanjë e në
Meksikë, por persekutimi antikatolik në Shqipëri ka arritur në përmasa të
jashtëzakonshme. Mendoj për të renë Maria Tuci, që është shkatërruar fizikisht
e psikologjikisht nga një gjyqtar që quhej kolonel”, – shtoi Kardinali.

Duke vënë në dukje se martirët janë
gjaku i Krishterimit, ai vuri theksin te ideja që “gjithë populli ka vuajtur,
në veçanti besimtarët katolikë. Gjykimi mbi diktaturën tashmë është dhënë dhe
është negativ, sepse ka mohuar lirinë, drejtësinë, vëllazërinë e të vërtetën”.
I pyetur mbi faktin që kriminelët nuk janë dënuar, ai tha se “jo vetëm martirët
edhe persekutorët ishin të përndjekur, nga ata që komandonin, kishin frikë
sepse nuk kishte drejtësi”. Në fund, ipeshkvi i Shkodër-Pultit, Angelo Massafra
lajmëroi se do të lumturohen edhe dy martirë të tjerë: Dom Gjon Gazulli e Pater
Luigi Paliç.